
Lexoni edhe:
Dështimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 ishte produkt i inateve personale të liderëve partiakë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Duke pasur parasysh se për herë të parë shteti i Kosovës kishte një kryeministër të zgjedhur nga votat e qytetarëve, dhe jo një prodhim monstruoz të pazareve konspirative me të ashtuquajturën "listë serbe" dhe Aleksandër Vuçiqin, besoj se në zgjedhjet e reja, votuesi shqiptar nuk do të mashtrohet nga parat e Serbisë, premtimet e mafio-oligarkëve me shtetësi serbe, as propagandës meskine të banalistëve të paguar me mision 24 orësh për denigrimin e shtetit, qeverisë dhe kryeministrit të vetëm që e çoi deri në fund mandatin e marrë nga populli i Kosovës.
-Mosvotimi i qeverisë nuk përbën asnjë sensacion, në fakt ishte një lajm i pritur si rezultat i luftës së gjatë mediatiko-agjenturore, me ç'rast, u vërtetua edhe njëherë vëllazërim-bashkimi i pashkëputshëm ndërmjet partive të inkriminuara shqipfolëse dhe dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe".
Një konglomerat që lë të kuptohet se përsëri janë në riformatim të koalicionit të vjetër, duke habitur një popull të tërë me koketimin e partive shqipfolëse për ngritjen në katror të viktimizimit të të ashtuquajturës "listë serbe" para qytetarëve të Kosovës dhe shkaktuar bllokadën më të rrezikshme të vendit me kërcënim serioz për kolaps total financiar, vetëm e vetëm që të jetësohen aspiratat e Serbisë dhe dorës së zgjatur të Vuçiqit në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe", duke mos hezituar as shkaktimin e trazirave sociale dhe destabilizimin politik të mbarë vendit.
Për ne që jetojmë kohë të gjatë në vendet me demokraci të avancuar, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dënueshme, në formën më të rëndë, loja e pistë e politikës së inkriminuar shqipfolëse me fatin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, të arritur me aq shumë gjak e mund, ndaj pas dështimit në Kuvend për zgjidhjen e qeverisë së propozuar nga kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, dhe paaftësisë së opozitës për marrjen mbi vete të përgjegjësisë për të udhëhequr shtetin, tanimë duket hapur se nuk ka ngelur rrugëdalje tjetër përpos shkuarjes në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Ndryshe, dështimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 nuk ishte produkt i mungesës së përpjekjeve, por rezultat i pamundësisë së bashkëpunimit me subjektet e dështuara politike dhe deputetët e nënshtruar ndaj partive opozitare, të cilët kanë miratuar me shumicë absolute të votave bashkë me të ashtuquajturën "listë serbe" në Kuvend "zajednicën" serbe dhe Gjykatën Speciale, dhe sot e kësaj dite janë vetëm me trup në Kosovë, ndërsa me mendje në Beograd.
Andaj, tani na mbetet ta presim gjykimin e sovranit për vendosjen me votë, ndërmjet stilit të qeverisjes së z. Kurti, apo stilit klandestin të partive të inkriminuara në koalicion të ri me të ashtuquajturën "listë serbe", parti që për mbi dy dekada bashkëpunuan edhe me kryeterroristin Millan Radojçiq dhe bandat kriminale serbe, e mos ta përmendim këtu edhe Rade Radisavljevicin, kryefjalën e krimit në veri, të cilin as Inspektorati Policor nuk kishte arritur ta arrestonte, shkaku i bashkëpunëtorëve shqiptar me të cilët e kishin kthyer veriun e Kosovës në oazë të përfitimeve financiare dhe El-Dorado të krimit të organizuar.
Kabineti i ri qeveritar nuk u votua nga bashkë-ortaket e të ashtuquajturës "listë serbe" pikërisht për shkakun se për herë të parë në ekzistencën tonë si shtet i pavarur, Qeveria Kurti shtriu shtetësinë e Kosovës cep më cep, vendosi rendin dhe ligjin edhe në veri, njëjtë si në gjithë territorin, ndaloi organizatat terroriste serbe, të ashtuquajturat "brigadë e veriut", dhe "mbrojtja civile", dhe dëboi kriminelët serbë, përfshi kryeterroristin Millan Radojçiq, Zvonko Veselinoviqin etj., në Serbi, duke garantuar qetësi të plotë, pa mbyllje rrugësh, pa barrikada, pa sulme ndaj shqiptarëve dhe pa rrahje të gazetarëve në këtë pjesë të vendit tonë.
Një qeveri që e vendosi Kosovën në vendin e parë për rend dhe ligj në Evropë dhe të tretin në botë, gjë që askush nuk ka mundur, jo ta parashikonte, por as ta ëndërronte se kjo mund të ndodhte brenda vetëm një mandati qeveritar, është vërtet turp edhe para botës demokratike, që të bojkotohet nga ato parti, që kanë formuar qeveritë me të ashtuquajturën "listë serbe", duke e pritur këtë të fundit me ditë që të kthehej me miratim nga Beogradi, si dhe kanë mbajtur pushtetin me ndihmën dhe participimin e saj, edhe pse e ashtuquajtura "listë serbe" është grupimi më i dyshimtë agjenturoro-konspirativ kundër shtetit tonë, në gjithë territorin e Kosovës.
Kjo më bën të besoj shumë se populli i Kosovës dhe sovrani i padiskutueshëm i këtij vendi, si dhe shumica dërmuese e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e reja, do t’i kenë të gjitha këto parasysh dhe nuk do të mashtrohen nga parat e Serbisë, joshjet e mafio-oligarkëve me shtetësi të shteteve fqinje sllave, as propaganda meskine e banalistëve mercenarë të paguar me mision 24 orësh, për denigrimin e shtetit të Kosovës dhe dështimin e qëllimshëm të formimit të Qeverisë shqiptare. Ata do ta kthejnë në dështim marramendës të kësaj opozite përçarëse e të shantazhuar, duke ndarë përfundimisht shapin nga sheqeri dhe mos lejuar thellimin e krizës, as lindjen e një krize të re, e cila për shkak të pamundësisë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare mund ta çojë vendin në kolaps total, të shkaktojë trazira sociale dhe kërcënojë me destabilizim të rëndë politik në vend, me ç’rast, si rrjedhojë e gjithë kësaj, dëmin më të madh do ta pësojnë vet qytetarët dhe shteti i Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".