Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, institucionale e ekonomike
Milaim Sylejmani
Nga Milaim Sylejmani
Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, institucionale, ekonomike mbase edhe shtet ndërtuese. Dominimi i një force politike populliste majtise, e ardhur në pushtet duke kundërshtuar e nëpërkëmbur ç`do vlerë e ç’do të arritur në këtë vend, ka krijuar një krizë shtetërore, sociale e demokratike, ka ngushtuar hapësirën e debatit, dhe ka dobësuar funksionimin e institucioneve.
Mbi 40 shkelje kushtetuese, dhe mbi 50 seanca konstituive të Kuvendit. Qeverisja aktuale ka sjellë pasiguri, konflikt të panevojshëm brenda vendit me të gjithë që nuk mendojnë e nuk veprojnë njësoj, me e nëpër të gjitha institucionet, sindikatat, mediat, OJQ-të, dhe izolim të vendit në arenën ndërkombëtare. Në këtë situatë, qendra e djathtë nuk e ka luksin të mbete e përçarë. PDK dhe LDK, si dy parti kryesore, ani se në qeverisjet e tyre kishte nivel të lartë të korrupsionit, familjarizëm e klientelizëm, punsime e mbipunësime pa kritere të meritokracisë, megjithatë kanë mbajtur mbi supe barrën e luftës, e të shtet ndërtimit, që nga paralufta,çlirimi, pavarësia, deri te konsolidimi institucional. Është mëritë e tyre që shteti i Kosovës përkundër dobësive të mëdha, ka sistem funksional arsimor, shëndetësor, gjyqësor, social e policor, që ia del edhe në kohë të krizave qeveritare, sikur kjo krizë nëntëmujore në të cilën ndodhemi. Pastaj mëritë e tyre janë njohjet ndërkombëtarë të shteti të Kosovës dhe lidhjet strategjike me perëndimin. Sot në kushte kur Kosova rrezikohet nga paaftësia e diletantizmi udhëheqës (shumë herë të quajtur praktikant), ato janë forca politike që duhet të mbajnë përgjegjësinë historike dhe të marrë rolin që u takon. Kontributet e tyre të përbashkëta në ndërtimin e shtetit, janë një themel solid mbi të cilin mund të ndërtohet një alternativë e fortë politike. Qeverisja e Vetëvendosjes me satelitë të dihen, e të fshehtë ka prodhuar dështime të dukshme që stagnojnë zhvillimin dhe pozitën e Kosovës, ka prodhuar ngecje ekonomike dhe mungesë zhvillimi, mungesë të investime, ikje masive të qytetarëve, të kapitalit e bizneseve, dhe mungesë të politikave të qëndrueshme të tregut. Shpeshherë duke anuar nga centralizmi në ekonomi (tregu i energjisë), centralizim i pushtetit, izolim diplomatik dhe dobësim i raporteve me aleatët kryesorë, duke shkaktuar humbje të besueshmërisë ndërkombëtare, mungesë të njohjeve e mungesë e anëtarësimeve në organizma ndërkombëtar. Pastaj kjo qeverisje ka shkaktuar polarizim shoqëror dhe vendimmarrje të bazuar në propagandë, jo në politika publike. Kosova nuk mund të ecë përpara me improvizime, eksperimente dhe konflikt me partnerët strategjik. Vendi ka nevojë urgjente për qeverisje profesionale, stabilitet dhe orientim të qartë perëndimor. Për këtë arsye, PDK dhe LDK duhet të ndërmarrin dy hapa serioz vendimtar:
1. Reforma të brendshme e të thella, duke u çliruar nga ndikimet e mbetura komuniste, nga figurat e vjetruar dhe nga qasjet ideologjike të së kaluarës. Qendra e djathtë duhet të jetë moderne në kuptimin e disiplinës fiskale dhe shtetërore, konservatore e profesionale.
2. Bashkim strategjik dhe vizionar, jo si lëvizje taktike zgjedhore, por si projekt shtetëror. Platforma e përbashkët duhet të përfshijë ekonomi tregu, politika zhvillimore të qëndrueshme, stabilitet institucional, forcim të demokracisë dhe rikthim të Kosovës në kursin e sajë natyror drejt integrimit euroatlantik. Nuk duhet rënë në grackën e akuzave dhe të paragjykimeve, që zihen në kuzhinën greko-sllave të Dejona Mihajlit. Duhet pranuar hapur pa hezitim. Po jemi parti djathtiste dhe do të bashkëpunojmë. Për të mirën e vendit e qytetarëve, dhe për të quar ne vend amanetin e atyre që derdhën gjakun për këtë vend. Kurrsesi nuk duhet pranuar kandidaturën për Kryeministër të Kosovës të Glauk Konjufcës si përfaqësues i hapur i Hegelit, dhe i ideologjisë neo-komuniste.
Ky është moment për guxim politik, jo kalkulim. Përgjegjësi, jo hezitim. Veprim, jo pritje. Qendra e djathë e bashkuar (nëse vërtetë PDK e LDK janë të djathta) është e vetmja forcë që mund t`i rikthej Kosovës stabilitetin, dhe dinjitetin e nëpërkëmbur.
Bashkëpunimi i PDK-së dhe LDK-së nuk është opsional, është domosdoshmëri kombëtare. Kosova nuk mund të presë. Duhet vepruar tani!!!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
