Serbia frontin për copëtimin e Kosovës po e zhvendos nga 'Lista Serpska' në altarin e Kishës Ortodokse!
Fadil Maloku
Shkruan; Prof. Dr. Fadil Maloku, Sociolog
Serbia pas fitores së “Listës Serpska” po planifikon të përdorë një strategji më të sofistikuar ndikimi mbi institucionet e reja që do dalin pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do zhvillohen së shpejti! Kjo planimetri e re, duke kuptuar se ideja për Asociacionin kërkon kohë e durim të stërholluar, do të zëvendësohet përkohësisht me ikonografinë fetare që do ta udhëheqë Kisha Ortodokse Serbe (KOS), me të vetmin qëllim për të mbajtur nën kontroll të gjitha komunat e fituara me shumicë serbe. Ndryshe nga "Lista Serbe" që është instaluar që nga paslufta si një “kalë Troje” në arkitekturën politike ahtisariane të Kosovës, Kisha Ortodokse tani e ka shumë më të lehtë realizimin e synimit dhe ambicies për ta vështirësuar e kompromentuar finalizimin e shtetësisë së Kosovës. Pse themi kështu? Shkaku se: Kisha si institucion fetar (sipas standardeve laike kosovare!) nuk mund të sanksionohet; nuk mund të hyjë në detyrime ligjore ndaj shtetit; dhe nuk mund t’i mohohet autoriteti emocional e historik që e ka ushqyer me dekada pérmes shtetit të Serbisë tek gjithë serbët, kudo që ata gjendeshin; dhe nuk mund të pengohet aktiviteti subversiv që ajo në vazhdimësi e ka përdorur për veprim politik të maskuar si aktivitet fetar.
Andaj, cilado qeveri kosovare që do vijë në pushtet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duhet ta ketë të qartë se: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (SANU), së bashku me të gjitha instrumentet e “Botës serbe”, po përgatit opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm për një status të veçantë juridik për të ashtuquajturat "zonat e shenjta serbe”, që në fakt kanë të bëjnë me idenë e ekstraterritorialitetit, apo thënë më shqip: copëtimin e Kosovës në mënyrë indirekte. Pra, e gjithë strategjia për rikthimin e Listës Serbe në 10 komunat e fituara në zgjedhjet lokale 2925 nga Serbia tani e tutje do përdoret vetëm për ta zhvendosë vëmendjen e Brukselit dhe qeveritarëve kosovarë nga tema e administrimit lokal tek ajo e statusit privilegjues të Kishës Ortodokse, që ishte arritur me Marrëveshjen e Brukselit.
Por, politikanët naivë, mediet e dyshimta bashkë me ca analistë mediatikë, diskursin dhe narracionin mbi gjoja “kërcënimin e trashëgimisë së shenjtë serbe” (“srpska svetinja je ugrožena”), nuk duhet assesi ta kuptojnë vetëm si mesazh fetar, por edhe si një komunikim të koduar politik, që për imperativ final do e ketë përveç tjerash edhe këtë "obligim" e detyrim; instalimin e diskursit të gjoja kërcënimit e frikës dhe ate të homogjenitetit etnik tek serbét e Kosovés. Diskurs ky që pastaj do duhej të shndërrohet pashmangshëm në detyrim moral, fetar e etnik për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës dhe përgatitjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm për një alibi "mbrojtëse të shenjtërive”, nga ana e Serbisë.
Tabi, është e kuptueshme që ky "katapultim” i temave nga terreni politik në ate fetar e etnik përmban rreziqe të shumta, pë shtetin e Kosovës. Për arsye se, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni, nuk do hezitojnë të futen në “kompromise” shtesë për çështje fetare… Hezitim ky që Serbisë pa asnjë dyshim do t’i krijojë hapësirë favorizuese për të kërkuar zona me status të veçantë brenda territorit të Kosovës. Ku, sovraniteti, edhe ashtu i lënduar e ndëshkuar me planet ahtisariane, do të vazhdojë të shërbejë si një armë e fuqishme për ta gërryer shtetësinë e Kosovës. Dhe çka është edhe më interesant, kjo lloj gërryerje, tani nuk do ndaket vetëm në sferën politike, atë ekonomike e juridike, siç ka ndodhur në të gjitha vitet e pasluftës, por tash do zgjërohet edhe përmes ushtrimit të ndikimit fetar të paketuar si “mbrojtje e trashëgimisë shpirtërore” serbe në Kosovë. Dhe e gjithë kjo "planimetri" e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Serbisë (SANU), së bashku me Kishën Ortodokse, s'do mend se e kërcënon jo vetëm sigurinë e shtetit, por, edhe stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit...
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
