Në Kosovë sa herë drejtësia prek një figurë të pushtetit instinkti i parë është mohimi
Isuf Bajraktari
Shkruan: ANALISTI- Isuf Bajraktari
Aktakuza ndaj ministres Rozeta Hajdari nuk është vetëm një çështje juridike; është tërmet politik që ekspozon mangësitë e thella të kulturës sonë qeverisëse. Në Kosovë, sa herë drejtësia prek një figurë të pushtetit, instinkti i parë nuk është transparenca, por mohimi. Nuk është reflektimi, por viktimizimi. Dhe asnjëherë përgjegjësia, por gjithmonë politika. Deklaratat e ministres se aktakuza ndaj saj është “e pavërtetë” i takojnë një mentaliteti të vjetër, ku çdo zyrtar e shpall veten të pastër para se ta thotë gjykata.
-Kjo nuk është mbrojtje ligjore, është riciklim i narrativës së pandryshuar për 20 vite: zyrtarët e lartë nuk gabojnë kurrë, prokuroria “keqkuptohet”, ndërsa opozita “sulmon”. Ky është refleks i një klime ku pushteti pranon privilegjet, por jo peshën e detyrimit moral për t’u ballafaquar me të vërtetën. Edhe më problematike është pretendimi i Hajdarit se është “krenare” dhe “e lumtur” për menaxhimin e rezervave shtetërore. Rezervat nuk janë çështje emocionale. Ato janë instrumente të sigurisë ekonomike dhe garanci e funksionimit të shtetit në kohë krizash. Çdo mungesë, humbje apo avullim i materialeve strategjike është dëm i drejtpërdrejtë ekonomik, cenim i tregut dhe rrezik për stabilitetin kombëtar. Krenaria nuk e zëvendëson llogaridhënien, e aq më pak kur dokumentet flasin për mungesa dhe keqmenaxhim.
Dilema politike bëhet edhe më e thellë kur përmendet mundësia që kryeministri të thirret si dëshmitar. Në një proces teknik dhe administrativ, ai nuk duhet të ketë asnjë rol. Vetë fakti që kjo pyetje ekziston tregon se vendimmarrja për rezervat mund të ketë kaluar përtej juridiksionit të ministrisë. Hezitimi i Hajdarit për të folur për këtë çështje nuk e ul peshën e dilemës, e rrit atë. E thëna se “populli është më i sigurt me rezervat” është e paqëndrueshme nëse rezervat realisht mungojnë, janë dëmtuar ose janë keqmenaxhuar. Siguria nuk krijohet me deklarata politike, por me asete të prekshme dhe mekanizma funksionalë të mbrojtjes ekonomike. Të thuash të kundërtën është të fshehësh dështimin pas retorikës.
Kosova nuk mund të ndërtojë stabilitet ekonomik dhe institucional nëse politika vazhdon t’i trajtojë aktakuzat si komplot, kritikat si inat dhe hetimin si sulm. Kjo logjikë mbron individët në pushtet, por dëmton shtetin. Derisa ministrat dhe udhëheqësit të mos kenë guximin të thonë “mbaj përgjegjësi”, rezervat mund t’i marrë era, por edhe më keq, mund ta marrë era vetë besimin e qytetarëve te institucionet. Shteti forcohet kur e vërteta përballet me pushtetin, jo kur pushteti i ikën së vërtetës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
