Prenka: Forcimi i opozitës si rruga drejt stabilitetit shtetëror
Zef Prenka
Shkruan :Zef Prenka
Deklarata e ish-Kryeministrit dhe ish-Kryetarit të LDK-së, prof. dr. Isa Mustafa, e cila vlerësoi rolin e Ramush Haradinajt në konsolidimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës, nuk ka qenë rastësore, as nostalgji politike. Ajo është një sinjal i qartë në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që shpalos një dimension të ri të mendimit opozitar në vend: rikthimi i balancës në skenën politike të Kosovës.
Vendi ka hyrë në një fazë ku qeverisja e një force të vetme politike ka krijuar tensione të padëshiruara, polarizim publik dhe përplasje të hapura me faktorët kryesorë ndërkombëtarë — mbi të gjitha me SHBA-në. Kjo përbën rrezik për stabilitetin, për konsolidimin e institucioneve dhe për perspektivën euroatlantike të vendit. Në këtë kontekst, Mustafa po dërgon një mesazh strategjik: Kosova nuk mund të mbetet peng i një mendësie qeverisëse që e sheh opozitën si armik dhe partnerët ndërkombëtarë si të dyshimtë.
Duke vlerësuar Haradinajn, Mustafa po forcon një narrativë të qartë:
Opozita duhet të fuqizohet dhe të bashkërendohet.
AAK-ja dhe Haradinaj, me kapitalin e tyre të qëndrueshëm shtetformues, meritojnë një vend më të fortë në ekuilibrat politikë. Njëkohësisht, kjo deklaratë shërben edhe si goditje direkte ndaj dominimit të LVV-së, e cila, nëse bie në vendin e dytë, mund t’i hapë vendit një rrugë të re të stabilitetit institucional.
Në të njëjtën frymë, Mustafa e njeh publikisht fuqizimin e Bedri Hamzës në krye të PDK-së. Ky vlerësim i shtruar me kujdes është një tjetër tregues se opozita ka hyrë në garë të re për lidershipin e shtetit.
Kjo do të thotë se në tavolinë tashmë ekziston një formulë e mundshme:
LDK – AAK, si bosht modern qendër–të–djathtë, me një PDK që garon seriozisht për të sjellë frymë zhvillimore e shtetërore.
Mustafa po paralajmëron opinionin publik se Kosova ka nevojë për lidhje të forta euroatlantike, për një qeverisje që nuk shikon nga rruga e konfliktit, por nga rruga e shtetndërtimit. Dhe nëse dikush mendoi se ai ishte tërhequr nga politika , kjo lëvizje tregon se vizioni i tij për LDK-në dhe shtetin është ende i gjallë.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të përcaktojnë vetëm fituesin e radhës.
Ato do të përcaktojnë modelin e qeverisjes së ardhshme të Kosovës:
-Një pushtet i vetëm që kërkon legjitimitet absolut,apo
-Një sistem politik të balancuar, i ankoruar në partneritet me Perëndimin?
Duke ngritur lart figurat që kanë gópë të kripës së shtetit në duar, Mustafa po zgjon ndërgjegjen e elektoratit se koha e rivaliteteve të vogla duhet të mbyllet. Koha është që opozita të ngrihet si alternativë e besueshme shtetërore, jo thjesht si kundërshtare e qeverisë.
Në këtë pikë, deklarata e tij mund të lexohet qartë si vijë politike:
-Kosova duhet të kthehet në duar të njerëzve që ndërtojnë ura me aleatët, jo mure armiqësore me ta.
Ky është mesazhi që mund t’i japë fund ngërçit të zgjatur politik dhe të sjell një Kosovë më të parashikueshme, më të fuqishme dhe më të mbështetur ndërkombëtarisht.
Koha do ta tregojë rezultatet, por një gjë është e sigurt:
Isa Mustafa sapo hodhi gurin që mund të ndryshojë lojën politike të Kosovës.
Nga një tjetër këndvështrim:
-Se sa i nevojshëm është fakti që, PSHDK të jetë pjesë e politikëbërjes në Kosovë, ketë e vërenë edhe Kryetari i LDK , z. Lumir Abdixhiku.
Deklarata e ish-Kryeministrit dhe ish-Kryetarit të LDK-së, prof. dr. Isa Mustafa, ishte vetëm një pjesë e lëvizjes më të gjerë strategjike të liderëve të vjetër dhe të ri në skenën politike. Por si pjesë të një operacioni më të madh, duhet nuancuar me faktin e fundit: kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka ftuar PSHDK-në — parti motër — për t’iu bashkuar listës zgjedhore të LDK-së.
Ky hap ka disa rëndësi strategjike:
-Ftesa nënkupton se PSHDK-së i kushtohet një vend i rëndësishëm në listën zgjedhore — potencialisht pozicion në vendet 5–10, pra me shpresa për të siguruar një ulëse deputeti.
-Por jo si një shkrirje pa zë , ku kandidatët e listës thjesht “kalojnë” brenda LDK-së pa simbolin e tyre, por si pjesëmarrje me simbolin dhe identitetin e tyre të vetin.
-Ky hap është gjithashtu një sinjal: PSHDK pret mbështetjen e LDK-së për t’u siguruar sukses, një garanci që nuk ishte prezent në aleancat paraprake.
-Kjo synon të shmangë gabimet e së kaluarës, kur PSHDK niste me shpresa për 7–8 mijë vota, por dështonte në sigurimin e vendit në parlament , një skenar që tani do të jetë përpjekur të eliminohet me koalicion më të fortë dhe më transparent.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
