Keqpërdorimet rreth emertimëve të rrugëve dhe institucioneve në Kosovë!

Keqpërdorimet rreth emertimëve të rrugëve dhe institucioneve në Kosovë!
Keqpërdorimet rreth emertimëve të rrugëve dhe institucioneve në Kosovë!

Ismail Muçiqi

  • 26 November 2025 - 14:49

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Se jemi shoqëri me plot defekte, për këtë nuk ka asnjë dyshim. E keqja dhe fenomenet negative kanë depërtuar thellë në të gjitha poret e jetës që nga paslufta. Konflikti i interesit dhe mentaliteti korruptiv kanë përshkuar madje edhe procesin e emërtimit të rrugëve dhe institucioneve publike, deri në instancën e fundit të komunave tona. Që nga fillimi i procesit të emërtimit të rrugëve – prej fshatrave deri te qendrat komunale – janë bërë gabime të njëpasnjëshme. Këto gabime janë reflektuar veçanërisht tek përzgjedhja e emrave të personave, biografitë e të cilëve shpesh janë baras me zero.

Sot, në shumë fshatra, lagje dhe bashkësi lokale kanë dalë nëpër tabela emra njerëzish për të cilët as banorët e atij vendi nuk kanë dëgjuar ndonjëherë, e lëre më të kenë lënë gjurmë a vepra që do të arsyetonin nderimin e tyre publik. Këto vendime janë marrë nëpërmjet të ashtuquajturave komisione, të përbëra shpesh nga persona që nuk e njohin as gjeografinë e fshatit apo komunës ku jetojnë, e lëre më historinë dhe figurat e saj të vërteta. Emërtimi i rrugëve me emra jo meritorë ka shkaktuar dhe po shkakton indijat tek qytetarët të cilët nuk janë përfillur mendimet dhe propozimet e tyre në shumë raste. Kjo flet shumë për nivelin e mjerueshëm të seriozitetit me të cilin trajtohet kjo çështje. Mjerisht, fatin e shoqërisë Kosovare – fatin e intelegjencës, të vlerave njerëzore e kombëtare – e kanë marrë në duar analfabetët, klanet familjare dhe farefisnore, të cilët vazhdimisht kanë uzurpuar segmente të rëndësishme të jetës publike. Ne jemi dëshmitarë se Kosova ka pasur figura të ndritura: intelektualë, veprimtarë, shkrimtarë, shkencëtarë, burra të kullave që kanë mbajtur histori. Por, fatkeqësisht, emrat e tyre janë lënë anash dhe janë margjinalizuar nga këto komisione të mjerimit, që përmes interesave dhe pazareve klanore kanë instaluar korrupsionin publik deri në nivelet më të larta të institucioneve. Këto që po i përmendim mund të vërehen kudo: nëpër fshatra, bashkësi lokale e qendra komunale, ku një numër rrugësh janë emërtuar me emra të panjohur që nuk kanë kontribuar aspak për t’u nderuar në këtë shkallë. Njeriu normal befasohet kur sheh në lagjen e vet emra enigmatikë, të cilët dalin nga komisioneve të pa ditura që, në vend se të ruajnë historinë, po e degradojnë atë. Kjo dukuri, me gjithë degradimet dhe devijimet nga standardet që zbatohen në shtetet serioze, po e zbeh imazhin e Republikës së Kosovës – një vend që meriton më shumë. Më duket se jemi në lajthitje të thellë, duke rrënuar vlerat e duke instaluar antivlerat. Kjo mendësi rrezikon ta kthejë shoqërinë një shekull mbrapa, në kohën e fiseve e bajraktarëve, ku kush ishte më i forti vendoste për rregullat e xhunglës. Kështu nuk ecet para. Kështu nuk bëhet shteti…!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".