Koalicionet e 28 Dhjetorit po krijojnë një realitet të ri: Në Kosovë do të votohet për etni
Fadil Maloku
Nga Fadil Maloku
1. Meqë deri tani është bërë publike formimi i disa koalicioneve – për shembull koalicioni PAI – PDAK – LPB (parti që përfaqësojnë komunitetet ashkali/romë) dhe VAKAT (parti që synojnë përfaqësimin e komuniteteve boshnjake dhe pakicave të tjera) – për zgjedhjet e 28 dhjetorit, vërehet një dinamikë interesante. Një koalicion më i madh dhe më i përfolur është ai i Vetëvendosjes, që përfshin partinë kryesore me profil nacional dhe satelitët e saj: “GUXO”, “Alternativa” dhe PSHDK-në. Përtej koalicioneve etnike, vërehen edhe përpjekje për koalicione mes partive kryesore shqiptare, si p.sh. ai ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Nismës, e ndoshta edhe ndonjë partie tjetër. Sidoqoftë, këto koalicione, ndonëse të vogla dhe me fokus “komunitar” ose “identitar/politik”, kanë një karakteristikë të rëndësishme: nuk janë të natyrës ideologjike.
2. E gjithë kjo qasje e koalicioneve na dëshmon një politikë fragmentare dhe të mbështetur në ndarje sociale, ku komunitetet pakicë dhe përfaqësimet lokale luajnë rol më të madh sesa linjat ideologjike të majta apo të djathta. Këto koalicione dëshmojnë gjithashtu një fenomen interesant të “mbijetesës elektorale”, apo të frikës që kanë partitë e vogla për kapërcimin e pragut zgjedhor. Ndërkaq, ajo që është më interesante ka të bëjë me faktin se koalicionet etnike, në një anë, mund të sigurojnë përfaqësim më të theksuar në Parlament, por në anën tjetër, duke u barrikaduar prapa “sintagmës etnike”, ato e zbehin dhe e fragmentojnë kohezionin social të shoqërisë kosovare. Ky barrikadim prapa “etnisë” u dërgon votuesve një mesazh të gabuar: qytetarët fillojnë të besojnë se vota e tyre fiton “peshë specifike” vetëm nëse adresohet te komuniteti, në vend se te individi.
3. E gjithë kjo frymë, në sytë e ndërkombëtarëve, përcjell një mesazh për një rishpërndarje të votës që sociologjikisht perceptohet si “distancë sociale”, apo si thellim i dallimeve etnike. Poashtu, vlen të theksohet se në Kosovë koalicionet me background ideologjik ende shihen me rezerva të mëdha. Kjo qasje dëshmon më së miri se se hendeqet etnike në shoqërinë kosovare, ende vazhdojnë ta dominojnë “petkun” e demokracisë kosovare shumë më shumë sesa petku ideologjik dhe ai i programeve zhvillimore...
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
