Këta kuvendarë morën paga pa bërë asgjë në të mirë të Kosovës

Këta kuvendarë morën paga pa bërë asgjë në të mirë të Kosovës
Këta kuvendarë morën paga pa bërë asgjë në të mirë të Kosovës

Skender Mulliqi

  • 05 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Shfaqjet turpëruese spektakolare të mizorisë së vetëdijshme dhe të urrejtjes politike të kuvendarëve në Kuvendin e Kosovës, për dhjetë muaj u paguan me paga të majme dhe benificione të tjera prej qindra dhe mijëra eurove. Këto janë paga të turpit, nëse dinë çka është turpi. Këta kuvendarë, që nuk bënë asgjë për të pru ligje për çka edhe janë të thirrur, morën paga pa bërë asgjë në të mirë të vendit.

 

-Këta prodhuan kriza politike dhe institucionale të vazhdueshme duke i shkaktuar vendit dëme të mëdha si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare ku u humbën me qindra dhe mijëra euro dhe u humb reputacioni ynë si shtet. Këta kuvendarë, me një logjikë të tillë, kërcënuan seriozisht ndjenjën tonë, shoqërinë dhe shtetin. Dhe, pa iu dridhur qerpiku, kanë marrë pagat që besoj se në shtetet me demokraci të avancuar nuk do të kishin marrë asnjë metelik. Përkundrazi, për këto dëme të mëdha të shkaktuara shoqërisë, ishte dashur të përgjigjeshin para popullit. Shkelën ligjet dhe Kushtetutën duke mos bërë asgjë në të mirë të vendit. Nuk ishin në gjendje të formojnë organet e reja të shtetit, që lehtë e kishin një mundësi të tillë. Nuk e di se si e ndiejnë veten kur vendit i shkaktuan dëme të pariparueshme dhe shkojnë në banka për të nxjerrë pagat nga gjirollogaritë e tyre. Unë jam skeptik se edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do t’i kemi një shumicë të kuvendarëve që i kanë kullotur këto poste për shumë vite.

Ne edhe shumë më herët kemi pa skena të papërgjegjshme në Kuvendin e Kosovës, duke e shndërruar atë në arenë cirku, dhe me ngjarjet e fundit të prodhimit jo vetëm të krizës politike por edhe të të gjitha krizave të tjera, iu ka qitur maja. Kur jemi te kjo temë delikate, nuk janë pa faj as qytetarët që zgjedhin për deputetë njerëz që nuk kanë lidhje me politikëbërje, duke i duruar në pafundësi veprimet e tilla poshtëruese. Këta nuk kanë ide dhe as dije për të kontribuar në progresin moral dhe progresin e përgjithshëm, duke e humbur me fare aureolën e deputetit. U morën me gjithë farë teorish deri te konspirative që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe as me interesin e qytetarëve. Punë shumë të rëndësishme kanë mbetur mbrapa. Na formuan shtetin për ta avancuar atë me të gjitha proceset, e jo për ta rrënuar atë, thuajse bëhet fjalë për Tanguzi, e jo për Kosovën tonë të dashur. E formuam shtetin pas sakrificave të mëdha gjatë gjithë historisë, dhe në luftën e fundit çlirimtare, për ta vu sot në peshore njerëzit që nuk kanë ndjenja se çka është shteti, nga njerëzit që nuk kanë përgjegjësi dhe moral politik.

Nga njerëzit që interesat personale i kanë vu para interesit të shtetit dhe para mirëqenies së qytetarëve, që një pjesë e madhe nuk po jetojnë mirë. Këto lojëra të ndyta politike ishte dashur të ndërpriten nga populli nëse dikush mendon me vazhduar me lojëra të tilla edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Shteti nuk është vetëm i 120 kuvendarëve, por është i 2 milionë e më shumë banorëve sa konsiderohet se ka sot Kosova. Dhe, tjetra, personat që mbajnë nga dy-tre poste, kjo praktikë katastrofale duhet më në fund të ndërpritet. Po shfaqet një nivel i ulët intelektual i paimagjinueshëm për shekullin 21. Mos të lejohet shpërbërja pothuajse totale aktuale e normave politike dhe morale. Mjaft është bërë me logjikën e armiqve të supozuar, për të maskuar defektet e tyre strukturore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".