Në prag të festave të fundvitit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur pa asnjë arsye

Në prag të festave të fundvitit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur pa asnjë arsye
Në prag të festave të fundvitit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur pa asnjë arsye

Ismail Muçiqi

  • 17 December 2025 - 07:50

Shkruan  Ismail Muçiqi

Në prag të festave të fundvitit, çmimet e artikujve ushqimorë dhe të produkteve të tjera jetike janë rritur pa asnjë arsye apo kriter të arsyeshëm, në dëm të drejtpërdrejtë të konsumatorëve të varfër, të cilët mezi po arrijnë të mbijetojnë në krizën e thellë ekonomiko-sociale. Duke u thirrur në të ashtuquajturën “ekonomi e tregut”, një teori e keqinterpretuar dhe e keqpërdorur, e promovuar nga pseudo-ekonomistë – nga fakultetet ekonomike e deri te odat ekonomike – po goditet drejtpërdrejt shtresa më e madhe e popullsisë së Kosovës. Kaosi që prej muajsh e vitesh po mbizotëron në tregjet e Republikës së Kosovës, pa asnjë mbikëqyrje serioze nga inspektoratet – nga niveli komunal e deri te maja e qeverisë – po shfrytëzohet nga tregtarë të papërgjegjshëm, të cilët kanë humbur çdo ndjenjë dinjiteti, humanizmi dhe norme njerëzore, duke vrapuar pas pasurimit të shpejtë dhe grabitjes. Kjo gjendje e padurueshme po e godet më së shumti shtresën më të varfër të qytetarëve të Kosovës, e cila në këto ditë dimri po përballet me vështirësi të shumta: sigurimin e ushqimit, sigurimin e druve per nxehje, pagesën e energjisë elektrike, barnave dhe taksave të tjera, të cilat për shumë familje janë bërë të pamundura për t’u përballuar. Jeta në Kosovë po zhvillohet mbi improvizime – nga familja e deri te maja e shtetit.

Solidariteti shoqëror po zbehet gjithnjë e më shumë; i pasuri nuk ia beson të varfërit realitetin e vështirë të jetës me të cilin po përballet. Kjo mendësi e epsheve të pangopura e një klase që prej vitesh e ka marrë tregun dhe kapitalin në duar, duke krijuar kaos me çmimet e artikujve ushqimorë vetëm për t’u pasuruar, duhet të ndalet. Shteti duhet të veprojë përmes instrumenteve ligjore, duke monitoruar dhe ndëshkuar veprimet kriminale që po e varfërojnë shportën e qytetarëve. Nuk ka shtet në botë që funksionon pa struktura të fuqishme inspektuese që mbikëqyrin harmonizimin e çmimeve në tregun vendor dhe rajonal. Është e pajustifikueshme që shumë artikuj ushqimorë në Kosovë shiten më shtrenjtë se në Gjermani, Zvicër, Austri apo vende të tjera evropiane. Këtë po e bëjnë matrapazët e tregut, të cilët po krijojnë kapital financiar duke shfrytëzuar mundin dhe djersën e qytetarëve që mezi mbijetojnë me paga 300–400 euro ose me pensione prej 200 eurosh. Kjo padrejtësi po shkakton pakënaqësi dhe revoltë të madhe shoqërore, duke krijuar dallime të thella klasore dhe një shtresë super-aristokrate të të pasurve, të cilët përmes formave të ndryshme abuzive kanë ndërtuar kapital, pa u brengosur aspak për pjesën tjetër të popullit që jeton në kushte të rënda sociale. Mjerisht, Kosova ka ndërtuar institucione mbi institucione që qëndrojnë vetëm si dekor, pa e ditur as vetë pse ekzistojnë. Shembulli më i keq janë odat ekonomike, të cilat përveç ndonjë deklarate formale apo prononcimi sporadik, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë konkrete për përmirësimin e gjendjes ekonomike, financiare dhe tregtare në ndihmë të qytetarëve. Kjo është e pafalshme. Ekonomia e tregut është normë e një sistemi demokratik ku sundon ligji, mbrohen të drejtat e njeriut dhe klasa punëtore nuk shfrytëzohet, por stimulohet sipas standardeve dhe rregullave të Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, ne jemi ende larg këtij realiteti, për shkak të defekteve kulturore, epsheve për pasurim të shpejtë dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj tjetrit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".