Një subjekt politik duhet të ketë guximin për t’u përballur me kundërshtarët politikë

Një subjekt politik duhet të ketë guximin për t’u përballur me kundërshtarët politikë
Një subjekt politik duhet të ketë guximin për t’u përballur me kundërshtarët politikë

Idriz Zeqiraj

  • 19 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

LDK-së i bie beja mbarë, kur thekson për numrin 123 “listë me vlera dhe integritet”, të cilat nuk i kanë munguar asnjëherë. Por, pas amshimit të kryezotit të LDK-së, Rugovës, klanet, në luftë për pushtet, me bërrylime e hile, i anashkaluan, deri në largim, shumë nga rugovistët e devotshëm dhe rrast të përkushtuar për kauzën madhore rugoviane. Për çudi, edhe pse klani përçarës është zbuluar, madje edhe diskredituar, në sytë e anëtarësisë, ai vazhdon të mbijetojë, duke u kalaveshur pas pushtetit partiak, sikur nuk ka ndodhur asgjë! Ka ardhur koha të stopohet kjo metastazë në trupin e shëndetshëm të LDK-së, partisë dikur krenare të Presidentit Rugova. “Më mirë vonë se kurrë”, – këshillon urtësia.

 

-Pa mëdyshje, LDK-së i janë afruar figura me vlerë dhe integritet, ashtu siç i ka hije të mbetet, sot e mot, kjo parti me nam të mirë. Sepse, Zot ruajna, “një lugë kos e tharton një kazan qumësht”. Pra, partinë duhet ruajtur nga kontaminimi, sepse “i del faqja e zezë”, siç ka ndodhur me disa subjekte partiake, madje parlamentare, të Kosovës sonë.

Për të qenë i sinqertë, LDK-ja, më saktë lidershipi i saj, një faj të tillë veçse nuk e bëri, duke flirtuar për koalicion me zuzarë. Por demokracia në parti është e shëndetshme dhe zëra reagues penguan futjen e së keqes brenda partisë.

Kryetari Lumir Abdixhiku është i saktë, kur deklaron se emrat e listuar “besojnë në shtet, në ligj, në meritë dhe në të ardhmen atlantike të Kosovës”. Vërtet, është listë e së tashmes dhe e së ardhmes, një kombinim i harmonishëm, me kuadro profesionistë dhe aktivistë të dëshmuar të LDK-së. Sepse gjenerata e re kërkon hapësirë dhe përgjegjësi, por edhe figura që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri. Çdo emër i listës ka vlera, integritet, besim dhe është i gatshëm për shërbim ndaj qytetarëve.

Por, për një subjekt politik, nuk mjafton të ketë vetëm listë të figurave të pastra apo kuadro partiakë profesionistë dhe të ndershëm, nëse nuk kanë guximin për t’u përballur me kundërshtarët politikë, që kanë përgjakur dhe grabitur Kosovën. Aq më keq të koalicionohen me subjekte të kriminalizuara, duke u bërë pjesë e krimit, siç ka ndodhur me LDK-në, e cila për vite të tëra e mbajti krimin dhe kriminelët në pushtet. Dhe realizoi krimin kulmor, duke e bërë agjentin e trefishtë të Shqipërisë komuniste, Francës dhe Serbisë – Hashim Thaçin – president të Kosovës! Thonë se mirë është të mësohet nga gabimet e të tjerëve e jo nga të tutat. Megjithatë, pësimet tua nuk duhet të përsëriten, përndryshe përjetohen më rëndë.

LDK-ja me të drejtë u penalizua me bllokadën shumëmujore të krijimit të organeve kuvendore, pastaj edhe me dështimin e kompozimit të Qeverisë së Kosovës. Fillimisht u përcaktua për, gjoja, neutralitet, asnjanësi, as me opozitën dhe as në bashkëqeverisje me LVV-në. Kjo doli blof, sepse një ditë i bëri thirrje PAN-it kriminal për bashkim, me qëllim të krijimit të Qeverisë së Opozitës së Bashkuar, pa Albin Kurtin dhe partinë e tij, edhe pse LVV kishte vota të vetme sa i gjithë koalicioni, tri herë radhazi humbës i zgjedhjeve.

Opozita PAN-iste ishte e turpëruar për krimet makabre të saj, ekzekutimin me banda të kundërshtarëve politikë shqiptarë, hajninë industriale dhe makro-kontrabandën miliardëshe euro. Gjithnjë në bashkëpunim me bandat serbe të veriut të Mitrovicës – sipas përllogaritjeve dëshmuese të Doganës së Kosovës dhe të DASH-it amerikan, i cili i ndëshkoi palët bashkëpunuese e penalizuese serbo-shqiptare me “non grata”!

Klani Mustafa, i shantazhuar nga PDK-ja, pengoi lidershipin e LDK-së për bashkëpunim me LVV-në, edhe pse këtë e kërkonte dhe vazhdon ta kërkojë anëtarësia, strukturat e partisë, elektorati i gjerë, shqiptarët vendorë dhe ata të përbotshëm. Ishte shansi i shumëpritur që të fillonte spastrimi paqësor i skenës politike, rrast i helmuar. Megjithatë, nëse një shans i humbur, mjaft i kushtueshëm, duhet provuar të shfrytëzohet një shans tjetër. Nuk ka alternativë të dytë, përveç bashkëqeverisjes së dy partive të vetme të pa inkriminuara, siç janë LDK-ja dhe LVV-ja. Para së gjithash, kjo është jo vetëm e shëndetshme, por edhe shpëtimtare për Kosovën. Mjaft më me arnime qeverish!

IV. Ramush Haradinaj, duke iu referuar listës numër 129, flet për “përfaqësues të guximshëm”. Kjo relativizohet si narrativë reale përmbajtësore, por, në fakt, është strategji për të kompensuar hendekun e madh që partitë minore kanë ndaj partive kryesore, në garën e tyre modeste të 28 dhjetorit.

Ndoshta trimërohet në garimin si subjekt politik i vetëm, me listën e partisë me 110 kandidatë. Dhe ky vendim meriton vlerësim, aq më tepër kur disa e vënë në dyshim kalimin e pragut zgjedhor të AAK-së. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për pushtetin lokal, kuota ligjore për përfaqësim në parlament nuk besoj të hamendësohet. Fundja, komandantët janë të pasur dhe “bëjnë hall”!

Vërtet, “Kosova s’ka nevojë për përfaqësues që i qëndrojnë vendit në krah në çdo rrethanë”. Por abuzimi i skajshëm e demanton këtë pretendim përkushtues. “Qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik”, – moralizon Ramushi.

E gjithë kjo relativizohet, sepse shantazhimi individual dhe grupor, në rastin e Çakorrit, Kullës dhe përtej, nuk rezulton të jetë mbrojtur interesi publik dhe as ai shtetëror. Edhe qeverisja ka qenë shumë abuzive, me një administratë të fryrë, qesharake dhe skandaloze, në raport me një mini-shtet siç është Kosova.

Çështja e veteranëve masivë të rrejshëm është një plagë e një hajnie zyrtare, madje nga më të mëdhatë në historinë e pasluftërave botërore. Për herë të parë ndodh në historinë e njerëzimit që të pajtohen të gjitha qeveritë, plus pozitë e opozitë, për ta vjedhur e zhvatur shtetin, “sikur të ishte mall shkau”, siç shprehet populli! Dhe pikërisht kryetari i AAK-së vazhdon ta pengojë ndërprerjen e kësaj gjakderdhjeje financiare, natyrshëm me “përfaqësues të guximshëm” të tij, përfshirë OVL-në dhe subjektet politike në përbërje të akronimit “PAN”!

Për 45.500 veteranët e rrejshëm llogaritet të jenë abuzuar nga buxheti shtetëror 206 milionë euro, deri në qershor të këtij viti! Një makro-hajni zyrtare dhe një makro-turp kombëtar! E dhimbshme, por logjike: “më pak do të na kushtonin ndoca grupe mercenarësh”, siç pati deklaruar, zemërplasur për zhvatjen e parasë së shtetit, ministri i Financave, Hekuran Murati. Ndoshta, të paktën, do të kishim ndoca masakra më pak.

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, me numër liste 122, mendoj se nuk duhej ta provonte fare kandidimin si subjekt, pa i sqaruar ca “telashe” me DASH-in amerikan. Sikur nuk po besojnë as në përvjetorin e “pafajësisë”, të përkujtuar bujshëm këtë vit! Madje edhe vendorët janë dyshues dhe nuk i hapin derë atij. Kërkon ende ulje të pragut zgjedhor, siç rrëfeu Albini. Vërtet, duhet parë ngritja e tij dhe suprimimi edhe i disa mini-komunave, në veçanti ato të pakicave, ku përgjatë këtij çerek-shekulli goxha shumë ka rënë popullsia. Barrë e rëndë për buxhetin e brishtë të Kosovës sonë hallemadhe!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".