Një shekull Kosova dhe populli i saj kërkuan liri dhe demokraci
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Një shekull Kosova dhe populli i saj kërkuan liri dhe demokraci. Një shekull Kosova kërkoi identitet kombëtar, barazi, arsim e kulturë, shkollim dhe transformim, informim të drejtë pa censurë. Një shekull Kosova kërkoi të drejtën për të votuar lirshëm dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e vet. Një shekull Kosova kërkoi pluralizëm, përmes të cilit përcaktohen vlerat intelektuale, shkencore dhe kombëtare.
Çfarë po ndodh tani?
Pasi e fituam lirinë, pavarësinë dhe përkrahjen e shteteve mike dhe demokratike, një shtresë individësh “Në emër të demokracisë”, në emër të lirisë dhe të shprehjes së mendimit të lirë po kërkojn anarki. Sot, “Në emër të demokracisë” – një vlerë që përcaktohet nga vota e lirë e popullit për të vendosur se kush duhet të udhëheqë institucionet e shtetit – dalin individë dhe rryma të ndryshme që kanë probleme me vetveten dhe që kanë humbur rrugën e jetës, duke i bërë thirrje partive opozitare që të mos pranojnë rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 28 Dhjetorit. “Në emër të demokracisë”, këta njerëz me mendësi primitive dhe defekte patologjike përpiqen ta nxisin popullin për të krijuar kaos në shoqëri. “Në emër të demokracisë” u themeluan qindra portale, gazeta dhe televizione private, përmes të cilave individë të caktuar, të mbështjellë me petkun e pseudoanalistëve, guxojnë të fyjnë Presidenten e Kosovës, duke i dhënë epitetin “notere” të Qeverisë, apo të shajnë Kryeministrin. “Në emër të demokracisë” dhe lirisë së shprehjes, këta pseudoanalistë pa asnjë kriter profesional marrin guxim të quajnë Kryeministrin e vendit “kriminel” apo kërkojn permes rrugëve ta largojn nga pushteti. “Në emër të demokracisë”, lideri “partiak” me gjashtë deputetë kërkon me ngulm të bëhet Kryeministër apo President. “Në emër të demokracisë”, individë dhe rryma të caktuara kërkojnë bashkëpunim me klubet apo partitë serbe, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. “Në emër të demokracisë”, klanet dhe individët politikë bëjnë përpjekje që me çdo kusht të pengojnë zgjedhjen e Presidentes apo Presidentit, duke krijuar kaos dhe destabilizim në Kosovë. Ka ardhur koha që institucionet përkatëse dhe përgjegjëse, të cilat janë themeluar për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë, të veprojnë kundër këtyre elementeve destruktive, të cilët me vite kanë shkelur dhe tejkaluar të gjitha normat e rendit demokratik të një shteti. Po të kishte fare vetëdije morale, dinjitet njerëzor dhe integritet, këta njerëz që po shfaqen me shpifje të ndryshme pas rezultatit të votimit të qytetarëve do të duhej të turpëroheshin për dështimet dhe fallet e tyre për ta destabilizuar shoqërinë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
