AKTUALITETI POLITIK: MOMENTI PËR VETËDIJËSIM DHE PËRAFRIM TË QËNDRIMEVE
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Po jetojmë në kohën e turbulencave më dramatike të politikës ndërkombëtare globale, ku fati dhe siguria e Botës janë të paqarta. Asnjëherë më parë Bota nuk ka qenë më pranë rrezikut të shpërthimit të konflikteve dhe luftërave me përmasa katastrofale. Këto rrethana, siç duket, nuk po u bëjnë përshtypje partive politike dhe strukturave të caktuara, në krye me liderë dhe klane të parapolitikës, të cilët po e helmojnë dhe po e rrezikojnë unitetin e popullit. Ende pa u konstituuar Parlamenti dhe Qeveria, individë të caktuar – të cilët fatkeqësisht prej vitesh merren me logjistikë destruktive në dëm të Kosovës – kanë hapur temën për ta bllokuar rizgjedhjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani. Nuk ka dilemë se në këtë moment të ndjeshëm, znj. Osmani është zgjidhja më e duhur që i duhet Kosovës, në këto rrethana të paqëndrueshmërisë politike në Ballkan, Evropë dhe më gjerë. Tendencat, inatet dhe kalkulimet e grupeve të caktuara që prononcohen përmes partive politike dhe te disa mjeteve te informimit janë zërat më të dëmshëm, të cilët e godasin drejtpërdrejt diplomacinë dhe imazhin e Republikës së Kosovës.
Gjatë mandatit të saj, znj. Vjosa Osmani, si Presidente e Kosovës, tregoi lidership të vërtetë, vizion dhe parimësi, duke përfaqësuar një shtet që ka vuajtur për shekuj nga dhuna dhe pushtimi autoritar. Duhet pranuar se Presidentja e Kosovës ishte ndër figurat më të respektuara shtetërore në arenën ndërkombëtare, e ftuar në samite të rëndësishme, nga Ballkani e deri te institucionet më të larta të Kombeve të Bashkuara. Ndërtimi i një profili të tillë shtetëror dhe diplomatik kërkon së paku një dekadë angazhim serioz në diplomaci. Sot, kur Bashkimi Evropian ndodhet në një udhëkryq historik për shkak të rrethanave të reja që po diktojnë një rend të ri Botëror, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vjosa Osmani mbetet figura e vetme politike që ka ndërtuar raporte të qëndrueshme miqësore dhe diplomatike, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta edhe me Shtëpinë e Bardhë dhe Presidentin Trump. Njëherë e përgjithmonë, politika primitive e Shqiptarëve, përkatësisht e partive politike në Kosovë, duhet të ndryshojë në interes të vendit dhe të popullit. Institucionet nuk ndërtohen me teke dhe inate, me hakmarrje e xhelozi, të cilat po ia zënë frymën shoqërisë kosovare. Andaj, në momentin kur pritet zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të Republikës së Kosovës, kushdo që e pengon apo e bllokon zgjedhjen e znj. Vjosa Osmani, nuk ka asnjë dyshim se nuk ia do të mirën Kosovës dhe se me vetëdije vepron kundër interesit të këtij populli. Është nder dhe krenari për Kosovën që gjatë mandatit pesëvjeçar, në krye të shtetit, pati një figurë si Vjosa Osmani. Boll më me intriga, hile dhe konspiracione që po e dëmtojnë të ardhmen tonë dhe të gjeneratave që vijnë pas nesh.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
