
Lexoni edhe:
Vjosa Osmani do t’i kthehet politikës nëse partitë nuk e votojnë edhe për një mandat presidente të vendit
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Fillimisht dua të them se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka legjitimitet politik për të arritur marrëveshje me partitë e tjera. Ajo është presidente në përfundim të mandatit dhe nuk është kryetare e asnjë partie politike. Këtë legjitimitet për ta zgjedhur Presidentin apo Presidenten e Republikës së Kosovës e kanë deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës; në këtë rast, me një shumicë prej 80 deputetësh duhet të bien dakord për zgjedhjen e presidentit apo presidentes, qoftë ajo edhe Presidentja aktuale Vjosa Osmani.
-Unë mendoj se gjërat nuk duhet t’i mbesin stuhisë politike se ndoshta x (iks) apo y (ypsilon) deputet rri në sallë kur votohet Presidenti apo Presidentja e Republikës së Kosovës. Po ashtu, duhet t’i jepet fund pazarit me deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës pa një marrëveshje politike në mes të partive politike për zgjedhjen e Presidentit. Republika e Kosovës ka mjaft emra intelektualësh dhe politikanësh, si në Republikën e Kosovës po ashtu edhe në mërgatë, që do ta kryenin këtë përgjegjësi të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në mënyrë dinjitoze.
Zgjedhja e Presidentit apo Presidentes mund të bëhet në dy mënyra:
a. Nëse VV e bën një koalicion me njërën nga dy partitë e dyta apo të treta, ku në këtë rast bëhen 80 deputetë që e përkrahin zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes së Kosovës.
b. Nëse partitë politike bien dakord për përkrahjen e një kandidati konsensual, i cili është i pranueshëm për së paku 80 deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, edhe pa ndonjë marrëveshje politike për të qeverisur. Ne nuk e kemi luksin që, për shkak të zgjedhjes së një Presidenti apo Presidenteje, të shkohet në zgjedhje. Partitë duhet të ulen dhe të bisedojnë me njëra-tjetrën dhe ta gjejnë kandidatin konsensual, i cili do ta përfaqësojë në mënyrë dinjitoze Republikën e Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".