
Lexoni edhe:
Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Duke parë Presidenten Vjosa Osmani dhe veprimtarinë shumë produktive të saj si presidente e vendit gjatë këtij mandati, nuk do të ishte e ndërgjegjshme që ajo të vihet në diskutim edhe për një mandat të dytë. Ajo i shërbeu vendit në mënyrë dinjitoze me diplomacinë e saj, duke u takuar me shtetarët më të lartë në Evropë dhe në Amerikë, duke mbajtur lart agjendën e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik
Lexoni edhe:
-Pruni katër njohje deri më tash dhe sigurisht se ka merita të mëdha që të zgjidhet edhe për një mandat tjetër. Unë, pa qenë fare subjektiv, zonjën Osmani e shoh si personin e duhur për t’i avancuar proceset jo të lehta që i kemi përpara në arenën ndërkombëtare, së bashku me miqtë tanë evropianë dhe veçmas me Amerikën mike. Ajo kishte pasur një sërë takimesh me zyrtarët e lartë të Amerikës dhe me vetë presidentin Donald Trump, e po ashtu edhe me zyrtarë të lartë të BE-së. Presidentja Osmani është pa dyshim personi që nuk do të ishte dashur të diskutohej, e them edhe atë se është e pakonkurrencë si diplomate me një karrierë të bujshme dhe produktive, si presidente e të gjithë qytetarëve të vendit. Partitë politike opozitare nuk do të ishte dashur të shërbeheshin me inate apo interesa të ngushta partiake që të mos e votojnë zonjën Osmani edhe për një mandat. Asnjë kandidat konsensual nuk ka mundësi të zëvendësojë aftësitë si politikane dhe intelektuale që i posedon presidentja. E zgjuar, e ditur, komunikuese dhe shumë frytdhënëse në të gjitha takimet diplomatike që i ka pasur, dhe do të ishte mëkati dhe dëmi më i madh që do t’i bëhej Kosovës nga ata që nuk e votojnë apo abstenojnë në Kuvendin e Kosovës. Matematikat dihet se cilat janë për zgjedhjen e presidentes nëse zbatohet ligjshmëria dhe Kushtetuta e vendit. Nëse nuk shprehet gatishmëria e bllokut opozitar për ta votuar Vjosën në dy raundet e para me 80 vota të nevojshme, mund të zgjidhet në raundin e tretë me 61 vota të LVV-së dhe të minoriteteve joserbe.
Për të mirën e vendit, që e presin procese të vështira dhe vazhdimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve që po kërkohet me Serbinë, nuk do të ishte dashur që zgjedhja e saj të diskutohej. Ishin shumë pozitive deklarimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili fill pas fitores së madhe të LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, i ftoi për bashkëpunim opozitën LDK në koalicion, dhe gjithashtu deklarimi tjetër për zgjedhjen e Osmanit, duke thënë se njëherë janë përpara formimi i organeve të pushtetit. Për të mirën e partive opozitare dhe liderëve të tyre, do të ishte vota unanime për Vjosën, kur dihet që Kosovën po e presin 400 milionë euro nga BE-ja, e cila ka filluar me heqjen e masave të padrejta ekonomike. Dhe këtë secili politikan serioz do të ishte dashur ta kishte parasysh, përpos punëve të tjera madhore që e presin vendin. Do të ishte katastrofale nëse dikush mendon të vazhdojë me lojëra politike edhe këtë vit. Kjo së pari nuk do t’u falej nga qytetarët dhe do të ishte shumë joserioze e antishtetërore. Kosovës i nevojitet zhvillimi, paqja dhe integrimet në strukturat e BE-së dhe në NATO, kur dihet se çfarë zhvillimesh me vatra lufte kemi sot në botë. Nuk ka gjë më të tmerrshme se vendin e diturisë politike dhe intelektuale ta zërë budallallëku. Vjosa ka përmendur se nëse rastësisht nuk do të jetë presidente, do t’i kthehet jetës politike partiake, dhe opozita të mos mendojë se nëse shkohet në zgjedhje të tjera nuk do të humbasë me rezultate edhe më të larta nga LVV dhe Lista Guxo. Obstruksionet e gjata politike në fundvitin e kaluar u kushtuan shumë shtrenjtë me humbje të thellë, dhe obstruksionet eventuale të reja do t’u kushtojnë edhe më shumë. Vendit i duhet uniteti politik, sidomos kur bëhet fjalë për tema madhore. Këtu nuk do të ishte dashur të gabohej në asnjë mënyrë. Edhe një mandat për presidenten Vjosa Osmani do të thotë shumë për Kosovën dhe të ardhmen e saj, veçmas në arenën ndërkombëtare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".