E konstaton analisti: Në thellësinë e humbjes ndikoi autogoli i bërë nga opozita
Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Fitorja spektakolare e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nga LVV me aleatët Guxo dhe PSHDK, shënon gjendje SOS për opozitën e djeshme dhe të sotme të Kosovës. Në thellësinë e humbjes ndikoi autogoli i bërë nga opozita. Lidershipi i këtyre subjekteve, verbërisht, marshonte drejt humbjes. Një rol të poshtër e kriminal luajti propaganda shpifëse, rrenacake dhe rrugaçërore e mediave mercenare. Kjo lukuni çakejsh mediatikë garantonte humbjen e LVV-së dhe fitoren e opozitës së bashkuar.
-Historia na dëshmon se e ardhmja u përket reformatorëve. Kosova ishte e ngulfatur nga vrasësit, hajnat zyrtarë dhe ata që i mbronin ata. Historia e thënë dhe e shkruar ishte e glorifikuar dhe falsifikuar keqas e marrëzisht. Kështu kishte ndodhur edhe me historinë e Shqipërisë të epokës së zezë të agjentit serbo-rus Enver Hoxha. Rishikimi i historisë, i bërë në pluralizëm e demokraci, vuri në vend nderin e popullit dhe të veprimtarëve kombëtarë të vërtetë.
Është e natyrshme që preferencat e votuesve do të jenë me partinë fituese, përkatësisht LVV-në dhe aleatët e saj Guxo, Alternativa dhe PSHDK, deri atëherë kur ndonjë subjekt tjetër politik do të dëshmohet më i mirë se sa koalicioni i cituar më lart.
Diferenca e fituesit është frustruese për opozitën. Distanca, në lartësinë e saj, është tmerruese për humbësit e 28 dhjetorit. Historia, kjo mësuese e madhe e njerëzimit, na mëson se kanë rënë mbretër dhe perandori të famshme botërore. Por edhe parti me plot lavdi të dikurshme, me kohë janë pëgjumur dhe degraduar, deri në prag të fundosjes.
Shëmbullojmë:
Profesor Dr. Sali Berisha, lider i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PDSH), me rininë studentore rrëzoi komunizmin më 22 mars 1992, mori pushtetin dhe i zotëroi tri postet kryesore shtetërore. E humbi pushtetin, kur agjentët e Serbisë dhe të Rusisë organizuan “Piramidat”, në koordinim me Partinë Socialiste (PS), rebeluan popullin në protesta vandaliste dhe e bënë përkalljen e Shqipërisë, pa kursyer as shkollat dhe bibliotekat. Më 1997, Dr. Berisha, me partinë e tij, humbi pushtetin dhunshëm nga bandat e kuqe enveriste. Pas dy mandateve në opozitë, më 2005, sërish u kthye në pushtet, duke qeverisur dy mandate radhazi të plota.
Por ka një ndryshim “të vogël”, krahasuar me opozitën aktuale të Kosovës. Profesor Berisha, me partinë e tij, ishte i pacenë, sepse nuk kishte bërë vepra penalizuese, ngaqë kishte ardhur në pushtet me votë demokratike; nuk kishte përgjakur kundërshtarët politikë; nuk kishte abuzuar me pushtetin kur ishte në qeverisje; nuk kishte banda për të vjelë haraç; nuk kishte bërë kontrabandë; nuk kishte flirtuar me Serbinë, në dëm të Kosovës.
Solla këtë shembull të jetuar nga historia politike e Shqipërisë për të dhënë shpresë e vullnet se, me punë të ndershme e qëllimmirë, gjithçka mund të arrihet, madje edhe kthimi i sërishëm në pushtet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
