
Lexoni edhe:
Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Pasi dolën parregullsi dhe shpërputhje të mëdha të votave të kandidatëve brenda sojit të njëjtë (partisë apo koalicionit) pas rinumërimit të pjesshëm, nuk ka asnjë lloj justifikimi që të mos bëhet rinumërim i plotë dhe hetim i thelluar i tërë procesit zgjedhor. Disa kandidatëve po u shtohen votat, e disa të tjerëve u zhduken brenda ditës, pa u marrë ende një vendim për rinumërim të plotë!
Kosova është e lodhur nga kryeneqësia dhe egoizmi i politikanëve tanë
Lexoni edhe:
-KQZ-ja, pa humbur kohë, duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve për rinumërim të plotë. Në të kundërtën, përveç zvarritjes së procesit me qëllim të shmangies së zbulimit të manipulimeve më të mëdha, mund të prodhojë destabilitet politik dhe rrezikim të dështimit të tërë procesit zgjedhor!
KQZ-ja, nëse e ka vullnetin e mirë dhe duart e lira, disponon të gjithë mekanizmat për të identifikuar shkelësit, përkatësisht vjedhësit dhe përfituesit e votës së vjedhur, sikurse që i identifikon të dëmtuarit nga ky proces i rinumërimit zgjedhor!
Gjithmonë ka pasur deputetë të kontrabanduar nga vota e vjedhur dhe kandidatë për deputetë me votat e qytetarëve që kanë mbetur jashtë Kuvendit!
Mirëpo tani, fenomeni i vjedhjes së votës së kandidatëve për deputetë brenda sojit (partisë) është kthyer në sindromë të përhapur në të gjitha partitë, madje ka marrë përmasa alarmante!
Edhe në zgjedhjet paraprake janë bërë deputetë nga afërsia me shefat e partisë dhe me blerje votash!
Në rastin e tanishëm të zbardhjes së abuzuesve me votën e lirë, drejtësia duhet ta bëjë punën e saj duke u dhënë dënime meritore jo vetëm komisionerëve të shitur, por edhe bosëve të partive dhe kandidatëve që kanë blerë vota nën “tavolinë”!
Nga procesi i rinumërimit të votave dolën në sipërfaqe dy të këqija të mëdha për vendin: humbja e besimit te qytetarët dhe delegjitimimi i procesit zgjedhor!
Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një të mirë mbrapa!
Hajnat brenda sojit dolën lakuriq para popullit!
Këtij të fundit (popullit) i mbetet të ndërgjegjësohet për zgjedhjet e radhës!
Kurse drejtësisë i mbetet të veprojë në ndëshkimin e hajnisë së organizuar brenda sojit!
Nuk guxojmë të rrëshqasim në gabimin fillestar se kush ka vjedhur më shumë e kush më pak, por t’i luftojmë hajnat njëjtë, si për 1 votë ashtu edhe për 100 vota të vjedhura, sikurse që duhet të ndëshkohen kandidatët për deputetë me vota të vjedhura me moscertifikim në Kuvend! Hajnia e vogël apo e madhe e ka emrin e njëjtë!
Andaj, secila votë e ka vlerën e njëjtë, sikurse ajo e partisë numerikisht më të madhe apo e asaj më të vogël!
Përgjegjësia duhet të jetë e njëjtë për secilën votë!
Pra, në burg duhet të përfundojë secili që ka vjedhur apo manipuluar me votën e lirë, pa përjashtim dhe pa diskriminim pozitiv!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".