Problemet e brendshme qe i krijoj politika barre e rende per Kosoven!...
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Jemi dëshmitarë të kohës në të cilën po jetojmë se shoqëria Kosovare vazhdon të përballet me probleme të pazgjidhura që nga çlirimi i Kosovës e këndej. Një prej defekteve më të theksuara dhe më të dëmshme që po e bart mbi supe Republika e Kosovës është niveli i ulët i vetëdijes së ulët të njerëzve të cilët janë rreshtuar në të ashtuquajturat parti politike, e të cilët si synim dhe kauzë kryesore kanë luftën për pushtet dhe përfitimin materialo financiar me çdo kusht, pa i përmbushur standardet elementare të një sistemi pluralist që pretendohet se është demokraci liberale me vlera evropiane.
Pak kush nga ata që e morën në duar fatin e Kosovës u angazhuan apo kontribuan në mënyrë të sinqertë për ndërtimin e një shoqërie të avancuar, me vlera që i kërkon koha në të cilën jetojmë. Në vend të avancimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit, duke lënë anash interesat e ngushta partiake, familjare e farefisnore, për fat të keq Kosova u nda në “zona” interesi partiak, regjional e krahinor, deri te fisi i “bajraktarëve”. Kjo mendësi jo e ndershme dhe jo morale, duke shkelur mbi djersën dhe mundin e njerëzve që me dekada dhanë gjithçka për Kosovën, arriti të krijojë klasa të padrejta në shoqërinë Kosovare, duke u pasuruar në mënyra të ndryshme abuzive. Andaj, fenomenet që shpërthyen këto ditë me keqpërdorimin e votës së popullit janë vazhdimësi e veprimeve të ngjashme që nga paslufta, me qëllim për t’u bërë pjesë e institucioneve të shtetit. Pothuajse në të gjitha zgjedhjet në Kosovë janë bërë keqpërdorime brenda partive politike, duke u manipuluar vullneti i qytetarëve për të mbajtur në skenë figura tashmë të njohura, të cilat prej vitesh janë pjesë e Parlamentit. Në çfarë gjendje është niveli i politikbërjes e pamë edhe përmes bllokadave ndaj konstituimit të institucioneve të shtetit. Nuk ka dyshim se këto tendenca burojnë nga grupe të ngushta, të dala nga klanet e partive politike, të cilat janë pasuruar dhe tash kanë vështirësi t’i menaxhojnë pronat dhe kapitalin e krijuar pa justifikim ligjor, moral dhe njerëzor. Një tjetër barrë e rëndë për shoqërinë Kosovare mbetet statusi i pazgjidhur dhe aferat me veteranët e luftës. Ky problem, që po zhagitet prej vitesh nga një gjykatë në tjetrën, përveç dëmeve të mëdha materialo-financiare për buxhetin e Kosovës, ka lënë njollë serioze në imazhin e shtetit. Mendësia për të përfituar përmes rrugëve jo ligjore, jo parimore, jo morale e jo njerëzore, duke e shfrytëzuar djersën e atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, është mëkati më i madh i individit që me “paratë e haramit” ushqen fëmijët dhe familjen e vet. Andaj po dëshmojmë se nuk jemi të sinqertë, nuk jemi të drejtë dhe nuk jemi të një mendjeje për ta ndarë “shapin nga sheqeri”, siç thotë populli. Vetëm me sinqeritet dhe drejtësi mund të ecim përpara. Kjo, fatkeqësisht, nuk po ndodh. Këto dhe shumë dukuri të tjera, të grumbulluara me vite nga faktorë të brendshëm, po e dëmtojnë dhe po e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj. Nuk ka shoqëri dhe shtet në Botë që nuk i nënshtrohet ligjit dhe përgjegjësisë për veprimin dhe punën që paguhet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
