Elitat, Epstein dhe pornografia sociale: kush mban përgjegjësi atje në maje?
Gezim Mekuli
Shkruan: Gëzim Mekuli
Norvegjia po kalon një moment të pakëndshëm, por të nevojshëm. Jo sepse një princeshë është përmendur në dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein. Jo sepse djali i saj po përballet me gjykatën për akuza të rënda përdhunimi. Por sepse këto raste po e detyrojnë shoqërinë norvegjeze të bëjë një pyetje që zakonisht shmanget: a vlejnë të njëjtat standarde morale për të gjithë ne?
Princesha e Kurorës norvegjeze, Mette-Marit, nuk është një qytetare e zakonshme. Ajo është Zojë e rëndë, simbol i shtetit. Pikërisht për këtë arsye, mediat norvegjeze nuk po mjaftohen me arsyetimin e saj "nuk e dija", "Gjykova dobët". Sepse Jeffrey Epstein nuk ishte një emër i panjohur. Prej vitesh ai ishte i njohur si figurë problematike, i dënuar, i përfolur. Thjeshtë i rrezikshëm.
Kurë një figurë mbretërore zgjedhë të hyjë në rrethin e tij shoqëror, problemi nuk është sall ligjor; është edhe etik.
Dhe etika nuk matet vetëm me qëllime, por me gjykim.
Kjo çështje merr peshë edhe më të madhe sot, kur djali i Mette-Marit ndodhet përballë drejtësisë për akuza që përfshijnë dhunë seksuale dhe përdorim të narkotikëve. Gjykata do të vendosë për fajësinë, por kombi norvegjez ka të drejtë të pyesë: a e rritë elitizmi ndjesinë e pandëshkueshmërisë? A mësohen disa njerëz "elitarë" që kufijtë janë elastikë, sepse sistemi gjithmonë do t’i kuptojë?
Kjo nuk është vetëm një histori familjare; është histori pushteti.
E Norvegjia po e trajton këtë debat me seriozitet. Politikanë kanë folur hapur për "gjykim të dobët" të Mette-Marit. Edhe Media po kërkon transparencë, por ama askush nuk po bërtet e as nuk po çjerret; dhe askush prej mediave norvegjeze nuk po heshtë. Dhe ky është dallimi mes një shoqërie që përpiqet të ruajë standarde dhe një tjetre që i heshtë dhe i relativizon të zezat.
Për publikun shqiptar, kjo histori duhet të tingëllojë e njohur, apo jo?
Edhe në Tiranë e Prishtinë politika dhe media flet për moral, familje dhe vlera, ndërsa mbron elitat nga përgjegjësia. Edhe në shoqërinë shqiptare gabimet e të fuqishmëve quhen "lapsuse", ndërsa gabimet e shqiptarit të zakonshëm quhen "krime". Ndryshon sistemi; monarki atje, republikë këtu, por logjika është, thuaja, e njëjtë: morali zbatohet poshtë, jo lart.
Ndërkohë, çfarë bën media shqiptare?
Në vend që të ushtrojë presion etik mbi pushtetin, ajo zgjedh rrugën më të lehtë: pornografinë sociale. Bigbrother, Reality show, ekspozim ekstrem i jetës private, dhuna e paketuar si argëtim. Një përzierje e rrezikshme mes zbavitjes dhe shpërlarjes së trurit.
Në këtë mënyrë publiku shqiptar mësohet të shohë gjithçka, të ndjejë pak dhe të pyesë edhe më pak.
Kjo nuk është rastësi; është mekanizëm, është plan. Sepse sa më shumë normalizohet dekadenca në ekran, aq më pak vëmendje ka për dekadencën reale të elitave pushtetare.
Prandaj rasti i princeshës norvegjeze, Mette-Marit nuk është thjeshtë sall skandal nordik; është një lloj pasqyre. Na tregon çfarë ndodh kur elitat politike, ekonomike dhe akademike mbrohen nga simbolika, kur media shpërqendron, manipulon dhe kur morali kthehet në sllogan, jo në standard.
E pyetja që mbetet nuk është vetëm për Norvegjinë. Është për të gjithë ne shqiptarët:
a duam shtet ku pushteti arsyetohet dhe qytetari i shkretë gjykohet?
Apo një shoqëri ku përgjegjësia morale fillon që nga maja?
Sepse nëse morali nuk vlen për ata që kanë më shumë pushtet e lek, atëherë ai nuk është moral; është thjeshtë propagandë.
Konsekuent deri në fund: Nëse elitat jetojnë pa përgjegjësi, mediat shpërndajnë pornografi sociale dhe politika na shet moral për konsum publik, kush dreqin po na sundon realisht: ligji apo hipokrizia?
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
