Prenka: Ndaç në pako, ndaç pa pako – nënkryetar edhe Slavko…
Zef Prenka
Shkruan: Zef Prenka
Politika kosovare po hyn në një fazë ku parimet e shpallura me zë të lartë po përballen me realitetin e ftohtë të numrave dhe pazareve parlamentare. Dhe pikërisht aty lind paradoksi: si është e mundur që një figurë si Slavko Simiç – i perceptuar gjerësisht si bashkëpunëtor i ngushtë i strukturave politike që kanë kontestuar shtetësinë e Kosovës – të zgjidhet nënkryetar i atij Parlamenti që vetë nuk e njeh si legjitim në thelb? Simiç nuk është thjesht një deputet i një komuniteti. Ai përfaqëson një linjë politike që historikisht ka sabotuar funksionimin e institucioneve të Kosovës, ka bojkotuar simbolet shtetërore dhe ka refuzuar integrimin real në rendin kushtetues. Në këtë kontekst, ngritja e tij në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk është një akt teknik, por një mesazh politik.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur kjo ndodh në kohën e një qeverie që erdhi në pushtet me retorikë të fortë kundër kapjes së shtetit, kundër strukturave paralele dhe kundër çdo kompromisi që cenon sovranitetin. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ndërtuan kapitalin e tyre politik mbi premtimin për dinjitet shtetëror, barazi para ligjit dhe zero tolerancë ndaj atyre që e minojnë Republikën nga brenda. Sot, shumëkush pyet: a ishte e gjitha kjo retorikë vetëm për fushatë? A ranë në fund të pusit të gjitha krekosjet politike kur u përballën me matematikën e votave dhe presionet ndërkombëtare? Nëse dikur kompromiset quheshin tradhti, çfarë quhen sot?
Natyrisht, dikush mund të argumentojë se përfshirja e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës është pjesë e obligimeve kushtetuese dhe e modelit multietnik të shtetit. Dhe kjo është e vërtetë. Por dallimi qëndron mes përfaqësimit dhe legjitimimit politik. Mes integrimit real dhe përdorimit formal të pozitave për të ruajtur ndikime që nuk janë në shërbim të Republikës.Problemi nuk është vetëm te Slavko Simiç si individ. Problemi është te standardi. Te ajo vijë e kuqe që dikur shpallej e panegociueshme, ndërsa sot duket më elastike. Kur pushteti e relativizon atë që dikur e quante të papranueshme, atëherë zhgënjimi qytetar është i pashmangshëm.
E populli? Po, populli shpesh “e ha karremin”, siç thuhet rëndom. Por edhe populli mëson. Në politikë, memoria mund të jetë e shkurtër, por nuk është zero. Çdo kontradiktë grumbullohet. Çdo standard i dyfishtë regjistrohet.
Në fund, mbetet pyetja thelbësore: a po ndërtohet një shtet mbi parime të qëndrueshme, apo mbi kompromise të momentit? Sepse nënkryetarët ndërrohen, qeveritë bien, por standardet – kur bien – e dëmtojnë shumë më gjatë vetë themelet e shtetit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
