Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar dialogun me plotësimin e tri kushteve bazë
Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e entuziazmuar nga "lëshimi pe" i kryeministrit, Albin Kurti, në implementimin e Ligjit për të Huajt, si dhe ligjit për automjetet, i bërë në koordinim me BE-në, duke veçuar në favorizim komunitetin serb, ka shtuar oreksin më tej teknicitetit. Dhe, shpërfaq idenë se "është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, përkatësisht, dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit".
Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar dialogun me plotësimin e tri kushteve bazë, veç tjerave anësore:
-Tërheqjen e deklaratës-letër të vitit 2023 të kryeministres Brnabiq, e cila nuk pranon pikat që kanë të bëjnë me njohjen e shtetit të Kosovës;
Dorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq, me bandën e tij kriminale, për t’u gjykuar në vendin e krimit, pra, në Kosovë;
Të bëhet njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Vjosë Osmani ka përjashtuar vazhdimin e dialogut me Serbinë, sepse e ka provuar për dy dekada dhe ka rezultuar i dështuar, duke mbajtur peng Kosovën, edhe pse ajo e ka shpallur pavarësinë, tashmë të njohur ndërkombëtarisht. Ajo ngulmon që Kosova mund të dialogojë me BE-në, përkatësisht, shtetet e Quint-it, të udhëhequra nga SHBA.
Realisht, derisa Serbia nuk ka plotësuar asnjërin nga tri kushtet e kërkuara nga kryeministri Kurti, kompromisi për Ligjin për të Huajt është vetëm zgjidhje teknike, në kuadrin e standardeve evropiane, pa prekur thelbin e mosmarrëveshjeve politike.
Koncesionet e bëra nga Kurti u mirëpritën nga BE-ja, në veçanti shtetet e Quint-it, të cilat falënderuan kryeministrin Kurti. Për këtë pati reagime të shumta, madje edhe të bazuara, se Kurti "po i hanë ato qershitë", të përmendura në Kuvend nga deputetja veterane e PDK-së, Gania luftarake.
Megjithatë, në dukje është një petëz strategjik dhe perspektiv për ta vënë në agjendë integrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, që pa mëdyshje vazhdon të jetë një skandal unik: bërja hisedar në qeverisjen e vendit, qoftë edhe në një pjesë të tij, siç është veriu i Mitrovicës.
Një javë para pezullimit të Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, shefja aktuale e Ambasadës Amerikane, Annu Pratipati, e para e ngriti çështjen e integrimit të institucioneve të shëndetësisë dhe të arsimit. Për çudi, kjo u hesht dhe askush nuk foli për këtë çështje kaq jetike dhe të ngutshme për ta stopuar dhe integruar në sistemin shtetëror të Kosovës. Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta biseduar këtë çështje të brendshme shtetërore me një shtet tjetër, madje armik. Insistimi i BE-së, përmes përfaqësuesve të saj, që këto çështje të jenë pjesë e dialogut në Bruksel, është sa i padrejtë, aq edhe cinik. Kjo zvarritje për integrimin e arsimit dhe të shëndetësisë është heshtur nga pushtetarët e shantazhuar me dosje penalizuese, thjesht, vrasje të kundërshtarëve politikë.
Kuadrot me peshë në BE, në të shumtën e rasteve, mbetën të dyshuar në paanësinë e tyre. Kush më shumë dhe kush më pak, kanë qenë palë me Serbinë. Janë shquar në përkrahjen e Serbisë italiania Mogherini, spanjolli Borrell, sllovaku Lajçak...
Ligji për të Huajt është projekt evropian dhe Kosova, që aspiron anëtarësimin, duhet të koordinojë me Unionin Evropian, sepse rregullat dhe kriteret duhet mësuar dhe praktikuar paraprakisht. Për të drejtën e qëndrimit të studentëve të huaj, punëtorëve profesionalë, të kuadrove të botës akademike, duhet bazuar dhe përshtatur me praktikën dhe përvojën e shteteve ligjore evropiane.
Çështja e pajisjes me kartë identiteti (letërnjoftim) dhe të tjera dokumente të serbëve, të cilët posedojnë dokumente të strukturave paralele ilegale serbe, ndryshimi dhe zëvendësimi me dokumente të shtetit të Kosovës, i zgjatur për 12 muaj, duhej afatizuar, së shumti, në tre muaj. Sepse shumë nga dokumentacionet realizohen në komunat përkatëse. Ndërsa pasaportat dhe letërnjoftimet përgatiten në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Prishtinë. Rrjedhimisht, afati tremujor do të ishte i mjaftueshëm dhe do ta kishte seriozitetin e duhur shtetëror. Kujtoni zgjatjet në afate të heqjes nga qarkullimi të tabelave të makinave, të pajisura nga strukturat paralele ilegale të Serbisë, brenda territorit shtetëror të Kosovës.
Me lëshimet e veçanta, të bëra enkas dhe veçmas për komunitetin serb, ekziston rreziku të kthehen në heshtje paralelizmat, tashmë të larguara.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
