Nga data 6 mars kemi gjendje të jashtëzakonshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es

Nga data 6 mars kemi gjendje të jashtëzakonshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es
Nga data 6 mars kemi gjendje të jashtëzakonshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es

Xhevat Meha

  • 28 March 2026 - 07:45

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Pas dështimit të përzgjedhjes së Presidentit/es më 5 mars, kemi shpalljen e dekretit nga Presidentja për shpërndarjen e Kuvendit dhe kemi dërgimin nga VV të dy kërkesave në Kushtetuese, njëra për mosqëndrimin në sallë të deputetëve dhe tjetra për shfuqizimin e dekretit. Edhe unë po i jap të drejtë vetes që të paraqes mendimin tim.

 

-Nuk jam jurist, por kam pasur lëndë nga e drejta në studimet në Prishtinë e në Londër. Mirëpo, gjatë punës sime profesionale, sidomos në Londër, kam lexuar e interpretuar shumë ligje e akte të tjera juridike për të dhënë vlerësime juridike për klientë me qarkullime mujore qindra miliona e ndonjëherë miliarda funta. Ne japim mendimin e Gjykata Kushtetuese jep vendimin.

Në gjykimin tim, edhe afati 30-ditor, edhe afati 60-ditor kanë përfunduar më 5 mars. Nuk mundet afati 60-ditor të shkelë mbi afatin 30-ditor. Nisur nga kjo, nga data 6 mars kemi gjendje të jashtëzakonshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es. Nga data 4 prill, do të kemi përmbysje të rendit kushtetues; institucioni i Presidencës del nga funksioni si mandat kushtetues dhe do të funksionojë në bazë të përcaktimeve të tjera.

Presidenca, kushdo që të jetë, nuk ka rol ceremonial, siç shumë mendojnë. Neni 84.2 e bën Presidencën me detyrë dhe përgjegjësi që të sigurojë funksionimin e institucioneve. Dekretin e Presidencës, si pjesë e përgjegjësive që ka, e shoh si veprim për të siguruar funksionimin e institucionit të Presidencës.

Edhe vitin e kaluar kemi pasur përmbysje të rendit kushtetues. Kur Gjykata Kushtetuese përcaktoi afatin për krijimin e Kuvendit dhe ky afat u shkel, sa më kujtohet ka qenë muaji korrik, rendi kushtetues u përmbys. Presidentja, në vend se të ndërmerrte veprime të menjëhershme, ajo dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Do të duhej që të shpallte dekret me afat së paku 6-mujor për krijimin e Kuvendit, të cilin do ta udhëhiqte vetë. Kemi pasur deputetët e legjitimuar nga KQZ me mandat të plotë. Do të duhej të krijonte një organ administrativo-ekzekutiv nën drejtimin e saj që të kryente punët që normalisht i kryen qeveria. Kjo do të duhej të zgjaste deri në krijimin e kushteve të tjera politike, të cilat do të krijonin institucionet pa problem.

Nuk duhet lejuar që përmbysja e rendit të bëhet diçka e zakonshme. Kjo nuk bën të tolerohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".