Kushtetuesja e Kosovës 'pa dhëmbë', vendimi që nuk e zgjidhi krizën
Fadil Maloku
Nga Fadil Maloku
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Kuvendit edhe 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, duke mos konstatuar shkelje kushtetuese nga ana e Presidentes, por vetëm duke e cilësuar dekretin si “pa efekt juridik”, duket se do prodhoj një sërë efektesh e pasojash sociologjike. Ky vendim, në gjykimin tim sociologjik, nuk është thjesht vetëm një interpretim juridik, por është edhe një akt real sociopolitik që mund të lë pasoja të thella si në strukturën e rendit kushtetues ashtu edhe në kulturën tonë të përgjithshme politike të demokracisë.
Pse e themi kështu, shtrohet pyetja? Shkaku është shumë i thjeshtë: ky vendim, ashtu si pothuajse shumica e vendimeve të mëhershme të kësaj Gjykate, përveç efekteve të relativizimit të përgjegjësisë, pastaj normalizimit dhe familjarizimit me krizën, s’ bashku me fuqizimin e pasigurisë normative dhe sidomos kompromiset e detyruara institucionale, nuk e kanë pasur si imperativ asnjëherë të jenë vendime strikte decidive, pra të prera, në mënyrë që narrativat politike të privohen nga mundësia e interpretimeve subjektive. Përkundrazi, pothuajse gjitha ato kanë qenë vendime ekuilibrash të brishtë, që kanë manovruar kryesisht ndërmjet një lloj legaliteti formal dhe një legjitimitetit të zbutur shoqëror.
Thënë më troç, këto vendime, duke e zhvendosur sistemin politik jo drejt një modeli ku krizat që kërcënonin të shndërroheshin në kaose merrnin jo një epilog përfundimtar, por vetëm një përgjigje gjysmake e eufemiste që synonte vetëm menaxhimin e përkohshëm dhe kënaqjen e palëve që ishin futur në “kurthet” politike.
Andaj, gjykoj se sistemi gjyqësor në Republikën e Kosovës ka nevojë për një reformë të thellë, edhe për arsye se vendimet e saja me shumëkuptimësi fare s’po arrijnë ta rahatojnë as sistemin politik, e as atë juridik. E themi këtë sepse, nëse analizojmë secilin nga këto efekte, kuptojmë se ato nuk janë fare në përputhje me shkallën emancipuese të shoqërisë sonë.
Nëse i analizojmë ad hoc disa nga këto efekte apo reperkusione sociologjike, që mund të shfaqen së shpejti bashkë me pasojat që vështirë mund të rikuperohen në të ardhmen e Republikës, kuptojmë se kemi të drejtë në gjykimin tonë. Për shembull, kur identifikojmë efektin e relativizimit të përgjegjësisë institucionale, menjëherë na sgkon mendja se një vendim i tillë krijon një situatë hutie, pasi askund nuk identifikohet një “fajtor” apo një adresë e qartë dhe e saktë institucionale.
Në sociologjinë e institucioneve, një qasje e tillë jo decidive, ku kemi vetëm shpërndarje të përgjegjësisë (diffusion of responsibility), është e pritshme të prodhojë dobësim të mekanizmave të llogaridhënies dhe përgjegjësisë. Ky dobësim, pastaj duke mos qenë i adresuar në mënyrë taksative me “emër e mbiemër”, përveç konfuzionit që e shkakton dykuptimësia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, “delegon” edhe një mesazh tolerance për ripërsëritjen e situatave të ngërçeve identike, duke i privuar qytetarët e Kosovës nga e drejta për llogaridhënie të politikanëve.
Po ashtu, nëse marrim efektin e normalizimit të krizës, si sjellje apo si gjendje që vendimet trajtohen si “të menaxhueshme” dhe jo emergjente, atëherë krizat e përsëritura – sikurse ishte ngërçi absurd do na rikthehen me automatizëm në rutinë (routinization of crisis). Kjo gjë i shtyn qytetarët e Republikës së Kosovës drejt një indiference të çuditshme politike, por edhe drejt të një apatie inerte, të cilën një demokraci me gati tri dekada përvojë e ka të vështirë ta përballojë dhe ta kuptojë.
Këtë konstatim tonin sociologjik e përforcon edhe efekti i delegjitimitetit simbolik. Edhe pse nuk konstatohen shkelje kushtetuese, fakti që dekreti shpallet “pa efekt juridik” detyrimisht na krijon një dykuptimësi simbolike: në njërën anë, vendimi përpiqet ta ruajë formalisht legjitimitetin e institucionit të Presidentit/es, ndërsa në anën tjetër e dëmton perceptimin për kompetencën dhe autoritetin që institucioni i/e Presidentes Vjosa Osmani, e ka të garantuar! Absurd i llojit të vetë!
Ndërkaq, kulmimi i efekteve që mund të prodhojë ky vendim lidhet pikërisht edhe me formulimin se dekreti “nuk ka efekt juridik”! Ky formulim, pa një sanksionim të qartë, krijon paqartësi në interpretimin e normave juridike, hap hapësirë për interpretime selektive nga akterët (subjektet) politikë dhe rrit rrezikun për precedentë të paqëndrueshëm institucionalë. Për më tepër, vendimi saj mundëson, pa dashje, uljen e besimit në institucione që edhe ashtu janë ende të brishta, si edhe nxit afirmimin e cinizmit politik dhe rritjen e apatisë elektorale.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
