
Lexoni edhe:
Analisti e deshifron veprimtarinë e rrjetit shqipfolës serbo-rus në Kosovën e pasluftës
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Qysh dy vjet më parë, opozita destruktive ka lansuar idenë e zgjedhjeve për presidentin. Qëllimshëm donte bllokadën, për rrjedhojë zhbllokimin me zgjedhje të reja. Shpifjet korale, akuzat e poshtra e kriminale, nuk kanë rreshtur që kur krerët e LDK-së, të prirë nga Isa Mustafa, si argatë të Hashimit dhe të PDK-së së tij, filluan goditjet ndaj rugovistëve idealistë. Krimi në pushtet kishte prekur çdo qelizë të klasës politike dhe të shoqërisë kosovare. Ndryshimi ishte domosdoshmëri e kohës. Binomi Vjosa dhe Donika ishte i duhuri për ta nisur ndryshimin. LVV ishte rishtare në politikë, e pa inkriminuar, e pa shantazhuar dhe e gatshme për t’u angazhuar për ndryshimin e madh – largimin nga pushteti të krerëve pushtetarë e shtetërorë, të zhytur në krime vrastare, hajnore zyrtare dhe raste të shantazhuara nga Serbia dhe ndërkombëtarët.
Analisti e deshifron veprimtarinë e rrjetit shqipfolës serbo-rus në Kosovën e pasluftës
Lexoni edhe:
-Dr. Vjosë Osmani, me përgatitje supreme politike, diplomatike dhe intelektuale, e kompletuar, mençurisht u zgjodh në krye të shtetit – Presidente e Republikës së Kosovës. Këtë detyrë e ushtroi me dinjitet dhe parime, me integritet të plotë. Ajo dëshmoi se nuk ishte as "notere e Kurtit" dhe as "karrieriste". Përkundrazi, ajo shkëputi çdo lidhje partiake me LDK-në, LVV dhe, së fundi, edhe me partinë e themeluar dhe të pagëzuar nga ajo me emërtesën adekuate "GUXO".
"Amerika është partnere e luftës, partnere e së kaluarës, por jo partnere e së tashmes dhe të ardhmes", – kishte blasfemuar dhe shkretuar Albin Kurti! Kjo edhe mund të përligjej, nëse Kosova do të kishte një shtet partner rezervë, me fuqi ekonomike, ushtarake dhe miqësore më të madhe se sa Amerika. Por kundërpeshë mund të aludohen Rusia dhe Kina, të marra së bashku për forcë ekonomike dhe ushtarake, ndërsa me zero (0) miqësi për Kosovën.
Që këtej shpërthimi i presidentes Vjosë Osmani: "Nuk luhet bixhoz me ndërkombëtarët", – e thënë në sallën e Kuvendit, për ta ndalur Albinin në kryeneçësinë në raport me Amerikën. Shto këtu edhe marrëveshjen e në Bruksel dhe Ohër, të biseduar me Vuçiqin, të monitoruar nga Borrell dhe Lajçak, e panënshkruar nga palët. Ndryshimi nga asociacion në "vetë-menaxhim" ka ngjallur huti dhe dyshime.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka reflektuar dhe Amerikën tashmë e ka vënë "në ballë të oxhakut", duke e konsideruar si partnere "të tashme dhe të ardhme". Kjo duhet vlerësuar dhe besuar, sepse Albini llogaritet si djalë bollshëm i lexuar dhe i shkolluar, andaj ka fituar zemrat e shqiptarëve vendorë dhe botërorë.
"Shqiptarët e duan Amerikën nga frika dhe jo për dashurinë e natyrshme", – është shprehur Kurti. Përgjithësimi është i gabuar, por realisht ai e ka fjalën për njerëzit e shantazhuar, për "madurot" shqiptarë, të cilët ekzekutuan si "derrat e egër" bashkëkombësit kundërshtarë politikë, me qëllim të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit dhunshëm. Dhe këta janë disa "komandantë" kriminelë dhe hajna zyrtarë, soji i të cilëve Amerika po e lufton anekënd globit.
"Amelika, Amelika", përsërit, vend e pavend, opozita e ardhur në pushtet me dhunë e përgjakje, e ka plot gojën, përjashto LDK-në, e cila ka qasje të sinqertë për mikën Amerikë. Subjektet ultra-komuniste, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, tipike enverhoxhiste e staliniste, të ekstremit të majtë, i kanë konvertuar në emërtesa falso të djathta!? Por ato kanë qenë dhe mbeten të majta, partnere të Lindjes komuniste dhe kurrë të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore. Këto subjekte kanë lindur nga mitra e përgjakur e LPK-së, e cila dikur protestonte kundër bashkimit të dy Gjermanive, "sepse po dobësohet komunizmi në shkallë botërore", arsyetonin militantët e LPK-së!
Kishte një parashikim të bazuar se Albini nuk e donte Vjosën për presidente, ngaqë parapëlqen bashkëpunëtorë të bindur. Lojërat me numra të Kurtit u lexuan lehtësisht edhe nga populli. Edhe opozita ka të drejtë të mos ketë tri postet kryesore, pavarësisht fitores së madhe, dhe vazhdon të bllokojë. Mund t’i lihet posti i kryekuvendarit opozitës, ndërsa kryeministri është i padiskutueshëm për pozitën.
Tashmë është pranuar nga pozita dhe opozita, plus populli i Kosovës dhe shqiptarët, se Vjosë Osmani ka përmbushur në plotëni detyrën e Presidentit/es të vendit, pas Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ajo arriti të krijojë një lidhje ndryshe me SHBA-në dhe BE-në. Që këtej pasoi heqja e sanksioneve dhe një sërë procesesh të tjera, duke ndikuar edhe në rehabilitimin e Kurtit dhe të qeverisë së tij.
Nuk ka asnjë mëdyshje se mandati i dytë presidencial për Vjosë Osmanin është interes shtetëror. Dhe kushdo që kundërshton këtë, mendon për përfitime personale dhe aspak për interesin shtetëror.
Është neveritëse të thuhet se Albini nuk i ka asnjë borxh Vjosës për ta kandiduar për presidente, ndërkohë që ajo i ka dhuruar shumë-mijëra votues atij, madje në tri palë zgjedhje radhazi. Kjo do të ishte jo vetëm mosmirënjohje ndaj një presidenteje krejt të veçantë, por edhe një fyerje dhe zhgënjim skajor i shqiptarëve të kudondodhur. Inati dhe xhelozia e pamotivuar do t’i turpëronte të gjithë kontestuesit e kandidaturës së Vjosës, madje për jetë e mot!
Intervista e Vjosë Osmanit, dhënë Çim Pekës, ishte sqaruese, e sinqertë se Albin Kurti nuk i dha ofertë serioze asaj për postin e Presidentes. Përndryshe, ai duhej dhe duhet ta propozojë Vjosën, duke "e justifikuar për punën e shkëlqyer; e do populli, e duan shqiptarët, e do Amerika, e duan ndërkombëtarët. Për 5 (pesë) vjet ishte jashtë angazhimit partiak. Madje, është propozim jashtëpartiak. Kandidat tjetër nuk do të kemi nga ana e qeverisë dhe as nga LVV".
Ky do të ishte propozimi dhe arsyetimi i Kurtit për kandidaturën e vetme të Vjosës për Presidente.
Dhe nëse ky propozim nuk do të refuzohej, atëherë fajësia do t’i mbetej opozitës dhe LVV do të dilte faqebardhë, edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje.
Veprimtaret e shquara, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, provuan "ta çajnë" bllokadën për ta pavarësuar partinë famoze LDK-në e Ibrahim Rugovës, e cila e bëri paqen, respektivisht rezistencën aktive paqësore dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Por karrocimi i klanit të Isa Mustafës ishte i hekurt dhe i goditi deri në përzënien nga LDK-ja, për rritjen dhe qëndresën e së cilës kishin investuar shumë.
Megjithatë, me punë dhe vullnet klasik, në koalicion me LVV, e cila të paktën nuk ishte pjesë e përgjakjes së LDK-së dhe Kosovës, arritën të shporrin nga pushteti i përgjakur "komandantët" vrastarë, hajna zyrtarë, haraçxhinj, makro-kontrabandistë, në bashkëpunim me Listën Serbe. Por edhe klanin patericë të PDK-së, brenda lidershipit të LDK-së.
E ardhmja u përket reformatorëve. Historia ka lënë në harresë perandorë, mbretër, shefa shtetërorë, gjeneralë...! Por reformatorët mbijetojnë shekujt, epokat. Andaj, pavarësisht anatemimit, mallkimit të padrejtë dhe idiotesk, të bërë nga lakenjtë e Isa Mustafës në adresë të Vjosë Osmanit dhe Donikë Gërvallës, ato kanë qenë dhe do të mbeten reformatore heroina.
Guximshëm dhe dinjitetshëm denoncuan krimin dhe kriminelët, sepse është cinizëm dhe skajshëm kriminale të vazhdojnë ta sundojnë popullin e përvuajtur të Kosovës vrasësit e kundërshtarëve politikë, përkatësisht ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e LDK-së; gazetarët e "Bota Sot"; por edhe brenda llojit – veprimtarët e hershëm të LPK-së, për ta pamundësuar konkurrencën në të ardhmen.
"Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja", – është titulli i një shkrimi, i shkruar nga kryetari i LPK-së, pikërisht kur vrasjet cilësore, të përzgjedhura, të listuara u bënë normë masive. Shkrimi u botua në njërën nga gazetat më përçarëse "shqipfolëse"! Ujdia, dakordimi për marrjen e pushtetit dhunshëm e përgjakshëm nga LPK-ja, ishte arritur ndërmjet Shërbimeve Informative të Francës, Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë! Paraprakisht, është uzurpuar udhëheqja e hershme e LPK-së nga udhëheqja e re e kompozuar në Tiranë; është pushtuar gazeta e LPK-së; janë sekuestruar fondet e mërgatës, nën kërcënimin klishe "ose fondin, ose ta vras djalin e hasretit"! Këto janë të dhëna, fakte nga dora e parë, nga palët në përballje! Klikoni, i gjeni dhe kontaktoni dëshmitarët okularë.
Veprimtaret e dëshmuara për Kosovën, për lirinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, si dhe për demokracinë. Sepse "liria pa demokraci është një përrallë dimri", – ka thënë poeti gjerman Gete.
Prandaj, veprimtaret Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, sikur sot të pensionohen nga politika, ato kanë kryer detyrën qytetare dhe atdhetare më mirë se askush tjetër. Ato do ta gëzojnë përjetësisht respektin e shqiptarëve vendorë dhe botërorë, për shërbimin e madh, unik, në favor të popullit, Atdheut-Kosovë dhe më gjerë në shqiptari.
Një mësim i veçantë, i dhënë shqiptarëve nga Vjosa dhe Donika, është përzgjedhja e aleancave, koalicioneve partiake për bashkëqeverisje. Mjerisht, kryetari i partisë, Isa Mustafa, është katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij kriminal. Rrjedhimisht, LDK-ja ishte bërë bisht dhe patericë e PDK-së. Dhe hisedar në udhëheqje ishte edhe Hashimi. Këtë turpërim "me tupan" nuk mund ta duronin veprimtaret dinjitare dhe vendosën ta bëjnë ndryshimin e madh, andaj gëzojnë lavdinë e reformatoreve, pavarësisht çmimit që mund ta paguanin.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".