Lansohet programi që e bën xhudon prioritet

  • A.P /
  • 30 September 2022 - 18:53
Lansohet programi që e bën xhudon prioritet

Në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës është mbajtur ceremonia e lansimit të programit “Kosova, shtet i xhudos”.

Në ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ndjehet i lumtur që sot u shpalos ky program

“Jemi mbledhur këtu për ta prezantuar para jush programin e sportit ‘Kosova shtet i xhudos’. Rezultatet e xhudos janë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet. Me to identifikohemi të gjithë. Ky program është hapi konkret për zhvillimin maksimal të këtij sporti brenda Kosovës. Jam i nderuar dhe i lumtur që sot po shpalosim përmbajtjen e këtij programi. Uroj që ky program të jetë i përhershëm. Falënderoj të gjitha institucionet e angazhuara për hartimin e këtij programi”, tha Kurti.

Pas tij, fjalën e mori Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, i cili programin në fjalë e vlerësoi si më të vlefshmin në histori të sportit kosovar.

“Jemi mbledhur për të shpalosur programimin më me vlerë që ka ndodhur në histori të sportit të Kosovës. Gjatë 55 viteve kemi gjenerata që punon me përkushtim për avancimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, duke filluar nga gjenerata e viteve të 70-ta deri në ditët e sotme, ku patëm fatin që në mesin tonë të punoj dhe veproj kampioni Olimpik, Driton Kuka, i shpallur edhe zyrtarisht si trajneri më i mirë në Evropë dhe Botë për vitin 2021. Tri medalje të arta Olimpike, dhjetëra botërore e evropiane, qindra ndërkombëtare, sigurisht që kanë qenë arsyeja dhe motivimi për Ministrin Çeku që të fillojë një program të tillë që në thelb e ka promovimin e vendit tonë, avancimin e xhudos në shumë dimensione dhe krijimin e mundësive për të gjithë ata që duan të punojnë seriozisht. Që xhudoja e meriton një epitet të tillë është e dëshmuar nga ngritja e flamurit në Rusi, e deri te përcjellja e sportistëve tanë nga shtëpitë më të mëdha mediale botërore. Uroj dhe besoj që ky projekt ambicioz të rezultojë i suksesshëm në çdo aspekt”, tha Kuka, shkruan Gazeta Express.

Ndërsa, fituesja e medaljes së artë Olimpike dhe ish-xhudistja e Kosovës, Majlinda Kelmendi, u shpreh: “Ky projekt na mundëson zhvillimin, që të kemi vazhdimësi të sukseseve. Jam e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr trajtimin e duhur. Fatmirësisht, përmes punës së jashtëzakonshme të trajnerit, Driton Kuka, kemi hapur dyer që edhe sot është e vështirë të hapen përmes politikës. Urime dhe suksese”.

Në fund, fjalën e mori edhe i pari i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i cili fillimisht tha: “Programi ‘Kosova, shtet i xhudos’ i shërben shërbimeve strategjike të institucioneve të Kosovës. Duke e zhvilluar tutje sportin e xhudos, synon të ndikojë në mirëqenie të rritur shoqëror, shëndet publik dhe promovim ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Historia e xhudos së Kosovës është shumë e lavdishme”.

Pastaj, Çeku tregoi se cilat janë qëllimet kryesore nga ky projekt.

“Janë gjashtë qëllime kryesore, një është infrastruktura e përmirësuar fizike, dy është fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, tre është masivizimi i sportit të xhudos, katër është mbështetja për sportistët dhe trajnerët elitarë, pesë është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe gjashtë promovimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës”, shtoi Çeku.

Kostoja totale e programit “Kosova, shtet i xhudos” u tha se kap vlerën e 12 milionë eurove.

(Kosova Sot Online)