Qeveria e udhëhequr nga LDK pa legjitimitet demokratik, e pa fuqishme për ta zhvilluar dialogun me Serbinë

Qeveria e udhëhequr nga LDK pa legjitimitet demokratik, e pa fuqishme për ta zhvilluar dialogun me Serbinë

Gani Qarri

  • 04 November 2020 - 12:55

Shkruan: Gani Qarri

Isa Mustafa serish harron me dashje dhe qëllim djallëzorë, se është vet ai personalisht dhe kuislingu Hashim Thaçi, të cilët përkundër 14 mijë civilëve shqiptarë të vrarë nga Serbia, 20 mijë femrave të përdhunuara, mijëra trupave të kidnapuar që tash e mbi 21 vite, Vuçiqi i mbanë peng dhe luftës së armatosur me ç ‘rast u dashtë të intervenonte edhe NATO për çlirimin e Kosovës, ende nuk guxojnë jo vetëm ata vet por kanë shtrënguar edhe anëtarësitë e partive të tyre, që të mos guxojnë ta quajnë Serbinë në asnjë dokument zyrtar, shtet okupator, ndaj është e pakuptueshme se pse akuzohet vetëm Serbia dhe jo edhe argatët e saj Hashim Thaçi e Isa Mustafa me shokë, të cilët ende punojnë për këtë shtet ish okupator.

Vet fakti se vendi udhëhiqet nga një qeveri minore e formuar në kundërshtim me plot 57 vota të deputetëve shqiptar dhe vetëm 43 sosh pro, e cila për tu legjitimuar në Kuvend u votua edhe nga Lista serbe që është e lidhur direkt me Aleksandër Vuçiqin dhe punon për interesat e Serbisë në Kosovë, s i dhe minoritetet tjera, flet më së miri se nga kush udhëhiqet Kosova dhe se, sa sukses do të tregojë kjo kuazi-qeveri edhe në bisedimet me Serbinë.

Madje rifillimin e dialogut krejtësisht në mënyrë të pa përgatitur me Serbinë, pa platformë dhe pa parime, nga Qeveria e Avdullah Hotit, po e paguan serish shumë shtrenjtë Kosova, situatë të cilën po e shfrytëzon më së miri Aleksandër Vuçiq për hapjen e kapitujve të ri me BE-në duke trajtuar tema të diskutuara edhe më herët, gjatë bisedimeve të ashtuquajtura teknike dhe bërë kinse po zhvillon dialog me Kosovën.

Ndaj edhe akuzat që tani kreu i LDK-së Isa Mustafa po i`a adreson vetëm BE-së për kinse favorizim të palës serbe dhe diskriminim e mos respektim të shtetit të Kosovës, janë hipokrizi e llojit të vet, për faktin se shtetin e Kosovës e denigruan vet Hashim Thaçi me vënien e fusnotës dhe kërkesën publike deri në Forumin e vendeve ballkanike në Alpbach të Austrisë, për ndarjen e Kosovës, kurse Isa Mustafa me nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel për formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

Kështu që sot z. Mustafa, më kot bënë sikur reagon dhe atë vetëm, pas takimit të fundit të grupit të ekspertëve të mbajtur gjatë fundjavës, e ku serish nga pala serbe është imponuar pikërisht çështja e Asociacionit e nënshkruar qysh më 2013 nga Hashim Thaçi dhe më 2015 edhe nga Isa Mustafa, të cilit shihet se ka filluar ti djegë jo pak, kjo gjë. Isa Mustafa në vend të pranimit të gabimeve të tij dhe të Hashim Thaçit që me nënshkrimet e tyre, e kanë futur Kosovën në obligime të rënda ndërkombëtare të cilat rrezikojnë rregullimin e brendshëm kushtetues, tërësinë territoriale të vendit dhe vet ekzistencën e shtetit të Kosovës, ka filluar ti kritikojë sjelljet e Serbisë në njërën anë dhe ato të BE-së, në anën tjetër, sikur mos ti kishin vënë vet ai dhe Hashim Thaçi nënshkrimet e veta, në fund të marrëveshjeve të rrezikshme me Serbinë në kryeqendrën e BE-së, në Bruksel, për ta vënë Kosovën në këtë gjendje të pa rrugëdalje, duke u arsyetuar tani, kinse dialogu po e humb kuptimin sepse po favorizohet Serbia.

Për aq më tepër, Isa Mustafa shkon edhe më tej me oportunizmin e tij, të pa fije turpi, dhe thotë se koha po shndërrohet në instrument të Serbisë për ti vënë në harresë krimet e saj, duke mos përmendur faktin se është vet ai personalisht dhe Hashim Thaçi të cilët që nga koha kur morën udhëheqjen politike dhe atë të qeverisjes së shtetit, nuk lejuan kurrë që nga institucionet e vendit tonë, të ndiqen krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë, madje detyruan gjykatat anë e mbanë Kosovës që ti hidhnin poshtë edhe paditë e ngritura private të shqiptarëve kundër Serbisë, nga frika se do të hidhërohej Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi.

Kreu i LDK-s ka deklaruar se si kosovarët e kanë dëgjuar edhe betimin e çdo ministri serb, sipas të cilëve do të jenë të përkushtuar fuqishëm për ruajtjen e Kosovës, si thonë ata brenda Republikës së Serbisë prandaj me këtë logjikë nuk mundë të shkohet në bisedime me Serbinë. Mustafa shkon edhe më tej, duke akuzuar vetëm BE-në për bllokimin e liberalizimit të vizave dhe harruar se krimi dhe korrupsioni në Kosovë po lulëzojnë dita ditës si në asnjë vend tjetër dhe janë fenomene tërësisht të pa prekshme nga drejtësia, ku tash e një dekadë e gjysmë, vazhdon kooketimi i politikës jo vetëm partiake ,por edhe shtetërore me krimin e organizuar dhe nëntokën mafio oligarkike, të cilat po bëhen gjithnjë e më kërcënuese për vendin, sfidë e rëndë për sigurinë publike dhe rrezik gjithnjë e më i theksuar për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, pa mënjanimin e të cilave, nuk mund të ndodhë as liberalizimi i vizave në BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".