Vaksinimi i popullatës serbë kundër Covid-19 në komunat me shumicë serbe në veri, sulm direkt i shtetit serb kundër sovranitetit të Kosovës

Vaksinimi i popullatës serbë kundër Covid-19 në komunat me shumicë serbe në veri, sulm direkt i shtetit serb kundër sovranitetit të Kosovës

Hajrullah Tërnava

  • 30 December 2020 - 07:29

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Tani po na kujtohen kohërat e kësaj Qeverie se si po këta politikan luftonin që të hiqet reciprociteti ndaj Serbisë, dhe pranonin që një vit të mos lobojnë për njohje të reja për Kosovën si dhe anëtarësim në institucione ndërkombëtare, prandaj jemi këtu ku jemi dhe i kemi punët kështu si i kemi. Sa është irituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë dhe vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më te voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës, Duke ditur se vaksina është mënyra e vetme që i jep fund pandemisë, prioriteti më i lartë i kësaj Qeverie do të duhej të ishte sigurimi i vaksinës, dhe kërkesa për një vaksinë të tillë është tejet e lartë. Kjo ndërhyrje e Serbisë është cenim klasik i sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës, kurse Qeveria jonë po e përcjell në heshtje.

-Vaksinimi kundër Covid-19 që ka filluar në veri të Kosovës nga Qeveria e Serbisë, është edhe një dështim tjetër total i kësaj Qeverie, goditje për sovranitetin e shtetit tonë dhe fyerje e rëndë për qytetarët e Kosovës. Kjo goditje tani është dëshmi e Qeveris Hoti i cili edhe pranë shumë dështimeve të njëpasnjëshme në këtë periudhë kaq të shkurtë, ai prapë dinë dhe mundë pa turp të lavdërohet si i suksesshëm, sepse tani zgjedhjet janë veç të konfirmuara dhe ai prapë pretendon të konkuroj për Kryeministër, prandaj situata e krijuar tani në Kosovë, që qytetarëve u ka humb shpresat për të jetuar në këtë vend, prapë nuk turpërohen dhe me çdo mënyrë done sa më gjatë me qëndruar në pushtet, me kushte që edhe nëse zbrazet e tërë popullata nga Kosova.

Gjatë këtij mandati të Qeverisë Hoti, është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë, hera e tretë që në heshtje u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës. Sa është i ulët dhe i turpshëm reagimi i dobët i Qeverisë në detyrë kur thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë, as përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke shtuar se çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale), dhe nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal, ndërsa organet kompetente kinse do të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore.

Ky veprim i Serbisë për popullin e saje është një dëshmi se veriu i Serbisë kontrollohet nga Serbia, dhe me këtë veprim po e konfirmon këtë fakt, si dhe për popullin e saj ky veprim i ka gëzuar të gjithë ata që janë vaksinuar, por për popullin e Kosovës është një dëshpërim në aspektin e asaj se në të vërtetë sovraniteti i Kosovës është i cenuar, dhe suksesi i vaksinimit të popullatës serbe, po i habitë popullatën shqiptare kur Qeveria e Kosovës s’po tregon simptome se kur do të ndodhë vaksinimi i kosovarëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".