Pse kushtetuesja e kapur nga krimo politika po rrezikon ta fus vendin në krizë të re politike e institucionale?!

Pse kushtetuesja e kapur nga krimo politika po rrezikon ta fus vendin në krizë të re politike e institucionale?!

Gani Qarri

  • 22 January 2021 - 07:51

Shkruan: Gani Qarri

Njerëzit në Kosovë, ka kohë që janë stër lodhur me probleme dhe nuk kanë më energji as disponim për turbullira për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se dha një gjykim të drejtë, apo jo të çështjes së ngritur nga LVV, si çështje e izoluar vetëm për VOTEN e ish-deputetit Etem Arifi, e që ndoshta doli qëllimisht përtej çështjes apo edhe ishte porositur për shkaqet e lartcekura, që kjo gjykatë të ndërmerrte një veprim të tillë të kombinuar, për të lënë qëllimisht jashtë loje edhe vet Albin Kurtin.

-Në çdo vend demokratik, vendimet e drejta, të barasvlershme, të paanshme, jo-tendencioze, jo-favorizuese dhe në përputhje me ligjet në fuqi të vendit përkatës, pa dallime për secilin person dhe subjekt, nga gjykata dhe gjykatës kredibël, do duhej të vlenin njëjtë dhe të pranoheshin nga të gjithë, përndryshe ai shtet nuk mund të quhet shtet i të drejtës dhe shtet që funksionon në bazë të rendit dhe ligjit. Madje megjithëse me rastin e zhvillimeve të fundit në Kosovë, nga një pjesë e madhe e opinionit, mediave dhe qytetarëve të vendit, është krijuar përshtypja se po ndodhë precedent i pa parë e i pa dëgjuar ndonjëherë në shoqëritë demokratike që politikanit më të votuar e më të pa korruptuar, siç është Albin Kuri, t’i ndalohet kandidimi në zgjedhje, me qëllimin që figurave me të kaluar të pastër politike t`u pamundësohet marrja e pushtetit në zgjedhjet e 14 shkurtit, duhet pasur parasysh faktin se për tu rimëkëmbur shteti dhe rivendosur rendi dhe ligji, ndonjëherë ka nevojë që pikërisht politikanët e tillë të bëhen shembull i sakrificës, për ndryshimet e mëdha, që ka nevojë vendi.

Sa i takon Kurtit, nuk besojë se ishte vetëm Gjykata Kushtetuese ajo që mori vendim kundër tij, por disponimi kundërshtues ndaj Kurtit, brenda e jashtë vendit, dhe sidomos tek faktori ndërkombëtar në Kosovë, është fakti i sjelljes jo-shtetërore i vet Albin Kurtit, i cili më tepër ekspozohej si fetar, se sa si shtetar duke inskenuar Ezane, bashkë me Arben Vitin, edhe pse Kurti mbante postin e kryeministrit të një vendi laik, të çliruar dhe mbajtur e ndërtuar, nga perëndimi, ku feja, është e ndarë nga shteti. Madje sikur mos të mjaftonin as këto, në konviktet e studentëve që ishin caktuar si vend karantinimi për të prekurit me Covid-19, nga Albin Kurti dhe Arben Vitia, dërgoheshin padrejtësisht edhe kursist e studiues informatike, të sapo kthyer nga Gjermania, pa kontrolluar dokumentet mjekësore mbi gjendjen shëndetësore të tyre, me ç`rat, përderisa Albin Kurti dhe Arben Vitia, argëtoheshin me inskenime të Ezaneve, sikur të ishin mullah-iranian, i riu 26 vjeçar nga Gjilani, dhe djali i vetëm i familjes Agon Musliu gjeti vdekjen, në moshën më të mirë, që ishte humbje e madhe për familjen, popullin e Kosovës dhe reputacionin e shtetit tonë.

E nëse këto fakte nuk duan ti shohin vet kosovarët, ka dikush që i sheh, e përcjellë me vëmendje dhe ndërmerr veprime vendimtare me ndikime të pakthyeshme në momente me rëndësi, si zgjedhjet aktuale në Kosovë, që në një shtet evropian, i cili mbahet nga donacionet e BE-së dhe SHBA-ve, të mos mund të lodrojnë, në mënyrë të pakontrolluar, ata të cilët ushqehen me bukën e perëndimit dhe jetojnë në Evropë, por punojnë për lindjen e afërt e të largët në emër të një populli evropian. Ndaj, tani nëse shqiptarët kanë kohë, le ta prishin e rrezikojnë sa herë të duan procesin zgjedhor, duke u marr me interpretime dhe konstatime të çështjeve dhe problemeve jo relevante, pasi që kohët e fundit, edhe ashtu, nuk kishte asnjë qeveri stabile, e cila mundi të qëndronte pak më shumë se dy vjet, në pushtet.

Shembulli veprues në fjalë i Gjykatës Kushtetuese, dëshmon vërtetë se ajo përbëhet nga “gjykatës” jo profesionistë dhe të deleguar aty nga politika e kriminalizuar qe “defacto”, tash e sa kohë, ka kapur çdo institucion siç është kapur i gjithë shteti dhe (pa)drejtësia Kosovare, por njëkohësisht edhe vërteton, se politikan me mendësi ruso-erdoganiste, nuk mund të vijnë krejt lehtë dhe duke inskenuar ezane, brenda 6-7 muajsh, nga dy herë në pushtet. Po ashtu edhe nëse nuk mund të pritet se do të vijnë gjykime të mira dhe vendime të drejta nga gjykatësit e instaluar të llojit të Nexhmi Rexhepit dhe të Radomir Llabanit, në realitet vendi sa ka nevojë për gjyqtar e drejtësi të denjë, edhe më tepër ka nevojë për burrështetas të vërtetë dhe lider me mendësi shtetërore pa përzierje të shtetit dhe politikës me fe. Kështu që, megjithëse çështja e përgjegjësisë së përbërjes së kësaj Gjykate me gjykatës “të dyshimtë” e te ndikueshem nga politika, si dhe përbërja e KQZ-së me njerëz të inkriminuar dhe dorë e zgjatur edhe e krimo-politikës të dirigjuar nga kabineti i ish presidentit Thaçi, të cilit i kanë shërbyer për dy mandate rresht sipas komandës e “selameve “ që ju ka dërguar ai, ka nevojë për shqyrtim, në kushtet aktuale, në Kosovë, as që ke ku të ankohesh e të kërkosh përgjegjësi dhe një gjë e tillë, pothuajse është e pamundur.

Për aq më tepër, sado që edhe ish kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës dr. Prof. Fejzullah Hasani, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka vlerësuar si veprim të pa drejt, jo profesional, të ndikuar nga interesat e grupeve të ngushta politike, kjo nuk nënkupton apriori se Albin Kurti ka fituar të drejtën eksplicite për të vepruar si të dëshiroj ai, duke shkelur normat e politikës së zbatueshme shtetërore dhe shkelur ato me veprime imamo-fetare, në një formë tjetër. Kosova nuk e ka luksin që përderisa mbijetesa e saj ekonomike dhe vet ekzistenca shtetërore dhe politike, varet krejtësisht prej SHBA-së dhe BE-së, në krye të shtetit, qeverisë dhe shëndetësisë të vendosë njerëz me mendësi imamësh. Kjo njëherë e përgjithmonë duhet të kuptohet edhe nga Albin Kurti, i cili nga ideja për bashkim kombëtar, është kthyer në zëdhënës të rrymave fetaro-islamike në partinë e të cilit, nuk ka mbetur kush pa u futur, duke ia humbur vlerën dhe kuptimin politik, ish Lëvizjes së dikurshme.

Madje pa marrë parasysh llojin e dënimit, qoftë ai edhe për delikte pasurie, askund në botë nuk lejohet futja në lista të kandidatit për deputetë, për të gjithë ata që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm për vepër penale, me dënim që shkon më shumë se 1 vit burg, qoftë ai edhe dënim me kusht, sikur që është rasti i disa emrave në LVV dhe liderit të këtij subjekti politik Albin Kurti dhe 46 të tjerëve nga subjekte të ndryshme politike. Dhe nëse nga qytetarët kërkohet rivendosja e rendit dhe ligjit, strukturat partiake, institucionale e shtetërore, përfundimisht duhet të lirohen nga njerëzit me precedencë penale, përndryshe krimi dhe korrupsioni, nuk do të pastrohen kurrë nga shteti dhe politika.

Mungesa e liderëve për të zhvilluar politikë moderne shtetërore në vend, ka bërë që qytetarët e Kosovës, të mos i brengosë më as frika se Gjykata Kushtetuese dhe KQZ të cilat kanë lidhje të afërta ndërmjet veti, po u shërbejnë interesave të grupeve të veçanta të njohura krimo-politike dhe politikanëve që nuk e kishin vendin në institucionet më të larta të shtetit. Për këtë arsye, gjasat për të prodhuar kriza të reja politike e institucionale, janë të vogla, ani pse KQZ, ua mohon të drejtën kandidatëve të apostrofuar për t’u zgjedhur, dhe procedura shkon në të gjitha nivelet e lejuara me ligj, deri në Gjykatën Supreme me mundësi rikthimi në vetë Gjykatën Kushtetuese, ku do të sillej sërish vendim i ngjashëm apo tërësisht i njëjti si ai i më parmi. Tanimë duket se as që ka më potencial që procesi zgjedhor i 14 shkurtit të shndërrohet në lojë e proces maratonik të ankimimit, që do të shkaktonin vonesa të mëdha në krijimin e institucioneve të reja për shkak të ndikimit politik dhe te jo profesionalizmit të Gjykatës Kushtetuese edhe nëse këtë sot e thotë Prof.Dr. Fejzullah Hasani, i cili dje, si ish-kryetar i Gjykatës Supreme te Kosovës ka vepruar pothuajse njëjtë, si këta të sotmit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".