Amerika notë negative drejtësisë kosovare për korrupsionin, dështimi i pa justifikueshëm me 1.6 milion asete të konfiskuara për vepra penale

Amerika notë negative drejtësisë kosovare për korrupsionin, dështimi i pa justifikueshëm me 1.6 milion asete të konfiskuara për vepra penale

Gani Qarri

  • 05 February 2021 - 07:16

Shkruan: Gani Qarri

Me qëllim të nxitjes dhe sensibilitetit kundër kësaj dukurie, sidomos të të rinjve të Kosovës, në mënyrë që organet përkatëse të "detyrohen" , të jenë më aktiv në këtë drejtim, ambasada e SHBA-ve, ka lansuar edhe një fushatë të re për edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve, që të kontribuojnë edhe ata vet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me mbështetjen e tyre te drejtpërdrejtë, në mënyrë që të luftohen më efektivisht këto dukuri negative, të ngritët mirëqenia si dhe të ringjallet përfundimisht shpresa e të rinjve për një jetë më të mirë edhe në Kosovë.

-Fakti se përderisa të korruptuarit dhe të inkriminuarit vazhdojnë të qëndrojnë në krye të shtetit, jo vetëm se nuk mund të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilin vet ata e kanë thelluar për interesat e tyre personale, klanore dhe partiake, por edhe është rritur deri në atë masë marramendëse në vend, flasin vet shifrat tepër simbolike të raportimit të pasurisë së konfiskuar në emër të përfitimit të kundërligjshëm, të cilat janë treguesi më i turpshëm dhe irritues zyrtar, që vërteton edhe një herë më tepër, dështimin e plotë të institucioneve të kapura të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Madje, për paturpësinë e tij të pafund, edhe ministri i drejtësisë në detyrë, Selim Selimi, deklaroi se gjatë viti të kaluar është raportuar vetëm për rreth 1.6 milion euro vlera e aseteve të konfiskuara për shkak të veprave të ndryshme penale, raportim i cili e zbeh edhe më keq imazhin edhe ashtu aspak të mirë të Kosovës, para vendeve të BE-së, SHBA-ve dhe miqve tanë të tjerë ndërkombëtar, e cila me politikan të tillë të degjeneruar në krye , vazhdon të mbetet shteti më i korruptuar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Dhe sikur mos të mjaftonin, as të gjitha këto, lidhur me dështimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë si dhe problemin me rendin dhe ligjin në vend, u detyrua të reagonte edhe vet ambasada amerikane në Prishtinë, e cila serish shprehu shqetësimin e saj të madh, për shkak të dështimit të plotë dhe sistematik të institucioneve të kapura të (pa)drejtësisë nga krimi i organizuar, nëntoka kriminale dhe organizatat mafioze, që në Kosovë, mjerisht vazhdojnë të mbeten shumë të fuqishme.

Prandaj, siç kanë vënë në spikamë edhe përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve, korrupsioni dhe krimi i organizuar në shtetin tonë të brishtë të kapur nga mafio-politika, jo vetëm që nuk janë luftuar nga askush, por edhe janë thelluar aq shumë, sa që janë kthyer në pengesat kryesore dhe më të mëdha për rritjen ekonomike, investimet dhe krijimin e mundësive për punësim të qytetarëve në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".