Politika amatoreske e liderëve të paditur, po e futë shtetin në rrugë pa krye

Politika amatoreske e liderëve të paditur, po e futë shtetin në rrugë pa krye
Politika amatoreske e liderëve të paditur, po e futë shtetin në rrugë pa krye

Ali Hertica

  • 09 July 2021 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Ali Hertica

Republika e Kosovës në këto dy dekada pas përfundimit të luftës së përgjakshme dhe gjenocidiale me Serbinë, po del të jetë shtet që udhëhiqet nga lider politik të pa përgatitur sa duhet në aspektin politik e diplomatik për kundërvënie ambicieve të rrezikshme të Serbisë, që nuk po pushon së punuari për ta pamundësuar forcimin e sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës, si në planin e brendshëm edhe në atë të jashtëm. Këtë më së miri po e dëshmon Asociacioni i Komunave me shumicë serbe i cili u gjykua dhe konstatua për defektin në marrëveshje nga Gjykata Kushtetuese, por institucionet e Kosovës tri mandate të qeverisjeve të kaluara dështuan ta ndërtojnë atë dhe ofrojnë këtë zgjidhje Kushtetuese për serbët lokal edhe për faktorin ndërkombëtar, ndërmjetësues në bisedime, për ti mbetur peng qeverisës së tanishme edhe në proces të dialogut me serbinë.

Derisa ish-Republikat tjera nga shpërbërja e Jugosllavisë janë stabilizuar dhe vazhdojnë procesin normal të shtet ndërtimit, Kosova akoma vazhdon të jetë peng i politikës serbe, me tendenca këta infiltrimit të interesit serb në proceset e brendshme shtete ndërtuese të Kosovës, për ti degraduar dhe deformuar ato, për një shoqëri jo stabile, të varur nga Serbia dhe jo funksionale. Pikërisht për këtë qëllim Serbia po e shfrytëzon tani kërkesën maksimale për të drejtat e serbëve në Kosovë, për një autonomi kulturore, politike e territoriale, me ingerenca të theksuara shtetërore, duke krijuar bashkësi të komunave me shumicë serbe- Asociacionin.

Kjo patate e nxehtë që i ka mbetur në dorë tani Qeverisë Kurti, është përgjegjësi e dështimit në qeverisje të vendit për të gjitha koalicionet e mandateve të kaluara, duke filluar nga koalicioni PDK-AKR, pastaj LDK- PDK dhe i fundit që ishte PDK-AAK NISMA, që nuk patën guxim dhe kurajë që të veprojnë e ta ndërtojnë statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me status të një OJQ-je të modelit të asociacionit ekzistues, pa ndonjë rol ekzekutiv i cili interferon në kompetencat e nivelit të institucioneve qendrore, por shërben si koordinator i bashkëpunimit ndër komunal dhe ndërinstitucional me Qeverinë për interesin e pushtetit lokal.

Në situatën në të cilën gjendet Kosova, në prag të finales së dialogut me Serbinë dhe presionin e vazhdueshëm të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes së asociacionit, klasa politike detyrimisht duhet të jetë e unifikuar, duke lënë dallimet që kanë për interesa të ngushta grupore e politike nga egoja për pushtet, por duhet të mendojnë për shtet. Jo rastësisht edhe diplomatët ndërkombëtar që po insistojnë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për Asociacionit, po ju rikujtojnë drejtuesve të Republikës së Kosovës që zgjidhja duhet të bëhet brenda dhe jo jashtë kushtetutës, e mbi ligjet e Kosovës.

Këto kërkesa duhet ta bashkojnë kastën politike kosovare dhe jo ta ndajnë, duke mbështetur qeverinë që statuti për asociacionin të hartohet tash dhe pa vonesë mbi bazën e gjykimit dhe konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, i njëjti të votohet në Kuvend dhe pastaj të sfidohet pala serbe duke i kërkuar që ti 8inkurajon serbët lokal, të ju kërkon atyre bashkëpunimin në atë nivel të siguruar nga Qeveria e Kosovës, dhe për fund, të ndodhë njohja reciproke me garanci ndërkombëtare të ndërmjetësuesit edhe për përgjegjësit që i takojnë shtetit serb lidhur me të kaluarën e dhimbshme të popullit të Kosovës, dhunën dhe gjenocidin për të cilat duhet të adresohet kërkesë për kompensim të dëmeve dhe gjykim të kriminelëve, e zbardhje të fatit të të pagjeturve.

Se politika Kosovare, pozitë dhe opozitë, nuk duhet ta përdorin për shantazh të ndërsjellë temën e Asociacionit, por të ofrojnë zgjidhje brenda kornizës së pa ndryshuar kushtetuese, me legjislacionin ekzistues në fuqi, e ka thënë edhe Zëvendës Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathev Palmer, i cili shumë qartë ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë atë, sepse ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet.

Duhet rikujtuar të gjithë aktorët politik se marrëveshja për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit qysh në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës si dokument i parimeve, dhe në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk kishin në harmoni me Kushtetutën e vendit, prandaj ai vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë tani material pune për komisionin që do ta harton statusin e Asociacionit, për të mos rënë ndesh me Kushtetutën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".