Fundi i turpshëm i politikanëve të zhytur në krim e korrupsion, dekriminalizimi po troket në derë!

Fundi i turpshëm i politikanëve të zhytur në krim e korrupsion, dekriminalizimi po troket në derë!

Gani Qarri

  • 14 September 2021 - 07:08

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Zhvillimet aktuale, po zbardhin gjithnjë e më shumë dokumente dhe krijojnë dyshime edhe më të mëdha, për inkriminimin e thellë të politikanëve të kriminalizuar vendor, gjë që e bënë të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të një dorë të fortë ndërkombëtare për dekriminalizimin e plotë të politikës së inkriminuar edhe në Republikën e Kosovës.

Një intervenim i ngjashëm me atë që aktualisht po ndodhë në Shqipëri, me ish kryeministrin Berisha, i cili pas futjes në listë të zezë nga DASH, dhe ndalesës për të udhëtuar në SHBA, u përjashtua edhe nga grupi parlamentar i PD-s,  parti në krye të së cilës, ai ishte për vite të tëra dhe mbante edhe pozita të larta, deri te drejtuesi i shtetit shqiptar shumw shpejtw duhet dhe do tw zbatohet edhe ndaj politikanwve kosovare tw cilwt pwr plotw du dekada bashkwvepruan dhe bashkëjetuan me krimin.

Për aq më tepër, sado që akti kundër z.Berisha mundë të jetë edhe i pa drejtë dhe i orkestruar nga grupet e krimit të organizuar të mafies politike në Shqipëri, rasti i tij, duhet të shërbejë si një mesazh i qartë edhe për institucionet e Kosovës, që të mos hezitojnë për asnjë orë më tepër dhe krahas ligjit të Vetting-ut, ta miratojnë urgjentisht edhe Ligjin për Dekriminalizimin e plotë të politikës në vend.

Madje sot askush nuk mundë ta mohojë faktin se po këta lider politik kosovar, që deri dje qëndruan në pushtet, ishin dhe mbetën kokat më të korruptuara në krye të politikës dhe të pushtetit , të cilët për vite të tëra e mbajtën pengë shtetin dhe qytetarët e Kosovës, bllokuan zhvillimin dhe penguan vendosjen e rendit dhe të ligjit, duke izoluar komplet gjithë vendin, u bënë shkak për mos liberalizimin e vizave dhe u pamundësuan qytetarëve lëvizjen e lirë në BE. Ndaj, pikërisht për lidhjet e fuqishme të politikës me krimin e organizuar, ka pasur gjithmonë vërejtje shumë serioze, të cilat janë denoncuar e ritheksuar në vijimësi edhe në raportet e të gjitha niveleve të organizatave kredibile vendore e ndërkombëtare.

Kështu që përveç VETTING-ut, kjo e bënë urgjentisht të domosdoshëm dhe të patejkalueshëm edhe vet Ligjin për Dekriminalizim, në mënyrë që përfundimisht, të pamundësohet përfshirja e politikanëve të inkriminuar edhe më tej në institucionet e shtetit, për të mos e përjetuar vendi dhe personalitetet politike izolimin dhe ndëshkimin e ngjashëm sikur që po ndodhë aktualisht ndaj ish kreut të shtetit Shqiptar Sali Berisha, i akuzuar nga administrate amerikane për përfshirje në shpërdorim fondesh e krim të organizuar gjatë mandatit të qeverisjeve të tij në të kaluarën. Ishte vetë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ai i cili deklaronte se Berisha, në cilësinë zyrtare, si kryeministër i Shqipërisë, ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrjet në proceset publike dhe sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin për përfitime, për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

E nëse kjo është e vërtetë për Berishën, atëherë po aq të korruptuar, dhe gjithsesi edhe më të inkriminuar janë pothuajse të gjithë liderët politik të Kosovës të cilët qeverisën arbitrarisht vendin për dy dekada me radhë, kapën shtetin dhe shkelën me të dy këmbët ligjin, pa i dhënë llogari askujt, plaçkiten, zhvatën e përvetësuan kundërligjshëm çdo gjë, duke filluar që nga shpërdorimi i hapur i fondeve të luftës e deri tek procesi I privatizimit, ndaj së fundi po zbulohen edhe dokumente me fakte të pamohueshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kështu që  ka ardhur koha që ligji të merret edhe me ata.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".