‘Hashim Thaçi duhet të përgjigjet për skandalin me gylenistët’

 ‘Hashim Thaçi duhet të përgjigjet për skandalin me gylenistët’

Hajrullah Tërnava

  • 12 February 2022 - 09:24

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Me që ne e patëm këtë përvojë tonën gjatë luftës, nuk është dashur të ripërsëritet një gabim trashanik dhe me ja dorëzua gjashtë azilantët turq, shtetit i cili i ka përndjekur ti burgos, ata të cilët qe një kohë të konsiderueshme ishin në Kosovë e që me bazë kishin kërkua azilin pasi që ishin të përndjekur politik nga shteti i tyre Turqia. Hashim Thaçi është përgjegjësi dhe urdhërdhënësi kryesor i atij akti të turpshëm.

Çështja e emigracionit politik është çështje tepër e ndjeshme. S’paku ne shqiptaret e kemi përjetua këtë gjë, ndoshta që mundemi të radhitemi si tepër të sprovuar nga nacionalitetet tjera deri në çlirimin e vendit tonë, nga përndjekjet politike serbe që popullata u shpërngulke pandërprerë ditë e natë, deri kur na ndihmoj SHBA me NATO e që të çlirohemi, e deri atëherë shtete të tëra të BE-së dhe besa edhe tjera shteti edhe që ishin të largëta si SHBA, ishin me azilantë shqiptar në numra shumë të mëdhenj sepse dihet ajo kohe kur Serbia e përndiqte popullatën shqiptare dhe donte gjithsesi ta zbrazë Kosovën të tërën.

Sikur që u pa gjatë luftës ndodhi spastrimi i trojeve nga shqiptarët ku rreth një milion banor shqiptar u larguan nga Kosova. Kosova ua kishte ofrua azilin si qëndrim deri të zgjidhet çështja e tyre politike, dhe ata si të tillë janë gjendur dhe janë adaptuar, dhe shumica nga ta kanë gjetur vende pune për të jetuar me rrogat e tyre. Edhe ne e patëm përvojën tonë, ku asnjë shtet nuk e keqpërdori statusin e azilit që të ja dorëzoj Serbisë azilantët që ishin larguar nga vendi i tyre Kosovë. Ka pasur raste që Serbia përmes bashkëpunëtorëve të tyre të shërbimit sekret BIA (UDB) i ka vra njerëzit në ekzil, që ishin si azilantë në shtetet e BE-së si në Gjermani, Belgjikë, etj, ku e kemi rastin konkret me vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, Enver Hadri, Mahmut Visoka etj. që janë vra në ato shtete ku e kishin fituar azilin.

Në disa nga ato shtete për disa të vrare i kanë zbulua vrasësit dhe i kanë burgosur por ka pasur të tillë që edhe nuk kanë qenë më të gjallë, prandaj me këtë përvojë të gylenistëve dëmi që iu ka bërë Kosovës është i pa riparueshëm. Sikur të ishim shtet i mirëfilltë juridik gjithsesi ishte dashur të marrin dënime të ashpra ata që i kanë bërë gabimet e tilla, edhe nëse këtë gabim e ka bërë edhe vetë Kryetari i shtetit apo të tjerët. Kjo njollë në historinë e Kosovës ka me qenë kjo njollë e pashlyeshme, prandaj edhe procesi gjyqësor për aferën qytetarëve turq- gylenistëve, i cili ka filluar këtë të mërkurë, pa urdhërdhënësin kryesor të arrestimit të tyre dhe ekstradimin në Turqi, që ishte ish Presidenti Thaçi, do të jetë vetëm një proces farsë sepse do të jetë i munguar njeriu kyq që e ka bërë marrëveshjen me shtetin turk. Edhe sikur Hashim Thaçi të ishte në Kosovë me fillimin e procesit gjyqësor për gylenistët, zor se do ta kishte guximin dikush të merret me të pasi nuk ka prokuror e gjyqtar të guximshëm, ende nuk ka pasur reforma në gjyqësi apo prokurori, institucione këto mbi të cilat e ka ushtruar ndikimin dhe kontrollin që nga formimi i tyre, duke përfshirë edhe policinë e AKI-në.

Tani jemi në rrethana tjera sepse po tentohet që të bëhet ristrukturim i ri nëpër gjykata dhe prokurori, dhe meqenëse Hashim Thaçi gjendet në Hagë, këto institucione të drejtësisë mundë të sillen më ashpër, apo së paku të mundohen që të distancohen nga e kaluara e tyre me mangësi të plota që i kishin deri me tani, dhe tani ta japin kontributin e tyre dhe me këtë angazhim të mundohen të tregohen si zyrtar të reformuar sepse ndryshimet në sistemin e drejtësisë që do të ndodhin, shpresojmë ta sigurojnë një vend të rëndësishëm në këto institucione ku pritet që me reformat në ardhje do të ketë ndërrime të rëndësishme e sidomos me ligjin e Vettingut. Mendoj se kjo variant mundë të hyn në funksion që këta gjyqtar të jenë më efikas, por nëse ndodhë që të vazhdohet si deri më tani, ky do të jetë vetëm një proces i improvizuar, paraprakisht i dizajnuar për të dështuar, pasi që prokuroria dhe gjyqësori akoma janë shumica nën ndikimin dhe kontrollin e SHIK-ut e të PDK-së, që do të provojnë barrën e Hashim Thaçit, dhe të ish ministrit të Jashtëm Pacollit dhe atij të brendshëm, të jua, veshin zyrtarëve të AKI-së, duke përfshirë këtu ish krye shefin Driton Gashi me zinxhirin e gjatë të veprimit dhe koordinimit të arrestimit pa paralajmërim të grupit të qytetarëve turq.

E lidhur me këtë aferë që i ka lënë njollë të zezë shtetit dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë, ka punuar edhe një komision hetimor i Kuvendit të Kosovës, i cili pati intervistuar ish Presidentin Thaçi, Ish ministrin e jashtëm Behxhet Pacollin dhe ministrin e punëve të brendshme, kurse raporti final i komisionit kishte konstatuar aso kohe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut ndaj qytetarëve turq nga institucionet e sigurisë në Kosovë, me arrestimin dhe dëbimin e tyre në Turqi. Raport dhe vlerësim kritik lidhur me këtë rast skandaloz kishte hartuar edhe Komisioni Evropian për Kosovën. Nëse punohet edhe tani në baza ligjore për të akuzuarit që janë të apostrofuar në aktakuzë ata edhe duhet të japin llogari ligjore sipas aktakuzave në institucionet gjyqësore sepse ligji si ligj i ngarkon po këta të apostrofuar, që nëse janë shkelësit e ligjit të përgjigjen, sepse është dashur të dinë për këtë veprimtari sepse janë të shkolluar bash për këto çështje, që me ato veprime të dorëzimit të shtetasve turk-gylinistave kanë bërë vepër penale sepse atyre iu është pranuar e drejta e azilit në Kosovë.

Eproret e apostrofuar është dashur ta refuzojnë urdhrin e më të mëdhenjve në këtë rast të Kryetarit Thaçi, si akt i kundërligjshëm, që me këtë veprim të burgosjes edhe vetë eprori bënë vepër penale që pergjigjet para ligjit sikur tani që duhet të përgjigjen. Në çdo ligj pozitiv është e cekur që nëse eprori të urdhëron diçka që është e kundërligjshme dhe me atë veprim kryen vepër penale, gjithsesi se ai urdhër nuk duhet të zbatohet. Këta të apostrofuar që tash janë përfshirë në proces gjyqësor meritojnë të dënohen dhe janë pjesëmarrës bashkë me Hashim Thaçin në këtë vepër kriminale, dhe asnjëri nga këta nuk mundë të thirren në atë se Kryetari i ka urdhërua, sepse ligji për këtë është decidiv i qarte.

Politikanët e Kosovës kanë mundur të luajnë rol krejt tjetër që po këta gylenista ti dorëzojnë në ndonjë shteti mik si Gjermania etj, dhe sot nuk do ti kishim fare këto probleme që kanë me na përcjellë shumë gjatë. Me këto veprime dhe dëgjueshmëri ndaj Turqisë po dëshmohet se Thaçi ka shumë borxhe Rexhep Taip Erdoganit, e sidomos kur po e dimë se sa lirë ja ka shitur Turqisë Elektroekonomin-KEC-in prandaj krejt këto dyshime po na dëshmohen si të bazuara se në krejt këto veprime të përgjithshme është i përfshirë personalisht ish Presidenti Thaçi, i cili edhe pse është në procedura hetues në Hagë ka gjasa që të akuzohet dhe dënohet edhe lidhur me këtë rast në Gjykatën Speciale në Hagë. Pra procedurat mundë të vazhdohen dhe të dënohen ata vepër kryes që janë të kapshëm sikur këta që janë të apostrofuar, nëse duam drejtësi dhe që Kosovës me i ardhur era shtet, sepse me këto dënime do të zbuteshin sado pak gabimet e bëra nga të cilat duhet të marrin mësim pushtetarët e sotëm që në të ardhmen mos të bëjnë vepra të tilla të turpshme për një shtet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".