Krimi depërton edhe në ATK, prokuroria zbulon skandalin me kurdisjen e lojërave të fatit!

Krimi depërton edhe në ATK, prokuroria zbulon skandalin me kurdisjen e lojërave të fatit!

Gani Qarri

  • 25 February 2022 - 07:36

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Në Departamentin Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të dytën herë radhazi ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve, dy ish-inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan e Selatin Hoxha, të cilët akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, kurse Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi, akuzohen për organizim të skemave piramidale.

Në Republikën e Kosovës, si asnjëherë më parë, dita ditës po vijon të dëshmohet publikisht dhe të forcohet bindja me prova bindëse e autentike tek të gjithë qytetarët e vendit, për lidhjen e ngushtë të sistemit të drejtësisë me krimin e organizuar, sidomos me atë që sjell përfitime të mëdha materiale, si ushtrimi i veprimtarisë së kundërligjshme kriminale, të të ashtuquajturave "lojëra të fatit", si forma më perfide të mashtrimit dhe trikëve më sfilitës të keqpërdorimit publik, për zbrazjen ilegale edhe të centëve të fundit nga xhepi i varfër i qytetarëve të mashtruar të Kosovës, të pa informuar dhe të keqpërdorur ilegalisht nga kriminelët. Madje vet gjykimi i një rasti të tillë skandaloz, është duke dështuar për herë të tretë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pikërisht për faktin se aty bëhet fjalë për infiltrim në mashtrim dhe në krim të organizuar edhe të zyrtarëve të lart të shtetit, të punësuar pikërisht në institucionet e hetimit dhe parandalimit të këtyre veprimtarive kriminale të ndaluara me ligj, punëtor të ATK-së, një strukturë kjo që duhet të ishte profesionale por që SHIK-u e ka shtrirë ndikimin e vetë me kohë aty, dhe e ka futur edhe atë, nën kontroll për interesa kriminale të vetat dhe të partive të inkriminuara.

Në Departamentin Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të dytën herë radhazi ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve, dy ish-inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan e Selatin Hoxha, të cilët akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, kurse Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi, akuzohen për organizim të skemave piramidale. Kurse anëtarët e këtij grupi kriminal, Arian Kastrati, Driton Haxhia, Ramadan Latifi e Burim Ismajli akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, përderisa Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, e Fisnik Ibishi akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Prokuroria speciale e ka ngritur aktakuzën lidhur me këtë rast, qysh në maj të vitit 2019, por procesi gjyqësor është zvarritur deri më tani, ani pse të akuzuarit veprimtarinë e tyre kriminale të mashtrimit me lojëra të fatit e kanë ushtruar kundërligjshëm për më shumë se një vit, derisa janë kap në flagrancë. Nga muaji shkurt i vitit 2015, e deri më 1 dhjetor 2016, të pandehurit Skënder Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhia si menaxherë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, kanë organizuar dhe marrë pjesë në organizimin e lojërave të tilla të kundërligjshme, në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit, që asokohe ishte në fuqi.

Dhe sipas aktakuzës së ngritur kundër tyre, thuhet se ata mashtrimin e kanë bërë në atë mënyrë që edhe pse Skënder Fetaj, kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën, në menaxhimin e të cilit, bashkëvepronin Arian Kastrati dhe Driton Haxhia, me dijeni dhe dashje të tij, të tre bashkë kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin, kanë siguruar numra serik të duplifikuar-e falsifikuar të roletave dhe të aparateve të automateve, e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme dhe kështu kanë krijuar përfitime të kundërligjshme, duke ushtruar këtë veprimtari antiligjore pa licencë. Tutje, në aktakuzë thuhet që pas organizimit të kontrollit me urdhër të gjykatës, në tri operacione më 22 prill e 23 prill të vitit 2015, 23 prill 2016, dhe në operacionin e 1 dhjetorit 2016, në pikat e “EGTK II”, janë gjetur tre roleta të duplifikuar – falsifikuar dhe secila roletë ka nga katër ulëse aktive, por nuk është paguar as akciza për secilën ulëse nga 420 euro në muaj, që për një muaj arrin shumën prej 5 mijë e 40 euro, ndërsa nëse llogaritet për një vit të plotë, shuma e detyrimit shkon në 60 mijë e 480 euro.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se, gjatë aksionit të 1 dhjetorit 2016, janë gjetur 18 aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot” të duplifikuara-falsifikuara, të licencuara në qytete të caktuara, por të vendosura në qytete krejt tjera, si dhe katër aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot”, të cilët nuk kanë qenë fare të licencuar në ATK, kështu që e gjitha kjo rezulton se për çdo aparat të dublifikuar-falsifikuar dhe të pa licencuar, gjithsej 23 aparate në bazë të vendimit të Qeverisë të 22 korrikut 2015, është dashur të paguhet akciza mujore prej 700 euro dhe atë në shumën prej 16 mijë e 100 euro në muaj, e nëse llogaritet detyrimi vjetor, ai do të ishte mbi193 mijë e 200 euro, por që ka shkuar në xhepat e kriminelëve në fjalë dhe nuk është paguar kurrë. Prandaj në aktakuzë thuhet se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253 mijë e 680 euro, të cilët akuzohen nga PSRK që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”! Për aq më tepër, Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhia dhe Burim Ismajli akuzohen se që nga fillimi i vitit 2016 deri më 1 dhjetor 2016, në vende të ndryshme në Kosovë, në marrëveshje paraprake me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër kanë organizuar në bashkëkryerje lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligjin për Lojëra të Fatit në Kosovë.

Gjithnjë sipas aktakuzës në fjalë, në njësitë e bastores, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit ndërmjet tyre, personat e apostrofuar, kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me qen” të cilët përmes një personi të quajtur Hekuran, i kanë instaluar këto lojëra në kompjuterë të bastores në vende që ka me pak kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit. Po ashtu, të pandehurit thuhet se me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kanë zhvilluar aktivitete të ndaluara në bastore sportive në pika e njësi të palicencuara nga ATK-ja, si dhe kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë. Me rastin e kontrollit të këtij biznesi, me urdhër të gjykatës, të kryer më 1 dhjetor 2016 thuhet se janë gjetur 16 njësi të palicencuara e sipas Ligjit për Lojëra të Fatit për secilën pikë të re të hapur do të duhej të paguhej shuma prej 5 mijë euro dhe për çdo muaj akciza për një pikë-njësi të bastores shuma prej 840 euro, duke i ikur kështu detyrimit të licencimit fillestar në shumë prej 80 mijë euro dhe akcizës mujore prej 13 mijë e 400 euro. Për aq më tepër, pandehuri Ramadan Ibishi, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, thuhet se nga fundi i vitit 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, me qëllim të përfitimit material dhe pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare.

Dhe këtë thuhet se e ka bërë përmes telefonit të tij, duke i njoftuar personat e paautorizuar- menaxherët e kompanive të lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur dhe ku ata do të dalin për kontrolle në aksion, vetëm apo me policinë dhe Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime që t’i mbyllin lokalet, në mënyrë që këta persona të mund t’iu iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre. Edhe i pandehuri Selatin Hoxha, thuhet se që nga viti 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, si inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material, iu ka vënë në dispozicion pa autorizim, të pandehurve Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare, përmes telefonave të tij duke i njoftuar paraprakisht menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokaleve apo edhe është takuar fizikisht me ta, për t’i njoftuar parakohshëm, për kontrollet duke iu mundësuar që t’u ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Kurse, Fisnik Ibishi që është djali i të akuzuarit Ramadan Ibishi edhe ai akuzohet për veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 33 të KPRK-së, duke i përcjellë Ramadan Ibishit, informatat zyrtare kur dhe ku do të kryhen kontrolle nga inspektorët e ATK-së në bizneset e lojërave të fatit, në mënyrë që i pandehuri, derisa ka qenë në orar të punës, i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve duke përdorur gjatë njoftimit fjalorin apo zhargonin e “kodifikuar”, si; “jam në qytetin e Gjakovës, jam në Gjilan, Viti, etj, a ke kohë për kafe”. Dhe në këtë mënyrë, edhe iu ka dhënë informatat atyre, se ku dhe në cilin qytet janë duke dalë kontrollet e ATK-së për inspektim të lokaleve, për t`ua mundësuar kompanive të lojërave të fatit dhe menaxherëve të tyre, që t’u ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre. Të gjitha këto raste dhe të tjerat të tilla apo të ngjashme, parashtrojnë nevojën urgjente, që përveç spastrimit gjeneral të institucioneve të drejtësisë nga shtresat e krimit të organizuar, përmes VETTINGut, një proces i thellë i hetimit dhe fshesë e madhe për spastrim rrënjësor, medoemos duhet të ndodhën edhe në administratën e shtetit, përmes mekanizmit të dekriminalizimit të plotë juridik dhe ligjor në gjithë Republikën e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".