‘Prokurori që i liroi spiunët serb, blerës të simboleve të UÇK-së,një shërbëtor besnik i BIA-s serbe’

‘Prokurori që i liroi spiunët serb, blerës të simboleve të UÇK-së,një shërbëtor besnik i BIA-s serbe’

Gani Qarri

  • 02 March 2022 - 07:38

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ky veprim i befasishëm, pa asnjë konsultim ndërshtetëror e ndërinstitucional, i Prokurorisë është i papranueshëm si për Qeverinë e vendit, ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Injorimi, neglizhenca dhe moskokëçarja e Prokurorisë Speciale është ofrim mundësie i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në fakt arrestimi dhe më pastaj lirimi i papritur dhe fare i paarsyetuar, i tre spiunëve të paftuar të Serbisë, të sjellë si me marrëveshje paraprake nga një shqiptar me veturë nga Dheu i Bardhë, për të blerë emblema dhe uniforma ushtarake të UÇK-së në Prishtinë, ka habitur jo vetëm institucionet, të cilat po bëjnë sikur nuk kanë ditur asgjë për vendimin lirues të prokurorit, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Rasti i kapjes së tre "mysafirëve" të paftuar serb, të dyshuar si pjesëtar të BIA-së serbe, e për njërin nga ta, u tha se edhe u dokumentua që ishte edhe spiunë i shërbimeve të fshehta ruse, të cilët kishin ardhur nga Serbia, në kryeqytet të Kosovës, për të blerë uniforma të UÇK-së,për qëllime të dyshimta, shton domosdonë që këto simbole, të trajtohen si brend i mbrojtur shtetëror dhe vlerë e pa konvertueshme e luftës së Kosovës, që nuk guxon të huazohen, shiten as keqpërdoren, dhe duhet të mbrohen edhe me ligj të veçantë.

Një hap i tillë, duhet të ndërmerret urgjentisht, në mënyrë që të mos guxojë të tregtohet, luhet as abuzohet edhe nga shqiptarët, se lëre më nga spiunët serbo-rus, me uniformën dhe simbolet ushtarake të UÇK-së për çështje biznesi, keqpërdorimi a inskenimi të ndonjë akti terrorist, nga serbët, qëllim me të cilin ishin dërguar të parapërgatitur edhe spiunët serbo-rus nga Serbia. Kështu që shqiptarët dhe institucionet e Kosovës, duhet të mësojnë njëherë e mirë, nga raste si këto dhe të marrin vendim urgjent për ndalimin me ligj, të prodhimit, shitjes e abuzimit dhe nxjerrjes së pa autorizuar në treg, simbole që përdoren edhe sot, për biznes pa kritere dhe përfitime materiale.

Një vendim i tillë, është i domosdoshëm, për vet faktin se, nga rrjete të shërbimeve sekrete serbë, uniforma dhe simbolet e UÇK-së, janë keqpërdorur në disa raste, për inskenim të situatave subversive, diversante a terroriste në emër të shqiptarëve, për kinse sulme ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe! Për aq më tepër, rasti i fundit, tregoi edhe brishtësinë e pashpjegueshme, neglizhencën dhe jo funksionalitetin e strukturës së AKI-së, e cila nuk është rasti i parë, që dëshmon publikisht para të gjithë qytetarëve të Kosovës, se në vazhdimësi përcillet nga dobësi të mëdha dhe nuk është as për së afërmi në nivel të detyrës, agjenci që sipas emrit dhe obligimeve ligjore që ka marrë mbi vete, do të duhej ti kishte zbuluar dhe izoluar me kohë grupet e tilla kriminale dhe jo ngjarje kaq banale, të na zënë tërësisht të papërgatitur.

Njerëz dhe grupe spiunësh, që vinë dhe blejnë,në mes të ditës, midis kryeqytetit të vendit, uniforma dhe simbolet të UCK-së, mund të kenë pasur për qëllim planifikimin dhe inskenimin e ndonjë sulmi ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe në zonat e banuara prej kësaj pakice edhe ashtu mjaft të zhurmshme dhe shumë problematike. Dhe krejt kjo, më qëllim që të shfrytëzohet lufta Rusi-Ukrainë, për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe përgatitjen e pretekstit Serbisë fashiste, për intervenim në këtë pjesë të territorit tonë, kinse për mbrojtjen e pakicës serbe, nga sulmet e "shqiptarëve" me uniforma të UÇK-së, të blera në mes të Prishtinës nga spiunët serb, njëri prej të cilëve, përveçse ishte pjesëtarë i Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA), kishte kontakt direkët edhe me shërbimet sekrete të Rusisë, të cilat aktualisht, po lënë nam duke terrorizuar popullsinë civile në Ukrainë. Vet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se njëri nga tre serbët e arrestuar në Prishtinë ishte pjesëtarë i Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA) dhe kishte kontakt direkt me shërbimet e fshehta të Rusisë, e cila në një konferencë për medie, ka deklaruar se serbët që blenë uniforma ushtarake dhe emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund ta cenojnë sigurinë në vend dhe t’i shtojnë tensionet në veri të Kosovës.

Po ashtu edhe institucionet e sigurisë së Kosovës, u tha se kanë informacione të sakta, që njëri prej spiunëve serb të shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata e Rusisë, individë të strukturave të Agjencisë Serbe të Inteligjencës dhe shërbime të fshehta ruse. Ministrja Haxhiu, sqaroi se sipas informacioneve që posedojnë si ministri, pamjeve nga kamerat dhe informatave të institucioneve të sigurisë shtetërore, personat e dyshuar, kanë hyrë nga Serbia në Kosovë po të njëjtën ditë, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe kanë shkuar për të blerë emblema dhe veshmbathje ushtarake të UÇK-së, në një nga dyqanet në qendër të Prishtinës.

Ndaj vetëm fati ka bërë, që pikërisht në kohën dhe momentin e duhur, ka rastisur të jetë aty edhe policia, ndaj spiunët e serbo-rus, kanë blerë vetëm 5 emblema të UÇK-së, nga frika se do tu binin në sy policëve të Kosovës. Kështu që, institucionet e sigurisë, duke poseduar informacione konkrete se të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici ka komunikime të shumta me figura të dyshimta nga Federata ruse dhe pjesëtar të strukturave të inteligjencës serbe etj, të cilët kishin udhëtuar ekstra nga Serbia, duke u sjellë nga një shqiptar me makinë në kryeqytetin e Kosovës, për të blerë edhe simbole e uniforma ushtarake të UÇK-së, të gjitha këto, kanë bërë që të rriten dyshimet se personat në fjalë bashkë me strukturat paralele të Serbisë, kishin për qëllim të përgatisin ndonjë aktivitet të rrezikshëm, që do të cenonte sigurinë dhe shtonte tensionet në veri, apo shkaktonte incidente në ndonjërën nga pikat më të ndjeshme kufitare të Kosovës me Serbinë.

Për arsye të tilla shqetësuese, Ministrja Haxhiu me të drejtë, e ngre edhe më shumë shqetësimin për mos funksionim të drejtësisë pasi që përkundër informacioneve që kanë poseduar, Prokuroria Speciale, prokurori i saj, ka liruar në procedurë të rregullt spiunët e dyshuar serb. Ky veprim i befasishëm, pa asnjë konsultim ndërshtetëror e ndërinstitucional, i Prokurorisë është i papranueshëm si për Qeverinë e vendit, ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Injorimi, neglizhenca dhe moskokëçarja e Prokurorisë Speciale është ofrim mundësie i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ministrja Haxhiu ka alarmuar se këto janë veprime shumë të çuditshme të Prokurorisë, përkundër dyshimeve të rëndësishme që kanë ofruar institucionet e sigurisë, e bazuar në këtë rast, ajo me arsye, ka kërkuar nga institucionet e vendit, që sidomos pas rrethanave të krijuara nga agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, si dhe rreshtimit të Serbisë krahë Rusisë, të kenë kujdes të shtuar dhe bashkëpunim më të fuqishëm ndërinstitucional dhe jo ti injorojnë si me rastin në fjlë, rreziqet e mundshme, sepse edhe në të kaluarën, vetëm kur kemi dëshmuar bashkëpunim institucional dhe kujdes të shtuar e profesionalizëm, kemi arritur sukses.

Ndërsa për veprimet e fundit të prokurorit dhe Prokurorisë Speciale, Haxhiu ka shtuar, se ato dëshmojnë që reformat të cilat kanë nisur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë janë mese të domosdoshme dhe më të nevojshme se kurrë, për të cilat do të punohet pa ndalë deri në fund, në mënyrë që shteti i Kosovës, të ketë njëmend institucione të përgjegjshme të drejtësisë, prokuror e gjyqtar që dinë ta zbatojnë ligjin dhe mbrojnë interesin e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, për të cilat marrin pagat më të mëdha në rajon dhe paguhen majmë, nga taksapaguesit e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".