Për një drejtësi efektive dhe të pavarur, një pastrim total gjeneral deri në Gjykatën Kushtetuese

Për një drejtësi efektive dhe të pavarur, një pastrim total gjeneral deri në Gjykatën Kushtetuese

Gani Qarri

  • 02 September 2022 - 07:30

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Fakti që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), konstaton se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës megjithëse është adresa e fundit ku qytetarët drejtohen për mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut, por ajo si institucion ka dështuar të shërbejë si gardian adekuat i vet Kushtetutës, e bënë të domosdoshme që në pakon e Reformës gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe procesit Vetting, medoemos të futet edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Siç del edhe nga monitorimet e vazhdueshme, kjo Gjykatë prej se është themeluar, është kritikuar në vijimësi si institucion tërësisht i varur nga politika, jo funksional dhe i dështuar! Një raport tejet negativ dhe shumë kritik mbi monitorimin e punës së Gjykatës Kushtetuese, së fundi e ka publikuar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan ka prezantuar raportin “Sfidat në trajtimin e krimeve të përgjithshme”, raport që vije nga monitorimi sistematik i IKD-së, bërë Divizioneve Penale të gjykatave të të gjitha niveleve në vend. Sipas hulumtimit të IKD-s del se Divizionet Penale të gjykatave edhe gjatë vitit 2021 janë ballafaquar me një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, ku në fund të këtij viti të pakryera kanë mbetur mbi 31,314 lëndë penale të përgjithshme.

Një sëmundje e tillë sipas IKD-së po e mundon rëndë dhe në vijimësi edhe trajtimin e rasteve specifike që rëndom shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, gjykatë e cila po tregohet skajshmërisht joefikase në trajtimin adekuat të shumë rasteve, që ndërlidhen pikërisht me të drejtat e viktimave të dhunës në familje! IKD konstaton se vonesat në rastin e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nuk përbëjnë çështje të izoluar, pasi që ato përfshijnë edhe një gamë të gjerë të veprave e natyrave të tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut, të cilat nga gjykatat e rregullta shkojnë në Gjykatën Kushtetuese si instanca e fundit, por për kohë të gjatë mbeten edhe aty, të pazgjidhura. Dhe shumë raste të rëndësishme ende presin në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, si rasti i kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në komuna të caktuara të Kosovës, që megjithëse kanë kaluar mese 16 muaj, ende nuk ka asnjë vendim, e nga analizat e bëra viteve të fundit, del se Gjykatës Kushtetuese, mesatarisht i duhen 14 muaj për të marrë një vendim.

Në reagimin e IKD-s, thuhet se ekziston një bllokadë e trajtimit të rasteve që adresohen në Kushtetuese, pasi që, përderisa viteve të fundit kushtetuesja i pranon rreth 200-250 kërkesa të palëve në vit, ajo i nxjerr vetëm 20-30 aktgjykime meritore, kurse të tjera janë kryesisht vendime për papranueshmëri. Kështu që siç konstaton IKD megjithëse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera drejtohen për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës në përgjithësi, ajo si institucion ka dështuar të shërbejë si gardian adekuat i Kushtetutës, duke vonuar të zgjidhë rastet në kohë të arsyeshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".