Afera e vilave në parkun nacional Brezovica, shembull i guximit për Prokurorinë Speciale se si duhet perballur me bandat e krimit!

Afera e vilave në parkun nacional Brezovica, shembull i guximit për Prokurorinë Speciale se si duhet perballur  me bandat e krimit!

Gani Qarri

  • 23 September 2022 - 07:31

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Vetë zbulimi me sukses i zinxhirit të krimit të organizuar në aferën e madhe të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrimit të natyrës në parkun Nacional Brezovica, është një nga goditjet më të rënda kundër krimit të organizuar të lidhur ngushtë me ish politikën qeverisëse veçanërisht të partive të inkriminuara, madje në këtë aferë mundë të befasohemi me zbulimin edhe të emrave tjerë të ish liderëve të inkriminuar politik.

-Në aksionin më të ri, të koduar Brezovica 6-t, të ditës së martë, më 21 Shtator, bëhet e ditur se është bastisur edhe shtëpia e biznesmenit Bajram Gashani, pronarit të kompanisë ndërtimore “Al Trade”, i dyshuar për përfshirje në aferën “Brezovica”! Është me shumë rëndësi të ceket fakti, se me nismën e prokurorit të mirënjohur Rasim Maloku, i cili po shkëlqen ,në punën e tij, aksioni i parë “Brezovica”, ka filluar më 21 dhjetor të vitit të kaluar dhe në mesin e të arrestuarve në aksionet e deritanishme, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Nikoliq përndryshe vëlla i ish agjentit të BIA-së së Serbisë dhe këshilltar i Hashim Thaçit, Branisllav Nikoliqit, dyshohet se ka përfituar rreth 1 milion euro kundërligjshëm nga politikanët më të lartë shtetëror e politik të Kosovës, që nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj,Fatmir Limaj, Atifete Jahjaga, Hajredin Kuqi, Enver Hoxhaj,Arsim Bajrami, Memli Krasniqi, Abelard Tahiri,Bekim Qollaku etj, për dhënien e lejeve të ndërtimit të vilave, të lëshuara nga administrata paralele serbe, me ligje të Serbisë, pasi që me ligjet e Republikës së Kosovës, ishte i ndaluar ndërtimi në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar në Brezovicë! Ndërsa në aksionin më të ri, është arrestuar edhe asamblisti i Lëvizjes i Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu, dhëndri i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, lajmin për arrestimin e Lahut e ka konfirmuar edhe vet prokurori i rastit, Rasim Maloku, gjë që do duhej të pasonte edhe me arrestimin e vet ministrit Liburn Aliu.

Megjithatë le të shpresojmë se së shpejti mund të ndodhë edhe arrestimi i Liburnit, pasi që arrestimi i Berat Lahut, dëshmoi për herë të parë, se edhe dikush i partisë në pushtet dhe i lidhur familjarisht me njërin prej ministrave të qeverisë aktuale, si ministri Liburn Aliu pas ndryshimeve politike të para dy viteve, mund të ndodhë të arrestohet edhe në Kosovë, akt që gjatë qeverisjeve nga partitë e inkriminuara, nuk ka mundur as të paramendohet! Vetë zbulimi me sukses i zinxhirit të krimit të organizuar në aferën e madhe të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrimit të natyrës në parkun Nacional Brezovica, është një nga goditjet më të rënda kundër krimit të organizuar të lidhur ngushtë me ish politikën qeverisëse veçanërisht të partive të inkriminuara, madje në këtë aferë mundë të befasohemi me zbulimin edhe të emrave tjerë të ish liderëve të inkriminuar politik.

Sa i takon rastit të suksesshëm prokurorial “Brezovica”, deri më tani në burgje janë ngujuar mbi 30 persona, përfshirë katër zyrtarë të lartë të shtetit në lidhje me ndërtimet e mbi 500 vilave e hoteleve të kundërligjshme në zonën e mbrojtur të Parkut Nacional, në Brezovicë, ndërsa në aksionin e policisë dhe të prokurorisë të ditës së martë janë arrestuar edhe 7 persona tjerë ndaj bilanci përfundimtar i të burgosurve për përfshirje në këtë aferë të kundërligjshme, deri më tani ka rezultuar me 37 persona të arrestuar. Sipas njoftimit në media, aksioni i fundit është zhvilluar në tri lokacione, kurse nga katër aksionet në rastin e ashtuquajtur “Brezovica”,përveç masave të paraburgimit, janë bllokuar edhe afër 6 milionë euro.

Lidhur me aferën e ndërtimeve të kundërligjshme në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar në Brezovicë, në aksionin Brezovica 6, është arrestuar edhe Arben Çitaku, ish-sekretar i Ministrisë së Ambientit, S.I, kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica“ dhe doganierin N.G. Nga shtatë të arrestuar në aksionin e 21 shtatorit, çuditërisht, tre nga të arrestuarit janë hiq më pak, se zyrtar të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa njëri prej tyre është zyrtar i KEDS-it, kurse tre të tjerët, biznesmenë-investitorë që kanë siguruar lejet e ndërtimit kundërligjshëm me ryshfet, dhe në marrëveshje me kryetarin e komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq.

Në media, kaherë është raportuar se Brezovica është e mbi populluar me vila të zyrtarëve të lartë politik dhe shtetëror, duke filluar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, tanimë është konfirmuar edhe nga Prokuroria se ka në pronësi një vilë në Brezovicë, ndërsa në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020 ai kishte deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një tokë bujqësore dhe dy shtëpi.

Për aq më tepër, Hashim Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të kundërligjshme në Brezovicë, madje për hise në këtë Park Nacional është raportuar edhe për ish-presidenten Atifete Jahjaga, e cila po ashtu ka në posedim një vilë në Brezovicëi, kurse sipas informatave të raportuara në media, është zbuluar se edhe kreu i tashëm i PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri posedojnë vila, të ndërtuara kundërligjshëm në Parkun Kombëtar të “Sharrit”.

Megjithatë Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë ka thënë vetëm se ka në pronësi të përbashkët një “shtëpi malore”, pa specifikuar lokacionin se ku gjendet ajo. Vila dhe prona në Brezovicë, sipas informatave të prokurorisë kanë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, por edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove.

Vila në Brezovicë sipas raportimeve në media, të cilat nuk janë demantuar nga asnjëri prej të apostrofuarve kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, që të dy këta bashkë partiak të dikurshëm dhe pjesë e ish pushtetit mbi 12 vjeçar të udhëhequr nga PDSK & Co.

Çollaku, në deklarimin e fundit të bërë në AKK ka treguar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza në atë kohë në ndërtim e sipër, pa treguar se për çfarë shtëpizash bëhet fjalë dhe në cilin lokacion gjenden ato, kurse, Limaj ka të deklaruar vetëm një truall në pronësi të përbashkët familjare. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjithë këta, vila në Parkun Kombëtar në Brezovicë, posedojnë edhe Enver Hoxhaj i PDK-së si dhe Arsim Bajrami, ish anëtar i PDK-së dhe ish-ministër i Arsimit në Qeverinë Thaçi!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".