Të korruptuarit nuk e duan verifikimin e pasurisë të fituar nga krimi që rrezikohet nga konfiskimi

Të korruptuarit nuk e duan verifikimin e pasurisë të fituar nga krimi që rrezikohet nga konfiskimi

Gani Qarri

  • 26 September 2022 - 07:30

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Dëgjimi i parë publik për projektligjin mbi Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, është mbajtur të premten e kaluar në Kuvendin e Kosovës në të cilin dëgjim mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por nga paniku që i ka përfshirë politikanët e inkriminuar, u bojkotua pjesëmarrja edhe nga deputetët e opozitës, e cila duket se kanë rënë në hall të madh, se si ti fshehë plaçkitjet masive mbi 20 vjeçare të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Mjerisht, për fatin e keq të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, tanimë ka filluar të shpërfaqet publikisht dhe më hapur se kurrë më parë, barrikadimi mafioz i ish pushtetarëve të korruptuar e të inkriminuar deri në fyt, për dy dekada të qeverisjes së kaluar, të cilët janë pozicionuar në mënyrë frontale, kundër reformës së filluar ligjore nga Qeveria Kurti në sistemin e drejtësisë. Këtë ata po e manifestojnë, duke bojkotuar në tërësi edhe fillimin e diskutimit publik të ligjit më të ri për Byronë Shtetërore mbi Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, akt ligjor ky, që ka filluar, jo vetëm ti frikësoj shumë, por edhe ti lë tërësisht pagjumë të gjithë aktorët e dyshimtë e pervers, të pasurisë së paligjshme, të cilët më shumë se kudo tjetër, i gjen veçanërisht me (hiper)-bollëk, në opozitën e inkriminuar.

Në fakt ligji i lartpërmendur, në parim, e ka kaluar leximin e parë, që në sesionin pranveror, kurse tani me fillimin e sesionit të ri, ka filluar pa vonesë organizimi i seancave dëgjimore, me partitë politike e grupet e interesit, për diskutim publik dhe propozim të amendamenteve për finalizimin e ligjit dhe miratimin e tij final,në Kuvend Madje sipas Projektligjit në procedurë, të harmonizuar edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, Byroja pritet të ketë përveç përgjegjësisë zyrtare edhe kompetencë ligjore për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtrimin e propozimit ligjor për konfiskim juridik të pasurisë së kundërligjshme në gjykatë të rregullt.

Ndaj pikërisht ky fakt, ka bërë që opozitarët e kriminalizuar ti frikësohen pa masë, bërjes së Ligjit antikorrupsion, për shkak të ankthit për konfiskimin e pasurisë së grumbulluar nga plaçkitja, korrupsioni dhe krimi i organizuar, pasi që edhe vet hetimi dhe verifikimi i saj, me ligjin e ri, do të ketë një diapazon shumë më të zgjeruar, për tu hetuar edhe në bazë të gjerë familjare, ku politikanët e kriminalizuar, duket se kanë shpërndarë formalisht pasurinë e grumbulluar në mënyrë të errët dhe format më perfide të inkriminimit mafioz.

Kështu që, byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do të përfshijë kontrollimin e pasurisë, jo vetëm për "administratorët" e ulët, e të pa mbështetur politikisht, por për të gjithë zyrtarët publikë dhe pushtetarët e inkriminuar në Kosovë, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre dhe palëve të treta, në emrin e të cilëve, dyshohet ta kenë regjistruar formalisht pasurinë e vjedhur e të plaçkitur, që nënkupton të gjithë personat tek të cilët ka të dhëna se është bartur, në mënyrë mafioze, pasuria e "kamorras" politike, të njohur si ish zyrtarë shtetëror me qëllim të fshehjes së autorëve të vërtetë të pronësisë, për ti ikur konfiskimit dhe dënimit nga ligji.

Dëgjimi i parë publik për projektligjin mbi Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, është mbajtur të premten e kaluar në Kuvendin e Kosovës në të cilin dëgjim mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por nga paniku që i ka përfshirë politikanët e inkriminuar, u bojkotua pjesëmarrja edhe nga deputetët e opozitës, e cila duket se kanë rënë në hall të madh, se si ti fshehë plaçkitjet masive mbi 20 vjeçare të popullit dhe shtetit të Kosovës. Megjithatë, ministrja Haxhiu ka theksuar para organizatave të shoqërisë civile, publikut dhe deputetëve të pranishëm, se ligji në fjalë, është mekanizmi më i ri për luftimin në mënyrën më efektive të korrupsionit dhe kthimin e pasurive të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, aty ku e kanë vendin, nga të gjithë zyrtarët e inkriminuar, përmbi dy dekada.

Po ashtu ministrja Haxhiu është zotuar edhe për ofrim të mbështetjes së plotë për Kuvendin e Kosovës me ekspert të Ministrisë së Drejtësisë, që edhe ata të ndihmojnë me të gjitha mundësitë dhe kompetencat ligjore e profesionale, në hartimin e amendamenteve të projektligjit të ri anti-korrupsion, sipas Opinionit të Komisionit të Venecias dhe rekomandimeve që dalin nga ky opinion. Dhe siç sqaroi edhe vet Ministrja “Opinioni i Komisionit të Venecias në çështjen e Byrosë ka dhënë opsionet e duhura për zgjidhjen dhe mënyrat se si mund të ndryshohet ligji në të mirë të praktikës ndërkombëtare edhe për de-politizimin e Byrosë dhe fuqizimin e saj të plotë me të gjitha kompetencat e nevojshme juridike dhe legjislative.

Prandaj Ministrja Haxhiu ka kërkuar edhe nga opozita, që ti ofrojë amendamentet me propozimet e saj konkrete, si dhe të delegojë përfaqësuesit dhe deputetët e vet në komision, ku edhe Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë angazhimin e pareshtur, deri në përfundimin e kësaj iniciative ligjore, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, Kushtetutën dhe ligjet tjera në fuqi të shtetit të Kosovës, duke e marr seriozisht në konsideratë secilin propozim dhe rekomandim nga Komisioni i Venecias.

Ndaj bojkotimi i paturp, i komisionit të Grupit punues, nga opozitarët e inkriminuar, është dëshmia më domethënëse e cila flet qartë, se udhëheqësit e kriminalizuar të opozitës, për dy dekada me radhë, janë pasuruar kundërligjshëm nga korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar në vend, që kishte përfshi të gjitha hallkat e shtetit dhe të jetës së qytetarëve, ndaj ata, as sot, nuk janë të gatshëm të shkëputen përfundimisht nga lidhjet me krimin, pasi që ligji i ri, ka për objekt, pikërisht trajtimin e pasurisë së tyre të paligjshme, përmes verifikimit të detajuar ligjor, si dhe hulumtimin e rrugëve të prejardhjes së saj dhe metodave e mënyrës se si ajo është krijuar në përmasa të tilla, për aq kohë të shkurtër, deri në shkallë marramendëse, për të cilat, ka ardhur koha, që përfundimisht ata të përgjigjen para ligjit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".