Prokuroria të mos bëhet shërbëtore e krimit, të zbardhet lista e plotë e pronarëve të villave të konfiskuara në Brezovicë

Prokuroria të mos bëhet shërbëtore e krimit, të zbardhet lista e plotë e pronarëve të villave të konfiskuara në Brezovicë

Gani Qarri

  • 20 October 2022 - 07:41

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Skandali apokaliptik i dëmtimit të parkut kombëtar “Sharri” nuk është i pari as i fundit, por njëri nga më të rëndit që ka ndodhur nën qeverisjen e ish udhëheqësve të inkriminuar shtetëror, i cili tanimë po mbushet gati një vit, qysh kur është duke u hetuar e ndjekur penalisht dhe së fundi ka rezultuar me konfiskimin e mese 100 objekteve të ndërtuara kundërligjshëm në atë zonë, nga vet ish funksionarët kryesor të shtetit të Kosovës.

-Brezovica zonë e veçantë dhe nga perlat më të bukura turistike që ka Republika e Kosovës, përkundër faktit se me ligjet e Republikës sonë ishte i ndaluar ndërtimi, atje u ndërtua kundërligjshëm nga vet udhëheqësit kryesor të shtetit të Kosovës, që nga Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj deri te Hajredin Kuqi, Enver Hoxhaj e Fatmir Limaj etj, madje për tu bërë çudia edhe më e madhe, pikërisht ata vet, i filluan ndërtimet me ligjet serbe dhe lejet e lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë.

Prandaj përveç vendimit për konfiskimin e objekteve kundërligjore, Prokuroria e Kosovës, përfundimisht duhet ta marrë guximin që ta publikojë edhe listën e plotë me emrat e të gjithë personave të cilët po hetohen për super skandalin e shkatërrimit të Parkut Nacional "Sharri" në Brezovicë, me ndërtimet e kundërligjshme, përmes lejeve të lëshuara nga organet paralele të Serbisë. Skandal mbi skandal, që nuk është për tu habitur me vendimin plotësisht të drejtë ligjor të Prokurorisë së Ferizajt, për konfiskimin e mbi 100 vilave, të ndërtuara kundërligjshëm, nga nomenklatura e ish udhëheqësve shtetëror e partiak me familjar, kolegë e bashkëpunëtor, në Brezovicë, i cili u bë edhe top lajm, si aksioni i parë më i guximshëm dhe bombastik, i ndërmarrë deri më tani në dy dekadat e pasluftës, për të cilën u përfol me të madhe jo vetëm në Kosovë, por në gjithë diasporën kudo ka shqiptar e më tej.

Madje ajo që gëzoi pa masë të gjithë qytetarët, është fakti që nga Prokuroria u paralajmërua se aksioni do vazhdoj edhe ditëve ne vijim, një zotim i cili vërtetë po mbështet me të madhe dhe po gëzon përkrahje të përgjithshme publike nga të gjithë qytetarët. Rast inovativ dhe i pa-ndodhur deri më tani në gjithë Kosovën, për çka duhet falënderuar publikisht prokurori Rasim Maloku, i cili me të drejtë, aktualisht po ndriçon si yll polar në gjithë vendin, për guximin e treguar, me hedhjen poshtë dhe zhvlerësimin zyrtar të vendimeve të strukturave paralele të Serbisë, rivendosjen e rendit e të ligjit, dhe respektimin e ligjeve, Kushtetutës dhe të shtetit të Kosovës.

Akt do të thoja revolucionar në sistemin e një drejtësie të kapur e të nënshtruar nga politika e inkriminuar, i cili po merr edhe vëmendje të madhe mediatike dhe mbështetje të gjithanshme qytetare, që na bënë të shpresojmë se në kohën kur nuk rrezikon hetimet e mëtejme të rastit, do ti shtohet edhe transparenca dhe zbardhja e listës së plotë, me emër e mbiemër të pronarëve autentik, për secilin objekt të sekuestruar.

Kjo edhe për sqarimin e opinionit publik në mënyrë objektive, pasi që jo zyrtarisht janë raportuar shkarazi në medie disa emra dhe piketuar zyrtarë e ish zyrtarë të lartë të shtetit, si pronar që kanë zaptuar dhe ndërtuar kundërligjshëm në atë zonë turistike, si Parku Kombëtar "Sharri" ku siç dihet tanimë nga të gjithë, përderisa ndërtimi ishte i ndaluar me ligjet e shtetit të Kosovës, vet ish udhëheqësit e Kosovës, nuk kanë hezituar të ndërtojnë me leje të strukturave paralele të Serbisë?! Prandaj përderisa nga Prokuroria dihen saktësisht të gjithë emrat e ish udhëheqësve shtetëror, të cilët me vetëdije, edhe nga pozitat udhëheqëse shtetërore, kanë thyer ligjet e Kosovës, në momentin që mendon Prokuroria se informimi publik mbi emrat e pronarëve nuk dëmton hetimet, duhet të ceken me emra secili prej tyre, për të mos lejuar spekulimet e kuluareve e të ndejave nëpër kafene duke informuar opinionin edhe për përgjegjësit publike, politike, juridike dhe penale të ndërmarra ashtu siç e parashohin ligjet e shtetit të Kosovës kundër tyre.

Kështu që nëse në mesin e tyre, ka edhe emra zyrtarësh që aktualisht mund të jenë në funksion polik e shtetëror, kjo mundë dhe duhet të ndikojë që ata vet të ofrojnë dorëheqje, përderisa të vazhdojnë hetimet dhe presin vendimin përfundimtar të Prokurorisë, përndryshe në qoftë se, ndonjëri prej tyre nuk ofron me vullnetin e tij personal dorëheqje, atëherë vet Qeveria e Kosovës duhet ti shkarkojë urgjentisht, deri në vendimin përfundimtar të gjykatave, sepse ky nuk është skandal sa për të thënë, por me konotacion e peshë tejet të rëndë dhe të veçantë penale.

Edhe politika që me të drejtë ka dalë në mbështetje të këtij aksioni fenomanal të Prokurorisë së Ferizajt dhe Prokurorit shembullor, Rasim Maloku, bashkë me Prokurorinë e Shtetit, duhet të jenë shumë më të zëshme dhe transparente, për të frymëzuar edhe prokurorët dhe prokuroritë tjera në gjithë vendin, për veprime të tilla dhe mos hezituar për ta bërë publike listën dhe emrat e gjithë grupit të përfitueseve të pa ligjshëm që kanë marr guximin, për ta dëmtuar Parkun Kombëtar "Sharri" duke ndërtuar edhe me lejet e strukturave paralele të një vendi ish okupator të Kosovës, si Serbia hegjemoniste, në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës, si grup njerëzish që përbëjnë bërthamën e krimit të organizuar!

Përndryshe ekziston frika e bazuar, se duke heshtur gradualisht dhe mos bërë transparent grupin abuzues, ka rrezik të devalvohet aksioni i nisur dhe zhvlerësohen qëllimisht edhe provat, në mënyrë që edhe ky hetim njëvjeçar të përfundojë sikur shumë raste tjera të "famshme", të ndërhyrjeve të mëparshme "rrufe" me të cilat befasonte opinionin, Policia dhe Prokuroria në të kaluarën, duke krijuar më tepër efekt mediatik e propagandistik sesa praktik dhe përfunduar si storie momenti, të dështuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".