Vëllazërim e bashkimi në mes të serbëve dhe shqiptarëve përtërihet me afera krimi, gjykata e ka nisur procesin e dyshuar me skenar të kurdisur për të dështuar

Vëllazërim e bashkimi në mes të serbëve dhe shqiptarëve përtërihet me afera krimi, gjykata e ka nisur  procesin e dyshuar me skenar të kurdisur për të dështuar

Hajrullah Tërnava

  • 14 January 2023 - 15:34

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Pastrimi nga krimi i organizuar nga ana e shtetit, është çështje me prioritet për shtetin tonë, sepse pa një luftim serioz të këtij lloji të krimit, shteti ynë nuk do të mundë të ecë para në drejtimin e atyre shteteve që po pretendohet, sikur që janë shtetet e BE-së, prandaj edhe tani mjerisht po përgatitet politika dhe krimi i organizuar, për ta futur në rrugë pa krye që në fillim procesin gjyqësor për krim të organizuar dhe korrupsion, kundër ish kryetarit të komunës së Shtërpcës Dragan Jabllanoviq, pasi i njëjti të gjitha veprimet penale kriminale i ka kryer në bashkëveprim me më zyrtarët e lartë të shtetit në mandatet e kaluara.

-Është absurd përtej absurdi se si me kërkesën e njërit mbrojtës të të akuzuarve, është anuluar edhe seanca e paraparë të mbahet të martën ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve, ndërsa, seanca e radhës nuk është caktuar. Ndryshe, edhe seanca e paraparë të mbahej më 7 dhjetor 2022, ishte anuluar me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Jabllanoviq, avokatit Ramë Gashi, me arsyetimin se i akuzuari Jabllanoviq kishte probleme shëndetësore!.

Në këtë rast, Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Pra është një fushë veprimi dhe pjesëmarrje në krim nga një grup zyrtarësh multi etnik, të cilët për interesin e përfitimit të tyre nuk kanë shikuar dallime etnike as aso të natyrës politike, kështu që edhe avokatët e së bashku me trupin gjyqësor të korruptuar kanë filluar të gjejnë gjuhë të përbashkët për ta zvarritur këtë proces, me mundësi për ta devalvuar, ndërhyrë në prova, e ndoshta edhe për ta dërguar deri në dështim me procesin e mundshëm të vonesë me parashkrim.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale. I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup, ashtu që pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Çedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Po ashtu, akuzohet se me vendimin e 2 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për drejtor të Prokurimit në Leposaviq, e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, kurse të pandehurit Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tyre. Tutje, në aktakuzë thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminojë operatorët tjerë ekonomikë, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitojë tenderin dhe më 30 korrik 2015, ta nënshkruajë këtë kontratë, për periudhën kohore prej 30 korrik 2015 deri 30 korrik 2018.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt operatorin ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë. Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës deri sa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.

Ndërsa, i akuzuari Aleksandër Ackoviq, akuzohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër, si anëtar i këtij komisioni me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandër Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshuticë”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndërtimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndërtimi i sheshit të lojërave për fëmijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore në shumë prej 162 mijë e 685 euro e 31 centë, si dhe shumën prej 246 mijë e 28 euro e 42 centë për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornizë “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunën e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 tetor 2015 – 27 tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1 milion e 647 mijë e 244 euro e 1 cent. Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandër Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandër Kostiq, si kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandër Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandër Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet të cilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet. Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Luftimi i krimit sikur që në këto raste u shpjegua në detaje, e që i përfshin etnitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, duhet në mënyrë të pamëshirshme të luftohen, dhe ky luftim i krimit në mënyrë të ashpër, në të ardhmen do iu shërbej edhe shumë të tjerëve që ta kuptojnë se kush është pjesëmarrës në krime të organizuara si dhe krime tjera, pavarësisht etnive, që gjithsesi duhet të gjithë të dënohen, sepse të gjithë para ligjit janë të barabartë, prandaj luftimi duhet të jetë në mënyrë të pamëshirshme dhe permanente, dhe vetëm me këtë mënyrë të luftimit të krimit, Kosovës do ti hapen rrugët drejtë BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".