Gjyqësori i korruptuar po e amniston aktin kriminal të degradimit të natyrës në Parkun Nacional Brezovica nga rrjeti mafioz i nëntokës së krimit të organizuar

Gjyqësori i korruptuar po e amniston aktin kriminal të degradimit të natyrës në Parkun Nacional Brezovica nga rrjeti mafioz i nëntokës së krimit të organizuar
Gjyqësori i korruptuar po e amniston aktin kriminal të degradimit të natyrës në Parkun Nacional Brezovica nga rrjeti mafioz i nëntokës së krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 07 July 2023 - 16:13

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri 

Vendim i fundit më se i turpshëm, i Gjykatës Themelore të Pejës, pro krimit të organizuar dhe kundër një hetimi shembullor, që me muaj të tërë kishte vazhduar dhe ishte cilësuar si beteja më e suksesshme, e hapur dhe pa kompromis e prokurorisë Speciale kundër krimit të organizuar, me persona të inkriminuar, nga e gjithë Kosova dhe të gjitha nivelet e hierarkisë së pushtetit lokal e qendror, sot mori një goditje shumë të rëndë, pas të cilës, Ministrja e drejtësisë, urgjentisht duhet të jap dorëheqje të parevokueshme. Një sistem i tillë, tërësisht deprimues i pa-drejtësisë me vendimet e vazhdueshme, në favor të personave të inkriminuar, korrupsionit e krimit të organizuar, po dëshmon katërçipërisht se pas Serbisë, drejtësia e kriminalizuar deri në rrënjë e këtij vendi, është kundërshtari më i rrezikshëm i shtetit të pavarur të Kosovës!

-Me një ministre të tillë të dështuar dhe sistem kaq të kapur e të korruptuar, edhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi, të mbetur pa drejtësi të njëmendtë, jo vetëm që deprimohet tërësisht, por nga zhgënjimi i pafund, me plot të drejtë, parashtron pyetjen se çfarë sigurie mund të kenë fëmijët, të mbrohen e mbijetojnë, me rend e ligj dhe nder e respekt, në një vend, ku askush nuk e di, se edhe çka tjetër, mund pritet nga një sistem kaq i pashpresë i “drejtësisë”!

Sistem i cili përditë po dëshmohet se nuk e ka, as guximin minimal, për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, madje edhe i mbron që të dyja, me shumë fanatizëm, duke u shërbyer si mik i ngushtë dhe avokat besnik, përderisa ministrja, tash e mbi dy vite e gjysmë, flenë plotësisht e qetë dhe fare e pa trazuar.

Një sihariq shumë zhgënjyes dhe tepër trishtues, që së fundi u publikua pa fije turpi moral, njerëzor as profesional, nga Gjykata Themelore e Pejës e cila me "krenari" na dëshmon se ka vendosur në favor të personave të inkriminuar, dhe ka liruar nga sekuestrimi Vilat e tyre të kundërligjshme, të konfiskuara muaj më parë, me urdhër të po kësaj gjykate, në parkun Kombëtar Brezovica. Një vendim tepër i turpshëm, pro krimit të organizuar dhe kundër një hetimi shembullor, që me muaj të tërë kishte vazhduar dhe ishte cilësuar si beteja më e suksesshme, e hapur dhe pa kompromis e prokurorisë Speciale kundër krimit të organizuar, me persona të inkriminuar, nga e gjithë Kosova dhe të gjitha nivelet e hierarkisë së pushtetit lokal e qendror, që sot mori një goditje shumë të rëndë. 

Prandaj, pas këtij rasti të stërdyshimtë, edhe qytetari më i thjeshtë e parashtron pyetjen se çka pritet ndryshe nga një sistemi i tillë, kaq i kapur, i korruptuar e i pashpresë i pa-drejtësisë, në shtetin e pavarur, me drejtësi të varur e të kapur( për fyti nga krimi) të Kosovës?!

Vet ky rast po dëshmon 100% se përkundër ndryshimeve politike, ish-pushtetarët në çdo aspekt janë të pa prekshëm nga sistemi i drejtësisë që ishte, është dhe duket se i tillë i kapur e i nënshtruar nga rrjetet kriminale do të mbetet në vijimësi!

Kështu që, krejt kjo flet se ka ardhur koha, që Ministrja e drejtësisë, të shkoi urgjentisht nga posti i pamerituar, e cila ekziston vetëm si hije dhe prej se ka ardhur në këtë pozitë, qëndron vetëm si objekt statik kopshtesh për frikësimin e shpezëve, por që po dëshmohet, se nuk ia ka frikën askush.

Ministrja e drejtësisë duhet patjetër ta liroj pozitën e marrë peng, kot së koti, ku sot, edhe më tepër se në vitet e qeverisjeve të inkriminuara, po dëshmohet se sistemi i drejtësisë, nuk është luftues i krimit, por është vet krimi dhe as nuk pritet të përmirësohet, përderisa nuk spastrohet thellësisht, si me fshese, një spastrim i tërë dhe gjeneral, duke filluar nga Ministrja e drejtësisë, e cila për mese dy vite e gjysmë, asnjë përmirësim nuk ka arritur ta bëjë në këtë sistem.

Me këtë ministre në krye, lajmet si njoftimi zyrtar, nga Gjykata Themelore në Pejë, që me shumë krenari, na bënë me dije se ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit Rasim Maloku për caktim të masës së sigurisë për vilat e kundërligjshme të sekuestruara në Brezovicë, nuk janë më befasi, madje ato po kthehen në përditshmëri!

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti, me një ministre si kjo që kemi, ka guximin, që pa ju trembur syri, ta konfirmojë me shumë kënaqësi, se me Urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë UGJK.nr.161/22, të datës 06.07.2023, është hedhë poshtë, si e "pas afatshme" kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar”, në Parkun Kombëtar në Brezovicë, ku është ndërtuar me ligje të Serbisë. 

Madje Gjykatën Themelore në Pejë, nuk e ka penguar fare, fakti se vet ajo, në nëntor të vitit 2022, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte lëshuar urdhër për sekuestrim të përkohshëm të vilave në zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”, në Brezovicë. 

Më 20 tetor të vitit 2922, ishte publikuar edhe lista prej 75 pronave, me vila të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe pasanikëve të tjerë të dyshimtë. 

Për aq më tepër, vilat e sekuestruara, rezulton se janë ndërtuar kundërligjshëm, në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, ku me ligjet e shtetit të Kosovës, për Parkun Kombëtar "Sharri" ndalohen ndërtimet!

Bazuar në dokumentet zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se në Zonën e II-të e këtij Parku, ndalohet rreptësishtë ndërtimi, i çfarëdo objekti për banim, ngase parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet vetëm eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut!

Kurse në listën e 75 pronave, bëhet fjalë kryesisht për villa, me emrat e pronarëve, ku ka gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe pasanikëve të tjerë, të cilët kanë blerë vila apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar vila. 

Në këtë listë, vetëm nga Ferizaj janë tre gjykatës, nga të tria nivelet e gjyqësorit, të cilët që të tre, fillimisht kanë blerë bashkë parcelat, qysh në vitin 2016, me çmim prej 6 mijë eurove secili dhe në vitet e fundit kanë ndërtuar vila. 

Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndaj dhe nuk është për tu habitur, se si Gjykata Themelore në Pejë hoqi dorë, plotësisht, nga sekuestrimi i vilave të ndërtuara kundërligjshëm dhe në vendin e ndaluar, me ligjet e Republikës së Kosovës për ndërtim!?. 

Gjykatën Themelore të Pejës, nuk e pengojë as fakti se sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale.

Sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin!?

Gjykata Themelore në Pejë, është në dijeni, po ashtu, se pas aktakuzës së ngritur në vitin 2022 për degradim të Brezovicës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, rasti Brezovica është zgjeruar,  duke rritur numrin e personave të arrestuar dhe personave që janë nën hetim.

Akt kriminal, ku janë përfshirë zyrtarë dhe biznesmen të ndryshëm, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit” si dhe politikanë të lartë e ish pushtetar si; Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë, vendim për të cilin Ministrja e Drejtësisë duhet të na jap sqarime ose të ikë urgjentisht dhe liroj vendin një figure të aftë për ndryshime dhe sanim urgjent të këtij sistemi katastrofal që nga paslufta, po e turpëron pa fund Kosovën para të gjithëve, sikur të ishte instaluar nga Aleksandër Vuçiqi dhe mbështetet e financohet nga Serbia!

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".