
Lexoni edhe:
PO-ja e madhe e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes është një diplomaci e sinqertë
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Vendimi i delegatëve të LDK-së i marrë më 31 janar 2026, për votëbesimin e kryetarit të LDK-së, edhe pse ishte shumë i ngushtë, duhet të respektohet nga të gjithë. Po ashtu, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet të mësojë nga gabimet e së kaluarës që i bëri ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili, pasi e mundi Nexhat Dacin me një rezultat të ngushtë, nuk e përfshiu fare në kryesinë e LDK-së.
-Me këtë rast ndodhi ndarja e dhimbshme e LDK-së, ku Nexhat Daci formoi një parti të re dhe i mori një pjesë të konsiderueshme LDK-së, e cila më pas nuk u ringrit kurrë. Më vonë, ajo që Fatmir Sejdiu ia bëri Nexhat Dacit iu kthye vetë Fatmir Sejdiut nga ish-këshilltari i tij, Isa Mustafa, i cili pasi ia mori partinë, e pensionoi politikisht Fatmir Sejdiun. Ky i fundit edhe sot mbetet i habitur se si ndodhi një gjë e tillë.
Të njëjtin gabim e bëri edhe Isa Mustafa me Donika Gërvallën, kur nuk e lejoi të futej si delegate e Degës së LDK-së në Gjermani. Gabimi i Isa Mustafës ishte me Donika Gërvallën, por jo edhe me Vjosa Osmanin. Vjosa Osmanin, LDK-ja e udhëhequr në ato vite nga Isa Mustafa e kishte futur edhe kandidate për kryeministre të Kosovës.
Me një fjalë, edhe ky 46 për qind i delegatëve të LDK-së që kanë votuar kundër Lumir Abdixhikut janë veprimtarë dhe aktivistë të LDK-së që mendojnë ndryshe, për shkak të rezultatit të dobët të LDK-së, e cila ka rënë në një nivel që është buzë greminës.
Për ta ringjallur LDK-në, duhet të përgatitet një koncept i ri politik, i cili do t’i bashkojë të gjithë të larguarit nga LDK-ja dhe t’i rikthejë ata si pjesë të saj. Madje, duhet të bisedohet edhe me Donika Gërvallën dhe deputetët e tjerë të krahut të ndarë të LDK-së me emrin Guxo, që kjo parti të shkrihet dhe të kalojë pa kushte në LDK, duke iu bashkangjitur edhe deputetët e saj grupit parlamentar të LDK-së.
Në këtë rast, grupi parlamentar do të ishte grupi i dytë më i madh dhe do të kishte afërsisht 25 deputetë. Këta 25 deputetë do të mund të bënin një marrëveshje për formimin e Qeverisë së Kosovës me fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, ku kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të ishin nga radhët e VV-së, ndërsa posti i presidentit do t’i takonte LDK-së së bashkuar.
Në politikë, asgjë nuk është e pamundshme kur ekziston vullnet politik. Marrëveshjet politike nuk e dëmtojnë demokracinë, përkundrazi, ato e rrisin dhe e zhvillojnë atë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".