Mulliqi: Klani i Isa Mustafës si ndër rrënuesit të LDK-së e vazhdoi me Abdixhikun

Mulliqi: Klani i Isa Mustafës si ndër rrënuesit të LDK-së e vazhdoi me Abdixhikun
Mulliqi: Klani i Isa Mustafës si ndër rrënuesit të LDK-së e vazhdoi me Abdixhikun

Skender Mulliqi

  • 06 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Duke vepruar kështu, ata po përdorin tema nga e kaluara, pa të ardhme, pa përgjegjësi dhe pa patriotizëm të vërtetë. Sektet mendërisht komuniste po e dëmtojnë, me dashje apo pa dashje, edhe reputacionin e Kosovës para botës demokratike. Servilët politikë nuk e votuan unanimisht largimin nga posti të të parit, Lumir Abdixhikut, sepse interesat i kanë të përbashkëta. Në një shkrim lidhur me PD-në në Shqipëri, e cila përjetoi krizë të madhe politike, shkrova një shkrim me titull “Dorëheqja e Bashës dhe dorëzimi i bravës”. Këtë akt të dorëheqjes nuk e pamë te LDK-ja, e cila e ka humbur rrugën në oborr. Lumir Abdixhiku proklamoi dorëheqjen nga posti i të parit në LDK sa për sy e faqe, pas debaklit të madh në zgjedhjet e dhjetorit të 2025.

 

 

-Ai nuk ka qenë kurrë strukturë politike e LDK-së. Nga Riinvest u katapultua nga Isa Mustafa, hiç më pak se sa kryetar i partisë dikur më të madhe në vend, sa ishte gjallë Ibrahim Rugova. Me vdekjen e tij po vdes ngadalë edhe LDK-ja, e cila nga partia e parë ka rënë në të tretën, që është debakël i madh politik. Kuvendi që u mbajt është kuvend klanësh dhe tarafesh, të cilët po i mbrojnë interesat personale, me në krye Abdixhikun, i cili nuk ka nevojë për të qenë i pari. Nuk ka karizëm dhe as dije për të reformuar LDK-në e rënë për tokë. Metoda që u vu në funksion, që me vota të fshehura të votohet pro apo jo miratimi i dorëheqjes, ishte metodë jo demokratike. Për dorëheqje si akt moral në politikë nuk votohet, por miratohet, si zakonisht në raste të tilla. Turpi i këtij subjekti politik trokiti në dyert e tij. Mosdorëheqja e Abdixhikut, me kapacitet të vogël për ta drejtuar LDK-në dikur institucionaliste, është turpi më i madh i skenës politike të pasluftës. Dorëheqja për një debakël të tillë nuk ishte dashur të diskutohej. Nuk u diskutua, sepse në fakt kjo parti ka degjeneruar përfundimisht dhe shumë lehtë do të vihet në pyetje shuarja apo edhe moskalimi i pragut zgjedhor.

Klani i Isa Mustafës, rrënuesit të LDK-së, vazhdoi me Abdixhikun, i cili duket se me klanin e tij horak janë aty për t’i mbrojtur interesat personale përmes LDK-së. Dyshohet se ka aty njerëz me orientime edhe projugosllave, sepse metodat që janë duke u përdorur flasin për këtë lidhshmëri. Abdixhiku e hoqi në një rast paturpësisht foton e liderit historik të LDK-së, dr. Ibrahim Rugovës. Për mua kjo tregon orientimin e gabuar të LDK-së. Emërtimi “Lidhja” nuk ka të bëjë asgjë me LDK-në e Rugovës. Zaten emri i Rugovës po përdoret apo po keqpërdoret vetëm kur kemi zgjedhje. Po përmenden të vrarët vetëm gjatë fushatave elektorale. E turpshme apo jo? Këta po ngjasojnë më shumë në ndërmarrje sesa në parti serioze politike. Abdixhiku, me strukturën e gjysmë analfabetëve politikë, nuk hyri në koalicion me LVV-në, për faktin se disa persona në krye të LDK-së nuk janë të interesuar që kjo parti të ngjitet aty ku e ka vendin.

Qëllimi i tyre është shkatërrimi përfundimtar i partisë dikur më të madhe në Kosovë. Ata që po dëshirojnë shembjen e një partie politike janë pa ide dhe ideologjikisht të devijuar. LDK-ja e sotme duhet ta thotë ashiqare se nuk është e interesuar për të ardhmen e këtij vendi, por vetëm për të tashmen. Duke vepruar kështu, ata po përdorin tema nga e kaluara, pa të ardhme, pa përgjegjësi dhe pa patriotizëm të vërtetë. Sektet mendërisht komuniste po e dëmtojnë, me dashje apo pa dashje, edhe reputacionin e Kosovës para botës demokratike. Servilët politikë nuk e votuan unanimisht largimin nga posti të të parit, Lumir Abdixhikut, sepse interesat i kanë të përbashkëta. Interesi i përgjithshëm është në plan të dytë apo edhe të tretë. LDK-ja po përdor standarde të dyfishta. Njerëzit me shumë fytyra duhet të mbahen sa më larg oborrit tonë të shtëpisë. Jo legjitimitetit të tillë politik tashmë i ka kaluar koha…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".