Strukturat  e nëntokës kriminale të SHIK-ut po e mbajnë të sunduar (pa)drejtësinë!

Strukturat  e nëntokës kriminale të SHIK-ut po e mbajnë të sunduar (pa)drejtësinë!

Gani Qarri

  • 22 April 2021 - 10:58

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Për aq më tepër, nën ndikimin e plotë të strukturave të inkriminuara SHIK-iste, deri më tani kanë mbetur ende të kontrolluara e te kapura komplet KPK-ja dhe KGJK-ja, sikur dhe Policia e Kosovës dhe AKI-ja, pasi që realisht të gjitha partitë politike që qeverisën & sunduan Kosovën për këto 13 vite, në përbërjen e tyre, kishin strukturat e veta kriminale të instaluara nga SHIK-u ilegal.

Siç ka dëshmuar tanimë edhe praktika e gjatë mbi 21 vjeçare, partitë e inkriminuara kanë shtrirë ndikimet e tyre në gjithë sistemin vendimmarrës juridik dhe administrativ të vendit, duke implikuar interesat e veta kriminale edhe në bërjen e ligjeve sipas direktivave të grupeve mafioze të interesit, për të ngritur pengesa në zbatimin e plotë të ligjit, sidomos në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe veprimit ligjor atje ku përfitojnë grupet e korruptuara mafioze dhe klanet e krimit të organizuar të lidhura ngushtë, tash e mbi dy dekada me rrjetet e nëntokës kriminale në vend.

Madje sipas analizës më të re të Institutit Kosovar për Drejtësi IKD, i cili mbikëqyr drejtpërsëdrejti punën e  institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë dhe të gjyqësorit në vend, raportohet se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, për 13 vjet me radhë, prokurorët kanë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve – pjesa dërrmuese për vepra penale të korrupsionit, por asnjëri prej tyre, deri më tani nuk është dënuar, me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për burgim efektiv. 

Nisur nga ky fakt shqetësues, vetëm Ligji për dekriminalizim dhe VETTING-u i thellë, do ti vente përfundimisht pikë kësaj katrahure dhe jepte fund një praktike të tillë të keqe, të mos funksionimit të shtetit dhe të ligjit në Kosovë, që vie si pasojë e drejtpërdrejtë e delegimit të njerëzve të dyshimtë dhe me të kaluar kriminale në pozita të larta shtetërore dhe juridike, të vendosur edhe në krye të institucioneve kyçe të shtetit, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç mbrojtjes së interesave të bosëve të krimit, përmes keqpërdorimit të hapur të institucioneve shtetërore, pozitave zyrtare dhe ligjeve të vendit.  

Dhe siç thuhet në IKD, nga gjithsej 298 aktakuzat e njohura deri më tani, 109 prej tyre, janë ngritur pikërisht kundër zyrtarëve të nivelit qendror, kurse 189 tjera ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të nivelit lokal. 

Por megjithëse në 55 raste janë akuzuar zyrtarë shtetërorë të profilit të lartë, për mbi dy dekada, asnjëri prej tyre nuk është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe dërguar në burg për vuajtjen e dënimit. 

Madje siç konstaton edhe vet analiza profesionale e KDI-së, zyrtarët e dyshuar politik, në asnjë rast nuk dënohen me burgim efektiv, ndërsa gjykimet e tyre zvarriten qëllimisht, deri  në devalvimin e plotë ligjor, për tu parashkruar, në vend të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore për dënimin e tyre sipas ligjit.

Vet këto të dhëna të vërtetuara me fakte dhe argumente, janë dhe dëshmia më e mirë që flet se sa i kapur kriminalisht është sistemi i drejtësisë në Kosovë, i cili devalvoi totalisht pas marrjes së kompetencave nga ndërkombëtarët, kur struktura e SHIK-ut, megjithëse deklarativisht kinse pati shuar aktivitetin, praktikisht gjatë gjithë kësaj kohe, ka vepruar edhe me fuqishëm dhe është infiltruar në të gjitha nivelet e institucioneve të vendit.

SHIK-i me njerëzit e besueshëm, me spiunët e vetë që i ka instaluar pa asnjë pengesë në komplet sistemin administrativ dhe atë të drejtësisë, deri në krye të shtetit të kapur të Republikës së Kosovës,  e ka  shkatërruar tërësisht rendin e ligjin si dhe e  pamundësuar veprimin ligjor të prokurorisë dhe të gjyqësorit në gjithë vendin.

 Dhe siç dihet tanimë edhe zyrtarisht nga i gjithë opinioni jo vetëm vendor, SHIK-istët e PDK-së ishin të infiltruar gati të gjithë dhe jo vetëm sepse edhe LDK-ja, brenda këtyre institucioneve,  kishte numër jo te vogël njerëzish te rekrutuar nga SHIK-u ,numër i cili sidomos pas zgjedhjes se Isa Mustafes, me ndihmën e SHIK-ut qendror në krye të LDK-së, do të rritje dhe bashkohej SHIK-isteve qe tanimë ishin ne radhët e LDK-së dhe ne Komunën e Prishtinës si Sami Hamiti me shokë etj.

Prandaj kapja e institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë nuk ishte ndonjë pengese për t’i përplasur partitë politike mes vete ngase edhe ashtu, pothuajse që të gjitha udhëhiqeshin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar që tanimë kishte gjetur shtrirje në gjithë vendin. 

Gjendja e nderë dhe situata e krijuar, dëshmon më së miri, se deri më tani, gjyqësori dhe prokuroritë në vend, shërbenin dhe ende shërbejnë vetëm si filiale të mafio-politikanëve në pushtet, respektivisht si degë funksionale te SHIK-ut, që dirigjon të gjitha instancat juridike dhe komplet sistemin e drejtësisë në vend,  jo vetëm deri në PSRK por edhe me lartë! 

Ndaj kjo gjendje dhe mënyrë e të funksionarit të sistemit të kapur të drejtësisë, nga krimi i organizuar, është edhe një arsye tjetër plus pse Qeveria e re dhe Ministria e Drejtësisë kanë vendosur që pa vonesë dhe me urgjencë, krahas ligjit për Konfiskimin e pasurisë të fillojë edhe me procedurën e hartimit paralel  të ligjit për Vetting, pasi që nuk do të kishte asnjë efekt, të kërkohet nga prokuror dhe gjyqtar të kontrolluar e te paguar ende nga krimi i organizuar , ta zbatojnë ligjin dhe konfiskojnë pasurinë e grumbulluar me korrupsion dhe krim të organizuar, nga figurat e kriminalizuara politike në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".