Hajnat po kapen me “pelë për dore”, drejtësia të veprojë

Hajnat po kapen me “pelë për dore”, drejtësia të veprojë
Hajnat po kapen me “pelë për dore”, drejtësia të veprojë

Shefik Shkodra

  • 09 August 2021 - 13:58

Shkruan: ANALISTI-Shefik Shkodra

Njeriut i vjen turp të shkruaj e të merret me këto punë hajnie e keqpërdorimi nëpër institucionet tona. Mirëpo, ata që kanë krijuar afera dhe e kanë shkatërruar vendin, nuk u vjen fare keq, sepse e kanë bërë me vetëdije. Atëherë duhet të ketë ndonjë aparat për ndaljen e tyre. Drejtësia duhet të punojë për ndriçime të aferave ekonomike, besa edhe politike.

-Këta që e kanë keqpërdorur detyrën në institucione të shtetit të Kosovës, gjatë kohë, materialisht e politikisht, me këto keqpërdorime si rasti i këtij drejtorit, të mbajtur gjatë për interesa mafioze, duhet të japin llogari para opinionit të gjerë sa më shpejt që është e mundur, sidomos ata që dihen dhe janë zënë “me pelë për dore”, e të tillë ka edhe të tjerë.

Këta duhet të largohen nga çdo vend nëpër institucionet e Kosovës. Ndoshta edhe ligje nuk ka si duhet për ta, meqë dihet se për kë kanë punuar dhe ligji i përshtatur për ta. Për njëzet vite nuk lanë gjë pa plaçkitur e pa rrjep në këtë tokë. Në vend se të lulëzojë ky vend, dikush e ka shpërlarë edhe arkën shtetërore. Ndoshta ka persona që janë marrë vetëm me punë të sekserëve. Ndoshta ka të tillë që rrinë në shtëpi dhe merren me punë të tjera, por paguhen e janë paguar shtrenjtë. Po të kishte ligj, këtyre duhet t’u merret pasuria e edhe e drejta për qytetar të këtij vendi.

Publikimin e video xhirimeve të përgjimeve e kemi parë edhe më herët, atë që tashmë e ka marrë emrin popullor – PRONTO! Jam trallis. Më ka ardhur turp mua kur i kam dëgjuar ato bisedat e tyre. Por edhe jam habitur personalisht, që askush me emër e mbiemër nuk ka dhënë përgjegjësi, nuk ka dhënë dorëheqje, veprimi i tyre si të ishte diçka normale. Edhe xhirimet nëpër gjykata i kemi parë duke u zgërdhirë. Natyrisht, duke e ditur që s’ka kush çka u bë!

Pse kështu? Ku duam të arrijmë me këta pisa? Kjo ka irrituar shumë opinionin e gjerë. Kjo ka dëshmuar se nuk pritet të formohet shtet prej tipave hajdut, të lindur kleptomanë, shpërdorues me pasurinë shtetërore e në kurriz të krejt qytetarëve. Vjedhje institucionale. Pa kurrfarë droje. Pa ndonjë hezitim. Ngopje e pushtetarëve dhe oligarkëve. Ngopje e servilëve!

Cakëllim i qytetarëve. Pa kore buke. Të nënçmuar e të lënë në rangun e sistemeve të vjetruara as si bujkrobër. Krejt kjo ka ardhur nga politika e të shkordhyemëve – rrugaçëve e banditeve. Të njerëzve pa dinjitet. Grykës e të sëmurët e të pa shëruar për plaçkitje e vjedhje. Çka thotë njeriu për këta pisa, prokuroritë duhet të funksionojnë në çdo kënd. Duhet të mendohet se si duhet të paguajnë dëmin që ia kanë shkaktuar shtetit. Edhe të tjerët dëshirojnë të jetojnë në këtë vend, jo veç kleptomanët nëpër parti.

Edhe njëherë po them, Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë pronë e grupeve, aq më pak njerëzve analfabet. Kështu si ky Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare në MEF, nuk duhet të pritet gjatë për hetime. Dhe rrjedhën ai e di më së miri, kush ishin mbrojtësit dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe këto me siguri do të dilnin deri te ata zotërinjtë, që e kanë udhëhequr e sunduar pa ligj e kushtetute këtë vend qe njëzet vite vetem me rrahagjokse. Mbështetja e këtij drejtorit të tillë dhe e të tjerëve në vende të ndjeshme padronët ishin në krahët e mafisë. Dhe nuk besoj se është i vetmi vend dhe i vetmi drejtor ky i kësaj njësie me këtë keqpërdorim...

Për këtë e gjëra të ngjashme po bëjnë potera nëpër parlament opozita e lodhur, madje po u vjen “shumë keq”, kur dikush po hetohet apo largohet nga posti, si borde, etj. Po kokorisin se, i ka ardhur koha që ta bëjnë venë, por si? Ne si qytetar nuk i dimë të gjitha sekretet dhe abuzimet që janë bërë nga ana e këtyre njerëzve, por është vërejtur se, Kosova nuk ka përparim në asnjë pikëpamje. Përkundrazi Kosova ka ngecur për kaq vite.

Se Kosova është tradhtuar nga dikush që ka thënë dhe ende po thonë se na jemi udhëheqës të zgjedhur e të paprekshëm. Kosovën e bëjmë “rrush e kumbulla”, por nuk i japim askujt llogari. Këta tipa të tillë, dihet, qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i mbrojnë. Nuk duhet t’i votojnë partitë me plotë kësi manovruesish në institucione dhe duhet që të largohen fare nga politika, si hajdutë e si mafiozë që kundërmojnë në çdo kënd, e kudo qe jane.

Partitë që ishin në pushtet janë fajtorët kryesor, por duhet të dënohen rëndë kandidatët që i kanë deleguar dhe emëruar në institucione, të vendosura për kryerjen e këtyre punëve dhe qeverisjen e shtetit. Këta janë që një kohë dëshironin t’ia mbyllnin gojën cilitdo që flet a pëshpërit për diçka të kësaj natyre, së paku kur je deklaruar se diçka nuk është në rregull. Këtu nuk është marrë vesh kurrë për qytetarin e rëndomtë se çfarë është duke ndodhur.

Prandaj, qytetarët brenda këtyre viteve kanë braktisur vendin gati si në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Prandaj, rinia e askush tjetër nuk ka pritur korrigjime dhe një ngjallje të këtij vendi. Ka pasur donacione, ka pasur grante edhe për komuna në përgjithësi, nuk është marrë vesh. Qytetari i jonë e ka hetuar humbjen e çdoditshme, sikur një ujë që buron me shumicë, por e pi toka dhe nuk mbetet as për shuarje etje të njerëzve.

kriminale kanë qenë në mënyrë zingjirore. Kush po ndërton në të gjitha komunat e vendit ? Ku po i marrin paratë këta patronët e ndertimit? Si është puna në planifikime e ndërtimtari? Prandaj, drejtësia keto dite duhet të veprojë në secilin dikaster e institucion të viteve të mëparshme e deri më sot, natyrisht me ndihmën e mjeteve të informimit dhe të prokurorive aktive si dhe të qytetarëve. Na gëzon fakti që këto video janë publikuar dhe këto janë një kapje në flagrancë. Prokuroria duhet të mos humb kohë, por te veproj kunder te gjithe zyrtareve te implikuar dhe pa dallim kunder te gjitheve qe jane te kriminalizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".