Kërkohet urgjent Vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët bëjnë tregti kriminale!

Kërkohet urgjent Vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët bëjnë tregti kriminale!

Hajrullah Tërnava

  • 11 September 2021 - 17:48

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Ternava

Tani kur e kemi të qartë situatën në drejtësi të Kosovës, e duke e ditur në të kaluarën se si janë emëruar ata persona në institucionet e drejtësisë, si gjykatës, prokuror, e të tjerë administrator, nuk duhet të habitemi edhe pse e kemi një gjendje të tillë në përgjithësi në drejtësi, prandaj opinioni me kënaqësi po pretë që Qeveria, e cila i ka fituar votat absolute nga elektorati i dëshpëruar me qeverisjen e kaluar të kriminalizuar, sa më parë të ndërmerr veprimet që ti largoj nga ato poste njerëzit e kriminalizuar që kanë kontribuar të krijohet një gjendje e tillë kriminale në ato institucione.

Çfarëdo veprimi që ndërmerret nga kjo Qeveri, jemi të sigurt që edhe popullata do ti respektoj ato veprime, nëse i bënë ndryshimet sa më parë. Ndryshimi më i madh dhe substancial gjithsesi pritet me miratimin e ligjit të Vetting-ut, megjithatë duhet të fillohet që nga tani që të luftohen ato gjana kriminale, sepse lidhja me krimin ka kontribuar haptas dhe hap pas hapi që të krijohet një gjendje e tillë kaotike në drejtësi. Vetëm kur të miratohet ligji i Veitting-ut, pa asnjë hezitim duhet të shkohet deri në fund me pastrimin e të gjitha të këqijave nga njerëzit që kanë marr paga të majme si ligj zbatues por nuk i kanë dhënë kurrfarë kontributi.

Përkundrazi ata vetëm i kanë kontribuar të keqes masive sikur që po na e dëshmojnë një mal i madh i lëndëve të pakryera që gjenden dhe presin kot në sirtarët e zyrave të drejtësisë. Për shkak të mos gatishmërisë së zbatimit të ligjit dhe me zbatimin e tij selektiv, jemi në këtë gjendje të frikshme sepse drejtësia selektive është bërë brengë dhe shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut për qytetarët në Kosovë, sidomos në fushën civile. Në këtë fushë, edhe sipas raporteve zyrtare gjykatat janë të stërngarkuara me lëndë, të cilat derisa do të duhej të bëhet zgjidhja e tyre në pajtim me ligjet dhe politikat e Këshillit Gjyqësor ato zvarriten, tregtohen e stërshiten duke u bërë ose mjet tregtimi për përfitim kriminal, ose dështim deri në parashkrim. Ligjet pozitive dhe politika nuk vlejnë për ata që konsiderohen të fortë. Zyrtarët publikë në pozita me ndikim, arrijnë që lëndët t’i zgjidhin në afat të arsyeshëm kohor, ndërsa ky standard nuk vlen për qytetarët e thjesht dhe bizneset që nuk janë të korruptuara apo nuk e janë në ortakëri me krimopolitikën.

Në gjykatat e Kosovës, në të gjitha nivelet, sipas raportit zyrtar të KGJK-s për 6 mujorin e parë të këtij viti janë në pritje për zgjidhje 200497, lëndë, një shifër skandaloze për të cilën nuk ka shpresë se do të zvogëlohet e do të sillet në suaza të normales. Për 6 muajt e kaluar kanë pasur numrin e lëndëve që kanë pritur në punë gjatë në shifrën prej 251214, nga këtu 174019 të trashëguara nga viti i kaluar, të pranuara për 6 muaj si lëndë të reja evidentohen edhe 77195, kurse janë zgjidhur në të gjitha instancat e gjykatave hiq më shumë se 50717 lëndë, që do të thotë se janë në pritje 200497 lëndë. Këto lëndë vazhdojnë të “mrizojnë” neper gjykatat e Kosovës pavarësisht se të punësuar kanë, sipas raportit në 6 muajt e parë 400 gjymëtar, kurse në mbështetje të tyre kanë qenë edhe 1515 pjesëtar të stafit profesional mbështetës. Duke e pasur te qarte situatën reale neper institucionet e drejtësisë, gjithsesi se duhet që përfundimisht të ndryshon mënyra e pagesës, shpërblimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në sistem, duke e sanksionuar pagën minimale dhe atë të stimuluar, pagesën sipas normës së arritur të punës, dhe të mos shpërblehen baras deri në 2000 euro pagë mujore gjyqtar dhe prokuror të cilët në raste të caktuara e përfundojnë vitin me letër të bardhë, pa lëndë të zgjidhura si gjyqtarë dhe pa raste të ftuara në gjykata për prokuroret, që i manipulojnë dhe dështojnë provat në marrëveshje me palët dhe me avokatët me të cilët e ndajnë tallin e përfitimit nga mbrojtja e krimit.

Përndaj sa me pare duhen te spastrohen këto institucione nga ata kriminel qe ishin edhe te stimuluar me paga aq te larta, sepse vetëm në këtë mënyrë eshte e mundur qe te zhvillohet krimi i organizuar, dhe qe ata qe eshte dashur te pasurohen ia kane arritur atij qëllimit, por kjo qeveri ne pushtet duhet ta luftoj krimin e organizuar edhe nga brenda neper institucionet e drejtësisë, dhe njëherë e përgjithmonë ata gjykatës, prokurore dhe te tjerë qe zbulohen se ishin pjesëmarrës ne ato krime te dënohen pamëshirshëm dhe sa me pare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".