Lidhje spiunazhi me kabinetin e Aleksandër Vuçiqit dhe në shërbim të nëntokës kriminale e mafies

Lidhje spiunazhi me kabinetin e Aleksandër Vuçiqit dhe në shërbim të nëntokës kriminale e mafies

Gani Qarri

  • 11 November 2022 - 07:48

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Me përcjelljen e informatave "top-sekret", prej Prokurorisë Speciale, direkt e në duart e Aleksandër Vuçiqit, nga marrja në pyetje e Rada Trajkoviçit, mbi vrasjen e Oliver Ivanoviaqit, si dhe dështimin e radhës mbi "Aferën e Hidrocentraleve" u dëshmua katërçipërisht dhe në mënyrë fare të padiskutueshme se edhe vet Prokuroria Speciale me aktin e amnistimit të të akuzuarve, është pozicionuar 100% në funksion të mbrojtjes së krimit, nëse nuk është shndërruar edhe në degë besnike të strukturës ilegale të SHIK-ut?!

-Me 8 nëntor, edhe Gjykata Themelore e Prishtinës,përfundimisht i ka liruar nga akuza katër ish-ministra të ish Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe të akuzuarit tjerë në grup Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shkelke të ligjit në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Ndaj me dështimin e rastit më të ri, nuk do mend se edhe njëherë më tepër, po vërtetohet me fakte të pa mohueshme lidhja e ngushtë kriminale e sistemit të drejtësisë së kalbur të Kosovës, me krimin e organizuar dhe mafio politikën, për mos-vërtetimin e qëllimshëm të përgjegjësisë, dhe shpalljen kinse të pafajësisë, me lirimin ga aktakuza të të katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 dhe dy të tjerët për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”!

Në fakt për 19 personat e akuzuar në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, shqyrtimi fillestar është mbajtur me 28 tetor të vitit 2020, kurse shqyrtimi kryesor për këtë rast ka filluar më 1 korrik të vitit 2021, tani, për të akuzuarit e PSRK-së.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka konfirmuar, se ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte vërtetuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka dhe në një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdonte gjykimi.

Madje,në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.

Dhe e njejta gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes hetimore për të akuzuarit Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohej se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë dobi pasurore një personi dhe që ti shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta zyrtare dhe ligjore.

Dhe të njëjtit, më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”?!

Dhe siç thuhet në aktakuzë, të njëjtën ditë, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe, e me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, paragrafi-4.

Për aq më tepër, sipas vet Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, këto asete kanë qenë nën koncesion, e përveç kësaj edhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, prandaj veprimet e personave të akuzuar, kanë dëmtuar rëndë, interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar.

Thënë më konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi arrinë shumënm e 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut dhe jo kompanisë "privatizuese" turke.

Me këto veprime, PSRK i ngarkonte të akuzuarit me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi-2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

PSRK e akuzonte edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj, e cila edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”?!, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform ligjit dhe detyrave të veta obligative.

Për më tepër, sipas aktakuzës,Fllanza Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në rritje dhe mënyrë të përhershme.

Kështu që, sikur mos të mjaftonin informatat konfidenciale që nga Prokuroria Speciale fluturojnë brenda minutash, direkt e në duart e Vuçiqit, edhe rasti më i ri dëshmon se sa të pa prekshëm janë të fortit prokurorisë, veçanërisht ata të të ashtuquajturës "speciale", të lidhur me politikën, të cilët janë bërë multimilioner duke abuzuar dhe bërë pazare me asetet më të rëndësishme të shtetit, gjithmonë duke e shfrytëzuar pozitën dhe imunitetin nga ligji, dhe gëzuar mbrojtjen nga ish pushteti i inkriminuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".