Finalizimi i ligjit VETTING ka krijuar panik të madh dhe i ka trazuar prokurorët e gjyqtarët e korruptuar!

 Finalizimi i ligjit VETTING ka krijuar panik të madh dhe i ka trazuar prokurorët e gjyqtarët e korruptuar!

Gani Qarri

  • 03 December 2021 - 07:37

Shkruan: Analisti- Gani Qarri

Pas konfirmimit të aktakuzave për korrupsion ndaj ish-ministrit të tregtisë Bajram Hasani, kryetarit të Malishevës Ragip Begaj dhe të tjerëve në grup, duket se me në fund do të fillohet me ndjekjen më serioze të peshqve të mëdhenj që për dekada abuzuan me detyrën zyrtare, madje abuzime të mëdha që kanë ndodhur edhe në pozita të larta qeveritare, nga kryetar komunash, ministra kryeministra e deri në pozitën e ish presidentit të shtetit.

-Kështu që ky rast dhe disa të tjerë, të muajve të fundit, japin shpresë se ky është paralajmërim për nisjen e zgjimit të ngadalshëm të drejtësisë së përgjumur ndër vite dhe fillim i çlirimit nga ndikimi i thellë i nëntokës së krimit dhe politikes së inkriminuar, si dhe frikë nga ethet e frikës së Vettingut në ardhje si ligj i cili do të nxjerr në provim një nga një të gjithë zhytarët e Prokurorisë, Gjyqësisë dhe të vet AKI-së!

Ndërsa sipas informatave të para, mega skandali për të cilin akuzohet ish ministri Begaj me grupin e tij, ka të bëj me dyshimet për korrupsion galopant, prandaj edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, duket se ka qenë e detyruar ta konfirmoi aktakuzën për korrupsion edhe ndaj ish– ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani.

Aktakuza u konfirmua edhe kundër ish- zëvendësministrit të kësaj ministrie, kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetarit të kësaj komune Hajdin Berisha, Drejtorit të Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Bashkim Krasniqi, shefit të Gjeodezisë në Komunën e Malishevës Malë Kasniqi, inspektorit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Nazmi Kafexholli, si dhe Ahmet Rrahmanajt.

Të gjithë këta, akuzohen se duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në hapësirat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, dhe shitjes së tyre me një çmim të kripur dhe shumë më të lartë.

Prandaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, Nazmi Kafegjolli dhe Ahmet Rrahmani.

Dhe sipas aktpadisë që rëndon mbi ta, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, kurse Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës së ngritur, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaçi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë mundësuar shpronësimin e tokave në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur hapësirën në fjalë, zonë me interes të veçantë.

Kurse Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaçi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë, me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në hapësirat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej edhe më tej, me procedurat e shpronësimit të tokave tjera.

Në aktakuzë thuhet po ashtu, se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi ishte në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë pikërisht në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari dhe e gjithë kjo, duke qenë paraprakisht i informuar se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, çmimi i shitjes së të cilave, do të rritej në masë shumë më të lartë.

I padituri i radhës Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK), duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike,me qëllim që t’ia rrit vlerën tokës, kishte marrë me qira pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte, për çka, çuditërisht kishte përfituar edhe grante nga Ministria e atëhershme e Bujqësisë.

Edhe i akuzuari i radhës, Ahmet Rrahmanaj, duke qenë i njoftuar se nga viti 2007 deri më 2013, parcelat e tokës në pronësi shoqërore, janë blerë dhe ngritur, në vazhdimësi me aktivitete kriminale, njëkohësisht ka transferuar pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, për shmangien nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neuco Mirusha” tokë bujqësore kjo në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1 milion e 222 mijë e 333 euro, për një sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari, dhe këtë për 99 vite.

Madje i akuzuari Rrahmanaj më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, dhe për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo, siç sqarohet në aktakuzë, të njëjtat para ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kamuflimit të kinse "shit-blerjes" që gjoja kishte ndodhur në vitin 2007.

Prandaj vet ky rast flet më së miri se prokurorët e guximshëm si dhe gjyqtarët dhe hetuesit, duhet të mbështeten dhe stimulohen edhe më shumë nga shteti, në mënyrë që, të vazhdojnë ti shpalosin skandalet e tilla e të ngjashme, të cilat me dekada pushojnë të pluhurosura në sirtarët e mbyllura të Prokurorisë special, dhe nëpër prokuroritë komunale, ngase ishin të penguara dhe të bllokuara nga vet mafio politika e cila fatkeqësisht për më tepër se një dekadë, kishte kapur instancat e të gjitha niveleve dhe uzurpuar edhe vet shtetin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".